
Lazër Stani një tregimtar fin e i dëshmuar në letrat shqipe, në përmbledhjen “Kohë për nuse” ndërton një univers letrar sa të zymtë aq edhe magjepës, ku përmes ndjeshmërisë introspektive dhe gjuhës simbolike eksploron plagët e njeriut modern i cili endet mes kujtesës, frikës, artit të humbur dhe një vetmie që trazon shpirtrat e dhemb.

Nga Albana Beqiri
Autori lëviz në kufijtë mes realizmit të vrazhdë dhe magjikes, duke ndërthurur mes tyre etnografinë, filozofinë ekzistenciale, rrjedhën e vetëdijes dhe dialogun e ngjeshur. Personazhet e tij, doktorë të rinj, artistë të dështuar, të dënuar politikë, gra të vetmuara etj, operojnë brenda burgjeve të padukshme: zakoneve patriarkale, sistemit shtypës, drojës nga ndryshimi dhe traumës së pashprehur. Në këtë libër Stani rrëfen me finesë drama të thjeshta, por tronditëse, duke na kujtuar se shpesh “më e rëndë se vdekja është humbja e ëndrrës”, ndërsa përshtatja me absurditetin bëhet forma më e mistershme e mbijetesës.
Tregimi “Të magjepsurit”, me të cilin nis seria e tetë tregimeve të librit “Kohë për nuse”, na fut në një botë pothuaj të pakuptueshme për njeriun modern, në një lloj labirinti psikologjik, ku realiteti dhe besimet magjike përzihen pa ndonjë dallim. Përmes një doktori të ri që përballet i vetëm me një fshat të tërë plot frikë nga magjia, Stani ndërton një alegori të mprehtë mbi shoqërinë e mbyllur dhe fuqinë korruptuese të frikës. Ai tregon se magjia nuk ka nevojë për rregulla, ajo është refleks i pashprehur i dhembjes. Kur doktori përpiqet ta “shërojë” Alinën, ai në fakt i jepet rrymës së këtij refleksi, duke u bërë pjesë e problemit. Një tregim ta quajmë “etnografik” që shndërron folklorin në parabolë universale për frikën ndaj ndryshimit. Autori përdor rrjedhën e vetëdijes për të krijuar një atmosferë paranojake, ku lexuesi ndjen të njëjtën gjendje ankthi dhe pasigurie si protagonisti. “Ti gjithmonë ikën, ikën, kurse unë dua… të më shpëtosh”, i thotëw Alina doktorit, duke na përfshirë në një linjë që përmbledh tërë “tragjedinë e tregimit”: dashuria dhe shkenca janë të pafuqishme përpara magjisë së vetmisë.
Në tregimin e radhës “Përqafim në mort” edhe pse vdekja është piketuar që në titull, ajo nuk është domosdoshmërisht tema bazë e tij. Duke përdorur elementin vdekje, autori ka ndërtuar një rrëfim, i cili ngjason me fotografinë e errët të dashurisë së pamundur. Realisht vdekja shërben si pasqyrë për konfliktet e pashprehura të jetës, duke e shndërruar tregimin në studim artistik të psikologjisë së humbjes. Përmes një ngjarjeje të thjeshtë, siç është vdekja e papritur e Mark Balës, autori zbret në thellësitë e memorjes së shtypur, dashurisë së ndaluar dhe urdhërave të pashkruara të të vdekurve. Tregimi nuk ndjek një rrjedhë kronologjike, por shkërmoqet njësoj si kujtesa e protagonistit, ndaj nuk është e çuditshme që e tashmja (vdekja e Mark Balës) të përzihet me fragmente të së kaluarës (marrëdhënia me Danielën). Interesant është edhe përdorimi i kohës së tashme për ngjarjet e kaluara (“Tani më del parasysh…”), çka në të vërtetë krijon një realitet të shkrirë, ku të gjitha humbjet janë të pranishme. “Dhe gjithnjë ndjeja atë përqafim të fundit… duke më përshkuar të tërin”, fundi është një vajtim për gjithçka që mund të ishte, por që u bllokua nga pesha e një varri.
“Nuk ishte një aventurë, ishte jeta ime” (Yehuda Amichai), ky citat hyrës përmbledh thelbin e tregimit: jeta nuk është roman, është një varg humbjesh të pashmangshme.
Artisti vdes dy herë: kur humbet ëndrrën dhe kur e pranon humbjen. Këtë “mësim” e jep artistikisht “Pianisti”, tregimi i radhës, i cili vjen i mbështjellë në një prozë të rrjedhshme dhe të pasur me shtresime të holla psikologjike. Protogonisti, një pianist i dështuar e interpreton jetën sipas një partiture egzistenciale e cila shpalos konfliktin e thellë mes dashurisë për artin dhe realitetit të ashpër të jetës. Përmes një strukture që alternon ëndrrën me realitetin, autori skenon dramën e verbërisë shpirtërore, ku “të verbërit” e tablosë së ëndrrës janë pasqyra e vetë protagonistit. Kuptohet që verbëria është simbolike, pianisti “nuk e sheh” rrugën e tij artistike, ashtu si personazhet në pikturë. Kur rrëfimtari braktis pianon dhe i futet tregtisë, ai në fakt pranon një jetë pa art, ku Pepja, shoku i tij i biznesit, përfaqëson realizmin brutal: “Lere atë zanat qyqarësh. Jemi burra, s’na shkon sazja.” Megjithatë, edhe në jetën e re, pianoja mbetet simbol i pashlyeshëm. Vendosja e saj në një qoshe të magazinës, tregon se arti megjithatë nuk vdes kurrë plotësisht. Dhe mbase nuk do kishte vdekur nëse bashkëshortja e pianistit, Lina nuk do bënte të ndodhte një ironi tragjike. Drejtori i operës e fton për një koncert, por Lina vetëdijshëm ia fsheh telegramet…
A ka shpëtim për pianistin?
Tregimi mbaron me kthimin në ëndërr, ku protagonisti përsëri sheh tablonë e të verbërve. Përfundimi është i pashmangshëm. Pianisti do të vazhdojë të luajë në heshtje, të ëndërrojë piktura që nuk mund t’i vizatojë (“I sheh këto ëndrra ngaqë nuk di të pikturosh” fjalët e motrës) dhe të jetojë në një purgator artistik, ku as ka shpëtuar e as ka humbur përfundimisht.
Tregimi që i jep emrin librit “Kohë për nuse” është një elegji artistike për shpirtrat e burgosur. Autori rrëfen në mënyrë introspektive për të pathënat që na ngacmojnë brenda dhe për ndjesinë e çuditshme të vetmisë që ndjejmë veçmas kur jemi të rrethuar nga njerëzit. Kryepersonazhi, një mjek i ri që “studionte deri vonë librat më të rëndë për sëmundjet e zemrës” ndërsa babai i fliste për “familjen që duhet të vazhdojë”, e gjen veten mes dy botësh: njëra ku të gjithë pretendojnë se gjithçka është në rregull dhe tjetra ku ai ka ngecur i pashpresë në një qytet të vogël provincial. Veçori e stilit autorial është përdorimi i fjalëve të thjeshta për të treguar gjëra të thella. Kur nëna vdes, babai fillon të punojë si i marrë, “duke kërkuar gjithmonë diçka për të bërë”, ndërsa djali mendon se “në këtë lojë të jetës, askush nuk fiton vërtet”. Prandaj edhe vdekja nuk është fundi, por vetëm fillimi i një vetmie të re. Dhe në mes të gjithë kësaj, qëndron si hije Zina, vajza me të cilën do ta martojë familja, e cila edhe pse “e di që ai nuk do të kthehet kurrë”, prapë përpiqet të zërë vend në jetën e tij. Çasti kur Zina hyn në shtratin e tij “si një kafshë e lënduar” është nga pjesët më domethënëse të rrëfimit, sepse tregon se, afërsia fizike nuk është dashuri, por thjesht një mënyrë për t’u përballur me jetën që duket se s’ka më kuptim. Kur autori përshkruan “atë lagështi të nxehtë midis tyre”, lexuesi kupton se kjo nuk është lidhje e vërtetë, por thjesht përgjigja instiktive ndaj një jete të mbyllur.
Në fund, kur babai thotë se do të martohet përsëri, ndoshta me Zinën, gjithçka bëhet akoma më e trishtë. Martesa, që dikur i dukej si “dhuratë më e mirë për një burrë”, tani duket si një shaka e keqe.
Te “Një histori dhe një emër gruaje” autori na ofron një tregim që të rrëmben në kërcimin impresionues mes kujtesës dhe harresës, artit dhe jetës si dhe mes atij që ishim dhe atij që u bëmë. Rrëfimi sillet rreth një portreti të fshehur në bodrumet e Galerisë Kombëtare, që ashtu si një sekret i vjetër pret të zbulohet.
Marta K., profesoresha e anatomisë që “nuk i ndante sytë” nga studenti i saj, bëhet mediumi përmes të cilit protagonisti përballet me imazhin e vet të humbur. Ajo që fillon si një intrigë e thjeshtë mes profesoreshës dhe studentit, shndërrohet në një eksplorim të thellë të identitetit dhe kalimit të kohës. Në një përzierje mjeshtërore të kujtimeve të fragmentuara dhe reflektimeve filozofike, autori e përdor pikturën si një metaforë të fuqishme: “Piktura dhe unë ecnim në kahe të kundërt”, një deklaratë që fsheh brenda saj gjithë tragjedinë e kalimit të kohës dhe humbjes së vetvetes.
Ajo që e bën këtë tregim të prekshëm është mënyra sesi autori e trajton temën e dashurisë së pamundur. Marta K. nuk është thjesht një dashnore, më shumë se aq ajo është krijuesja e një versioni tjetër të protagonistit, ai version që “di gjithçka për mua, ndërsa unë nuk dija asgjë për të”. Marrëdhënia e ndërlikuar mes artistit dhe modelit të sjell në mendje mitin e Pigmalionit, por me një kthim tragjik: këtu statuja e bën artistin të harrojë vetveten. Fundi i tregimit është impresionues: protagonisti përgatitet për takimin me versionin e vet të vjetër, duke veshur “kostumin më të mirë” si për një takim të parë. Ky gjest simbolik na kujton se në fund të fundit, të gjithë përballemi me versionet tona të dikurshme, me ato që mund të kishim qenë apo me ato që na kanë bërë të besojmë se jemi.
“Me sy të fiksuar pas një ylli” është një tregim i shkurtër por intensiv, përmes të cilit Lazër Stani na fut në zemrën e errët të një nate ekzekutimi, ku dy burra përballen me fatin e tyre përfundimtar.
Lexuesi përballet me një skenë të mbyllur, ku “errësira herë rrallohej e zbehej e herë mblidhej lëmsh”, e ku autori ngre një monument letrar për kurajon dhe integritetin njerëzor. Stani e ndërton tensionin me një ekonomi të rrallë fjalësh. Përshkrimet e tij janë si goditje peneli: “një shkëmb si kurriz krokodili parahistorik”, “hëna e ngrënë si vetull putane”, “dritat e mekura të një kantieri si kandil fitil shkrumbuar”. Çdo detaj është një shenjë simbolike që shton peshën psikologjike të ngjarjes.
Autori e përdor me mjeshtëri teknikën e rrjedhës së vetëdijes për të na futur në mendimet e personazhit kryesor. Përmes kujtimeve të tij, ne dëgjojmë “zhaurimën e shiut mbi tjegulla” dhe shohim “shpatin e malit me murriza dhe dëllinja që feks vetëm për një grimë nën flakërimën tmerruese të vetëtimës”. Momenteti kulmant vjen kur i dënuari reflekton: “Ka dhimbje që janë më të rënda se vdekja”. Këtu autori na ofron një të vërtetë universale për natyrën njerëzore, atë se ndonjëherë integriteti moral mund të jetë më i rëndësishëm edhe se vetë mbijetesa. Në fund, kur i dënuari thotë “Nuk mundem”, refuzim ky që “nuk qe i sigurt nëse qe zëri i tij, apo ishte zëri i të vdekurit që ngrihej nga thellësia e tokës”, lexuesi ndjen se ky nuk është thjesht akt rezistence politike, por zgjedhje ekzistenciale që transmetohet përmes brezave. Autori na kujton se në fund të fundit, siç thotë personazhi i tij, “në jetë mund të tradhtosh të gjallët, po kurrë të vdekurit”.
“Idioti udhëton për Amerikë” titullohet tregimi i radhës, në të cilin autori na sjell një fragment shpërthyes të ekzistencës së një njeriu të bllokuar midis dëshirës për liri dhe ankthit të tradhtisë. Tregimi, i mbështjellë në një atmosferë klaustrofobike dhe të ngopur me paragjykime politike, është një studim i mprehtë i psikologjisë së personazhit kryesor, Tonit, ndërsa ai përgatitet të arratiset nga një sistem shtypës. Ai simbolizon tradhtarin që nuk tradhton: paradoksalisht është plot me ndjenjën e “tradhtisë”, edhe pse nuk ka bërë kurrfarë tradhtie. Struktura e fragmentuar e tekstit, me kërcime midis monologut të brendshëm dhe dialogjeve të shkurtra, krijon një rrjedhë të shqetësuar mendimesh, duke pasqyruar ankthin e personazhit. Simbolika e idiotit shkon përtej titullit. Flitet edhe për “Idioti”-n e Dostojevskit, i cili nuk është një detaj i rastësishëm, por shërben si pasqyrë e Tonit, një i pafajshëm në botën e demaskuar, i cili, si princi Myshkin, ëndërron për një jetë më të mirë, por përfundon i shkatërruar nga realiteti.
Pjesa më sinjikative e tregimit është pritja e autobusit, ku Toni kalon orë të tëra duke luftuar me dyshimet e veta. Autori e përshkruan psikologjinë e pritjes me precizitet të mprehtë: “Koha e pritjes është kohë e vdekjes… Koha është e pamjaftueshme për të pritur.” Tregimi nuk ka një përfundim të qartë. Toni arrin të kalojë kufirin, pa e ditur nëse ka bërë zgjedhjen e duhur. Në letrën e fundit, dërguar një shoku të vjetër, ai lë përshtypjen sikur arratisja ka qenë e kotë. “Spanja më refuzoi vizën dhe u detyrova të shkoj në Amerikë… Kam një grua që e dua, dy fëmijë, fundjavave shkoj për gjah.” Ky lloj normaliteti i detyruar sugjeron se Toni nuk e gjeti dot lirinë e vërtetë. Ai thjesht u përshtat. Si në tregimet e tjera, gjuha e Stanit është e kursyer, por çdo fjali është e ngarkuar me shqetësim ekzistencial. “Idioti udhëton për Amerikë” është një meditim estetik mbi çmimin e lirisë dhe vetminë si dënim.
“Daiza Zaharia” tregimi i fundit i librit, vjen si një rrëfim që kombinon realizmin politik me ekzistencializmin fetar, duke e lënë lexuesin në reflektime të thella për çmimin e mbijetesës.
Autori krijon një atmosferë të rëndë dhe të errët, ku shiu, burgu dhe izolimi i fshatit pasqyrojnë gjendjen shpirtërore të personazheve që veprojnë në sfondin e një regjimi totalitar. Daiza, kryepersonazhi që i ka dhënë emrin tregimit lufton midis besimit në Zot dhe dyshimeve për të shoqin, duke e bërë këtë një tregim të thellë psikologjik. Lirimi i papritur i Pjetrit nga kryeministri (pa shpjegim logjik) është një satirë e errët e arbitraritetit të regjimeve totalitare: drejtësia varet nga kapriçot e pushtetit e jo nga faktet. Kjo bën që Pjetri të përballet me një dënim social pasi fshati e sheh si tradhtar, duke e izoluar familjen e tij. Kjo pasqyron stigmën e përndjekjeve politike. Nga ana tjetër, shtatzënia e Daizës përfaqëson një shpresë sado të vogël për të ardhmen, por edhe një barrë emocionale në një botë ku fëmijët trashëgojnë “mëkatet” e prindërve. Përkundrejt ëndrrës së Pjetrit për një djalë “sy kaltër”, vdekja e tij në pyll (e dyshimtë) e lë Daizën vetëm me një të ardhme të pasigurt. Fundi i Pjetrit është i papritur (në dyshim midis vetëvrasjes dhe vrasjes politike) dhe shton një shtresë misteri dhe dhimbjeje, duke e lënë lexuesin me pyetje të hapura. Autori e lë qëllimisht të paqartë se a u vetëvra Pjetri apo e “eliminuan” autoritetet. Detaji i syrit të hapur të Pjetrit në arkivol (pa shprehje frike) sugjeron një vdekje prej të tjerëve. Në këtë tregim, Stani përdor një gjuhë të pasur dhe figurative, me përshkrime të gjalla të natyrës dhe emocioneve të personazheve. Është gjuha ajo që balancon bukurinë lirike me ashpërsinë e realitetit.
Për fund, në këtë libër, Stani ngre një mur në kufirin midis njeriut dhe botës: personazhet luftojnë për të shpëtuar vetveten, ndërsa shoqëria i mbyll në një rreth vicioz ku çdo përpjekje për liri shndërrohet në iluzion.
“Kohë për nuse” është botuar nga Botimet Fishta.
ObserverKult
Lexo edhe:
ALBANA BEQIRI: KUJTESA QË NUK VDES: ANATOMIA ARTISTIKE E NJË TIRANIE






