Anila Kruti: Mos e merr të lehtë një grua që lexon…

anila kruti një grua që

Mos e merr të lehtë
një grua që lexon.
Që hedh hapa dhe hap dritare.
Që kujdeset të zbukurojë shpirtin
me orët e mëngjesit
dhe muzgjet e mbrëmjeve.
Që njeh mirë peshën e fjalës.
Që puthet me blerimin
dhe mahnitet nga bardhësia.
Që fle në pragun e stinëve
dhe ngrihet në lotët e shiut.
Mos e merr të lehtë
një grua
që qesh bukur edhe përlotet
për një syçelur gjethesh.
Që ngrihet pas një tragjedie shpirti.
Që ngjyroset me dritë dhe gatuan poezi.
Mos e merr të lehtë një grua
që di mirë ç’është seksi, orgazma, dashuria,
drithërima, vetmia, dhimbja, vdekja,
ferri i mungesës,
parajsa e përqafimit.
Mos e merr të lehtë
një grua
që mban brenda vetes
erën, shiun, stuhinë
diellin.
Mos e merr te lehtë një grua
që ecën pak dhe vrapon shumë,
që flet pak dhe thotë shumë.
Një grua të tillë
e ka bekuar Zoti.
Humbe, po deshe…

ObserverKult

_______________________

Lexo edhe:

ZHULIANA JORGANXHI: N’ËNDËRR M’U SHFAQE MBRËMË

zhuliana jorganxhi një grua që

N’ëndërr m’u shfaqe mbrëmë
U zgjova e mbytur në lot.
Pas xhamash një shi i rëndë,
më dysh kish ndarë kët’ botë.

Binte shi, binte shi!
Oh, ç’ëndrra shikoje ti?
Si u ndamë kështu të dy
mos takohemi as me sy?

Të trokas dua, të trokas!
Këtë heshtje ah, ta vras!
Shpriti im rri kallkanosur
Ky trishtim nuk ka të sosur.

Hapja portën dashurisë!
Bëji strehë qetësisë!
Të dëgjoj dhe njëherë tek thua:
“Të dua, të dua, të dua!”

1977