Një kryevepër studimore për kryemjeshtrin e pikturës

Libri “Hyrje në metodën e Leonardo da Vinçit” i shkrimtarit, studiuesit dhe filozofit Paul Valery është një nga studimet referenciale për të gjithë ata që interesohen për krijimtarinë e piktorit më të madh të të gjitha kohëve.

“I frymëzuar nga pikturat e Da Vinçit, Valery e përshkroi atë si përbindësh të lirisë së pastër”, thotë Maurice-Merleau Ponty. Ndërsa filozofi rumun Emil Cioran e sheh këtë studim si rezultat të perfeksionit: “Hyrje në metodën e Leonardo da Vinçit“, që daton më 1894, provon se në fillimet e veta, Valery ishte perfekt dhe i pjekur si shkrimtar.
Dhe si të gjitha mendjet perfekte, ishte i kufizuar në disa tema, nga të cilat nuk hiqte dorë. Ndoshta ngaqë ishte në konflikt me vetveten, me kufijtë e tij aq të dukshëm, ishte i kapluar nga fenomeni i një mendjeje universale, nga gjasa e mezidallueshme për një shumësi talentesh që lulëzojnë pa dëmtuar njëri-tjetrin dhe pa u penguar mes vete. S’kishte si të mos puqej me Leonardon”.

Në një shënim që bën Ag Apolloni për këtë libër, nënvizon kujdesin e Valerysë ndaj gjuhës dhe terminologjisë, duke e parë hulumtimin si një formë të mëkatimit të domosdoshëm: “Titulli i këtij studimi ndalet te hyrja për ta paralajmëruar metodën. Pse nuk quhet thjesht Metoda e Da Vinçit? Sepse e ka shkruar gramaticieni më i kujdesshëm i gjuhës frënge, Paul Valery. Metoda nënkupton udhën dhe cakun, ndërsa ky studim vetëm bën me gisht shtegun. Në rregull, kjo mund të jetë edhe rezultat i një modestie të tepruar të Valerysë, i cili sikur kërkon falje për shpjegimin e aktit kreativ të piktorit të tij të preferuar. Prandaj, me stilin e tij tipik thotë: kam frikë se kjo mund të shpjegohet. Është hera e parë që një studiues e ndien erën e mëkatit përtej vellos misterioze”.

Paul Valéry (1871-1945), shkrimtar dhe filozof francez, ka shkruar vepra të zhanreve të ndryshme, që kanë ushtruar ndikim te shumë shkrimtarë dhe intelektualë të mëvonshëm. Njihet për poezinë simboliste, për stilin e rafinuar, esetë filozofike dhe romanet Zoti Teste dhe Varreza detare. Studimi Hyrje në metodën e Leonardo da Vinçit është një libër ku kombinohen piktura, arkitektura, matematika, mekanika e fizika, dhe strukturohet si një skicë e filozofisë dhe estetikës së tij.

Këtë libër në gjuhën shqipe e ka sjellë përkthyesi Belgzim Kamberi, ndërsa e ka botuar Shtëpia Botuese Bard Books, në Prishtinë.

LEXO EDHE: NJË LIBËR PËR ZOTIN DHE FILMAT