(Nekrologji për këngëtarin e mirënjohur shkodran Bik Ndoja.)
Nga Bedri Zyberaj
I.
Me dt. 27 dhjetor 2015 ndërroi jetë në moshën 90-vjeçare këngëtari i shquar i muzikës popullore shkodrane që ndryshe është cilësuar edhe si bilbili i kësaj kënge, Bik Ndoja, ndërsa me dt. 28 dhjetor u bë varrimi i tij në qytetin e Shkodrës.
Ai, përgjatë gjithë gjysmës së dytë të shekullit të kaluar ishte njëri ndër emrat më të shquar të muzikës popullore shqiptare në përgjithësi dhe ishte njëri ndër solistët më të dashur për shqiptarët gjithandej trojeve të tyre etnike.
Bik Ndoja, Florinda Gjergji, Ibrahim Tukiçi, Naile Hoxha, Shyqyri Alushi, Violeta Zefi, Shpresa Rranxa etj., ishin emrat që me interpretimin e tyre ngjallnin emocione të veçanta dhe qonin peshë zemrat e publikut artdashës, kudo dhe kurdo që dilnin para spektatorëve dhe telespektatorëve e dëgjuesve të radios.
Edhe më të forta emocionet e përjetimit të muzikës së tyre bëheshin atëherë kur na krijohej mundësia që të ishim spektatorë të koncerteve të tyre, në të cilat interpretohej muzikë e gjallë që në gjuhën e sotme emërtohet me një term të huaj – live.
Një mundësi e tillë mu dha dhe mua para më shumë se 35 vjetësh. Tani nuk e kujtoj dot saktësisht datën, por e di që mund të ketë qenë fundi i shtatorit apo fillimi i tetorit të vitit 1980, kur unë isha nxënës i klasës së II në Shkollën e mesme në Rahovec. Në njërën nga ato ditë të asaj vjeshte tek-tuk, nëpër disa pika të qytetit, pamë të ishin vendosur disa pllakate në të cilat shkruhej se të hënën (këtë e mbaj mend mirë), në shtëpinë e kulturës së qytetit do të epeshin dy koncerte radhazi nga Grupi popullor i Radio Shkodrës. Aty ishin dhe emrat e solistëve të sipërpërmendur dhe të ndonjë tjetri, të cilët unë i njihja përmes televizionit.
Dëshira për ta parë koncertin ishte shumë e madhe, por mundësitë e kufizuara, sepse aty mund të hynin vetëm publik i zgjedhur që duhej të vinin përmes organizatave të ndryshme të punës dhe institucioneve tjera. Pra, jo të gjithë mund të hynin për ta parë dhe për ta shijuar Koncertin.
Unë vendosa të bëja çmos për të hyrë.
Përmes një miku të babait tim (Hysen Haskës) që punonte në Kombinatin PIRO të Rahovecit, arrita ta siguroja biletën për të hyrë në Koncert. Kur më dha biletën, Hyseni që ishte vëllai i mësuesit të parë të babait tim (Ali Haskës) dhe që miqësia e tyre zinte fill pikërisht mbi këtë lidhje, më porositi që kjo gjë (sigurimi i biletës nga ai për mua) të ngelej vetëm mes nesh e të mos e mësonte askush, ngase nuk lejohej dhe ishte me rrezik për të.
Unë iu zotova për atë që kërkonte ai dhe i premtova se me asnjë çmim nuk do ta tregoja.
II.
Unë duhej të hyja në Koncertin e parë dhe vendi im sipas biletës ishte në katin e dytë – në rreshtin e parë, në ballkon, ulësja e tretë e anës së djathtë.
Këngëtarët dilnin sipas programit dhe interpretonin me një pasion të paparë. Dueti Ndoja – Alushi, në atë turne nëpër Kosovë e interpretuan, me sa di unë për herë të parë, këngën ,,Ushton Gryka e Kaçanikut”.
Pozicioni që merrnin ata me këmbë disi të ngulitura fuqishëm krijonin imazhin e statujave të lidhura fort për tokën ku po qëndronin që edhe po të doje nuk i shqitje dot që andej. Vokali karakteristik dhe fuqia e tij, hedhja e duarve herë pas here prapa veshit sikur të këndonin këngë majëkrahut, u jepnin atyre pamje epike dhe spektatoret (sado të përzgjedhur për të qenë nën kontroll) nuk përmbaheshin por shpërthenin me ovacione. Kjo sidomos me ndodhte mua që isha i ri dhe mbaj mend që pothuaj gjatë gjithë kohës kam qëndruar në këmbë duke duartrokitur dhe fërshëllyer.
Me bëhej zemra mal, dhe më dukej si në ëndërr në të njëjtën kohë që Bik Ndojen, Shyqyri Alushin, Violeta Zefin, Ibrahim Tukiçin, Sali Manin që i kisha parë vetëm në TV, tani i kisha aq afër. Atë botë unë isha vetëm 17 vjeç dhe përveç pasionit për muzikën, dashurisë për pjesën e ndaluar që na mohohej ta preknim nga afër dhe artit që më ngazëllente, më shquante dhe vrulli i të riut.
Nuk kishte asnjë këngë që interpretohej e të mos kërkohej për ta përsëritur ose për t’ia shtuar dhe një tjetër asaj që ishte kënduar.
Kështu kishte shkuar deri në fund.
Entuziazmit tonë ata i përgjigjeshin me përshëndetje shumë të ngrohta.
Një atmosferë e tillë e përshkoi gjithë Koncertin.
Fillim e mbarim ishte e njëjta gjë.
Kur erdhi mbaroi koncerti, filluam të dilnim dhe unë kur zbrita poshtë, në korridor të Sallës kryesore takova disa moshatar të mit me të cilët shkonim bashkë në Shkollë dhe i entuziazmuar u thash që të bënin çmos e të hynin për ta parë koncertin e dytë që do të jepej pas një pushimi.
-Nëse nuk mund të hyni përmes portës, provoni të hyni përmes dritareve ose përmes kulmit (çatisë)! – i nxita moshatarët e mi.
Në atë çast më ra në sy se porta e sallës kryesore ishte e hapur dhe në thellësi të saj, në tribunë, po jepnin e merrnin njëri me tjetrin solistët bashkë me pjesën tjetër të grupit.
Pa një pa dy, shfrytëzova rastin që të përvidhesha dhe u futa brenda.
Shokët (Nezati, Osmani, kanë qenë dhe nja dy të tjerë) filluan të vinin pas meje. Por, kur unë veç arrita t’i jap dorën Shyqyri Alushit, një punonjës i shtëpisë së kulturës u zuri pritën shokëve të mi dhe i nxori jashtë menjëherë.
E merrja me mend se diçka të tillë donin të bënin dhe me mua, por nuk e bënin dot se unë tani më i isha bashkuar Grupit shkodran.
Pas Shyqyriut u përshëndeta me Bik Ndojën dhe u ulëm në radhën e parë.
Ndoja ishte në të djathtë time ndërsa Alushi në të majtë. Unë isha në mes tyre dhe kisha shtrirë krahët mbi supet e tyre.
Njerëzit e sigurimit shtetëror jugosllav u alarmuan.
Ata nuk më njihnin dhe vini e kalonin herë njëri e herë tjetri para nesh. Parakalimi i tyre m’i ngjante një sfilate mode neveritëse.
Për të parë më mirë se kush isha, na shikonin më gjatë se zakonisht dhe përpiqeshin të dukeshin miqësor duke ua dhuruar nga një përshëndetje dy këngëtarëve.
Ata për mua ishin disa të njohur e disa të panjohur. Nga të njohurit ishte edhe një profesoreshë që atë botë manifestonte një devocion më të madh ndaj Jugosllavisë dhe sistemit të saj. Të tillë e kishte dhe familjen. Vëllai i saj ishte kryetar i Komitetit Komunal, ndërsa motra aktiviste e shquar. Tani dhe kjo synonte të kapte hapin e tyre. Për habinë time, ata kishin mbiemrin Bugari. Arsyen se pse kishin atë mbiemër as sot e kësaj dite nuk kam arritur ta mësoj dhe nuk e di.
Ndërsa sa u përket atyre që për mua ishin të panjohur, nuk kaloi shumë kohë dhe e kuptova fare mire se kush ishin.
Me Bik Ndojen dhe Shyqyri Alushin (unë pavarësisht që aty ishin dhe të tjerë këngëtarë, gjatë asaj ore bisedova vetëm me këta dy) qëndrova diç më shumë se një orë.
Bisedën fillimisht e bëmë me ato pyetje përgjigjet e zakonshme. Pastaj më pyetën se çfarë nxënësi isha, më porositën që të mësoja, me se merrej familja ime, dhe kah fundi u tregova se një vit më parë unë së bashku me një moshatar timin (Osman Zyberajn) e kishim shqyer flamurin jugosllav të cilin zyrtarët e kishin vënë në lokalet e Zyrës së Vendit, në fshatin tim ku jetoja në Drenoc, me rastin e 29 nëntorit – Ditës së Republikës së Jugosllavisë që ishte festa më e rëndësishme zyrtare në këtë vend.
Kur u tregova për këtë më këshilluan që si unë ashtu dhe shokët e mi të kishim kujdes.
Në fund u ndamë. Sapo dola, mua më arrestuan menjëherë. I pari që më mori ishte Emin Abazibra, që në vitin 1999 serbët i kanë masakruar atë dhe gjithë familjen e tij.
Më dërguan në stacionin e milicisë të qytetit të Rahovecit. Nga sheshi, para shtëpisë së kulturës, deri në stacionin e milicisë, me dërgoi me makinë i shoqëruar edhe nga njëfarë Bakiqi, një polic i rrethit të Prishtinës. Ishte ky Mustafë Kllokoqi i cili, për koincidencë, do të qëllojë përsëri na stacionin e policisë Nr. 1 të Prishtinës, kur do të më arrestojnë policia e UNMIK-ut, me 25 tetor 2006 si ish-epror i UÇK-së për kinse krime të luftës.
Ai tani kishte ndryshuar. Nga milici i dikurshëm ishte bëre polic i Shërbimit policor të Kosovës(SHPK-së), ndërsa unë kisha ngelur pothuaj i njëjti.
I përhershmi për t’u burgosur.
Aty ku më dërgoi ai atëherë në Rahovec, operonte edhe sigurimi i shtetit. Kur më quan atje më hoqën çdo gjë që mund të paraqiste rrezik dhe më plasën në birucë. Ishte një dhomë e vogël dhe e errët. Tanimë kishte rënë terri dhe drita nuk depërtonte dot as nga ajo dritarez e vogël që ndodhej shumë lartë.
Pas një kohe aty erdhi me furi dhe me të shara një njeri që për herë të parë e pashë derisa isha me Bik Ndojën dhe pastaj e pash dhe në shesh të thithte cigaren kur më nxorën për të më quar në stacion të milicisë.
– Ky është dëgjova t’i thoshte tjetrit për mua, me të cilin po qëndronin mes turmës së njerëzve që prisnin të futeshin brenda për koncertin e dytë.
U fut brenda me rrapëllima të shumta dhe filloi të më godiste me duar dhe shqelma. Më pyeste me retorizëm se kush isha unë që kisha hyrë të takohesha me ata të Shqipërisë. Kërkonte të dinte se çfarë u kam thënë dhe çfarë më kishin thënë.
Nuk e zgjati shumë, por më kërcënoi që të mendoja mire dhe t’i kujtoja të gjitha ato që kemi biseduar dhe kur të vinte herën tjetër t’i tregoja fije e për pe. Ndryshe do ta pësoja keq. Më tha se tani i duhej të shkonte, por prapë do të vinte atë natë.
Dikur, kah mesnata, erdhi kujdestari dhe më hapi derën e qelisë. Më urdhëroi t’i shkoja pas. Ngjitëm dy kate dhe ende pa shkuar në fund të korridorit të katit të tretë, hapi portën e një zyre në anën e djathtë. Unë hyra brenda dhe milici që më shoqëroi deri aty e mbylli derën nga prapa. Tre njerëz në moshë të pjekur, pamja e të cilëve të jepte përshtypjen e njerëzve të rafinuar dhe të mbajtur mirë. Kjo dukej sidomos te njëri prej tyre që unë e njihja se cili ishte. Ai ishte Ceroviqi një figurë e rëndësishme e sigurimit shtetëror e publik në të gjitha kohërat. Tjetrin që ishte me të e kisha parë në sallë, ndërsa të tretin nuk më kujtohej dhe nuk e njihja.
Kur mbeta vetëm, pa policin që më solli deri aty, Ceroviqi me një finesë përmbajtjeje, më tha:
– Hajde Drenovc! I kishin marr të dhënat prej nga isha nga kujdestaria që i kishte shënuar ato kur më kishin arrestuar.
– Hajde patriot! – ia priti ai që e kisha parë në sallë dhe që kishte pamjen e atyre agjentëve që rëndom i shinim nëpër filma. Ishte burrë i plotë. Mbante republikë në kokë dhe kishte të veshur një pallto të zezë. Fytyrën e kishte paksa të zgjatur dhe pak mustaqe të mprehta që dukej se i mbante me qëllim që t’i epte karakter burrëror fytyrës së tij dhe të vinte në pah seriozitetin e duhur.
I treti nuk foli fare.
Unë, pas atyre të rënave që më kishte dhenë, nuk mund të them se nuk kisha zënë të frikësohesha.
Prandaj dhe disi me ndrojtje iu përgjigja:
– Nuk kam bërë as një gjë për të qenë patriot.
– Ke nejte me ata të Shipnies!
– Ata janë këngëtarë dhe unë kam hy t’i takoj si këngëtarë.
– Këngëtarë!? Hë! Edhe unë mund të shkoj andej dhe t’i bie një cirilaku (fyellit i thuhet cirilak kur duam të shprehemi me përbuzje për të). Lej këto tani e hajde na trego se çka keni biseduar! – më urdhëroi.
Unë fillova dhe u rrëfeja në pika të shkurtra ato që kisha biseduar dhe që mendoja dhe gjykoja se nuk ishin me rrezik. Fola sa fola, por rrëfimi im nuk shkonte përtej 10-15 minutave. Burri me mustaqe që kishte orën në dorë për të mat kohën sa po flisja nuk ishte i kënaqur.
– Aty ke bisedu ma shumë se një orë e këtu po na flet vetëm 10 minuta. Hajde trego edhe pjesën tjetër. Trego më mirë se ne i dimë të gjitha.
Për të më bindur se i dinin të gjitha filloi të më tregonte se ku kisha qenë i ulur gjatë koncertit, në cilin rresht, në cilën ulëse dhe se më kishin parë që pothuaj gjatë gjithë kohës unë kisha qëndruar në këmbë duke duartrokitur e fërshëllyer.
Të them të drejtën, vërtetë ajo ditë ka qenë momenti i parë dhe i vetëm që unë kam duartrokitur shumë. Kam duartrokitur aq shumë saqë kur kam dal nga koncerti më dukej sikur duart më ishin ënjtur paksa. Kjo më dukej ngaqë kishin marr një temperaturë më të madhe se zakonisht.
– Po biletën si e sigurove për të hyrë brenda? – doli atje ku kishte pritur se mund të del ndokush ai që ma kishte dhënë.
– E kam blerë nga një i panjohur në shesh – iu përgjigja unë pa e thënë të vërtetën.
– Sa e ke bler?
– 100 dinarë (çmimi real i biletës ishte 60 dinarë, dhe po me këtë çmim e kisha blerë)
– Ëëëë! Qenke pasanik ti!
– Nuk jam pasanik por më pëlqen muzika dhe kam dëshirë të takoj këngëtarët. Kur ishte ,,Jehona” (Jehona ishte emri i Shoqërisë Kulturore artistike të Suharekës) kam takuar dhe Refki Reshitajn (edhe ky një këngëtar).
Kur e zura në gojë këtë emër, i njëjti nxori me një mllef një të sharë të ulët dhe na barazoi të gjithë:
– Të gjithë njësoj jeni ju!
Unë heshta. Instinkti më thoshte se nuk ishte në të mirën time të thosha ndonjë fjalë në atë moment.
– Çfarë nxënësi je?
– I shkëlqyeshëm.
– Ju të shkëlqyeshmit po i pshurrni qushijat (qershiat)!
Prapë heshta.
Më në fund, më tha se po më lëshonin të shkoja në shtëpi. Ishte ora dy pas mesit të natës. Por më shkroi një ftesë që në mëngjes herët të shkoja në Prizren, në Sekretariatin e punëve të Brendshme (SPB), në zyre te Vesel Krasniqi. Unë nuk e njihja kush ishte ky Veseli dhe as që kisha dëgjuar. Por të them të drejtën ky njeriu me pamje të rëndë e me pak mustaqe mu ngulit në kokë si njeri i tmerrshëm.
Gjatë gjithë kësaj kohe, Ceroviqi, përpos atyre dy-tri fjalëve që tha në fillim nuk foli asnjëherë. Si duket ishte i kënaqur me angazhimin e tjetrit dhe ai po bënte detyrën e monitoruesit. Ama dhe tjetri dukej se po përpiqej të dëshmohej sa më i devotshëm në detyrën që po bënte.
III.
Të nesërmen i shoqëruar nga babai im dhe xhaxhai shkuam në Prizren. Kur arritëm në SPB, te hyrja kryesore pash atë njeriun e një nate më parë që më kishte sharë mua dhe shumëkë e shumëçka tjetër. I tregova babait dhe xhaxhait. Unë shkova ngadalë afër sepse tani e kisha kohën që të lajmërohesha te Vesel Krasniqi.
Kur iu afrova më pyeti:
– Hë erdhe?
– Po. – i thash fare shkurt.
– Ku e ka zyrën Vesel Krasniqi që duhet t’i lajmërohem sipas porosisë tuaj?
– Unë jam Vesel Krasniqi. Me paske harruar kaq shpejt?
– Jo. Nuk të kam harruar por nuk e dija se ti je ai. Kam menduar se duhet të jetë një tjetër.
– Tani, ti ktheu prape në shtëpi dhe të enjten eja në stacionin e milicisë në Rahovec se mua më duhet të shkojë për Pejë, për një rast tjetër.
Unë nuk kisha se ç’të bëja tjetër. U kthyem të tretë.
Te enjten shkova përsëri, por tani në pyetje me mori ai personi i tretë që atë natë nuk foli fare. Edhe atij tani ia mësova emrin. Kishte qenë Daut Morina.
Bik Ndoja dhe Grupi popullor i Radio Shkodrës tani kishin shkuar në qytete të tjera të Kosovës dhe kur do ta përfundonin turneun do të ktheheshin në Shkodër. Edhe në qytete tjera sigurisht po takonin njerëz të tjerë si unë. Me zërin e tij ai po mbillte kujtimet e kësaj jete disa prej të cilave janë dhe këto që i rrëfeva në këtë shkrim.
Ai dhe kolegët e tij po mbillnin emocione të bukura, ndërsa pala tjetër ku bënin pjesë dhe Vesel Krasniqi nga Drenoci i Malishevës dhe Daut Morina nga Ballacerka e Rahovecit si dhe të tjerët si këta punëtorë të sigurimit shtetëror jugosllav nuk po përmbaheshin nga pasioni për të dëshmuar besnikëri dhe përkushtim ndaj detyrës që po kryenin.
Unë isha me fat që e takova Bik Ndojën dhe të tjerët në atë kohë. Pa çka se ky takim më solli ca telashe. Më mirë që ndodhi kështu se sa të mos e takoja atë mjeshtër të madh që kishte ardhur jo të na argëtonte por të na sillte vlerat e këngës së bukur shkodrane. Prandaj, dhe po i bëjë këtë shkrim nekrologjik duke u përpjekur sadopak që të shpreh dhembjen time për këtë artist të rrallë dhe përmes tij t’i ngushëlloj familjarët, miqtë, kolegët e tij dhe gjithë të tjerët që e kanë njohur dhe e kanë dashur bilbilin e muzikës popullore shkodrane – Bik Ndojen. Bik Ndojen që me aq përkushtim dhe pasion u këndoi Oso Kukës e Idriz Seferit, Kalasë së Shkodrës e Ded Gjo Lulit e sa e sa këngë tjera me motive lirike për të bukuren dhe dashurinë.
Jaret shkodrane të kënduara nga ai do të ngelen përherë thesari i kulturës sonë popullore.
Lamtumirë mbreti i jareve!
U prehtë në paqe shpirti i yt!
ObserverKult
Lexo edhe:
BIK NDOJA: SI DUKAT I VOGËL JE, HAJDE SHPIRTO RRI ME NE…(TEKSTI DHE KËNGA)