(Orjela Stafasani, Metamorfoza e autorit, Bard Books, Prishtinë, 2020, 360 faqe)
Libri Metamorfoza e autorit është një studim analitik, komparativ dhe intertekstual i tre romaneve të Vath Koreshit: Haxhiu i Frakullës, Ulku dhe Uilli, Një grua me të verdha në pyllin e Buddha-s. Ky libër synon të kalojë nga një paraqitje gjenerale e krijimtarisë së Koreshit, në një analizë të detajuar të tre romaneve të sipërpërmendur. Krijimtaria e Vath Koreshit shtrihet në dy etapa të ndryshme politike (komunizëm – demokraci) dhe në dy etapa të ndryshme letrare (realizëm socialist – letërsi postkomuniste). “Qasja mbi romanin, si forma më e komplikuar dhe më e elaboruar e ligjërimit letrar, mbetet një ndër rrugët më të vështira të ndjekura nga një kritik a historian letërsie. Dhe Orjela Stafasani e përshkon me sukses këtë rrugë, duke përdorur të gjithë instrumentet e kësaj teknologjie të vështirë”, thotë studiuesi i artit dhe letërsisë, Dr. Stefan Çapaliku. Ndërsa studiuesi tjetër i letërsisë shqipe, Dr. Arben Prendi, e sheh këtë studim si një model të qasjes ndaj teksteve letrare: “Në këtë studim, përmes analizave dhe interpretimeve teoriko-kritike është bërë objekt vepra letrare e shkrimtarit Vath Koreshi në relacion me veten, me procesin letrar shqiptar të gjysmës së dytë të shekullit XX dhe fillimit të shekullit XXI, por edhe me kryevepra letrare botërore. Në rrafshin e relacionit të kësaj vepre me veten, studiuesja arrin në përfundimin se arritjet më të rëndësishme letrare të autorit i gjejmë në romanet Haxhiu i Frakullës, Ulku dhe Uilli dhe Një grua me të verdha në pyllin e Buddha-s; në rrafshin e relacionit me procesin letrar shqiptar vihet në dukje se këto arritje përkojnë kryesisht me shkëputjen apo shmangien nga realizmi socialist; ndërsa në rrafshin e relacionit me kryevepra letrare botërore, kemi hapjen e kësaj vepre ndaj përvojave të letërsisë evropiane. Te kjo e fundit studiuesja ka parashtruar lidhjet e këtyre romaneve me elemente të letërsisë moderne dhe postmoderne, duke veçuar se romani Ulku dhe Uilli është romani më përfaqësues i këtij autori dhe një ndër përfaqësuesit e dukurisë postmoderne në romanin shqiptar të pas vitit 1990. Ndërkohë, duke u mbështetur në modelet e kritikës dhe teorive letrare moderne e postmoderne, studiuesja Orjela Stafasani na ka dhënë një vepër studimore me vlerë, veçanërisht sa i përket autorit të bërë objekt studimi, por edhe mënyrës se si mund t’i qasemi tashmë veprës letrare shqiptare duke u nisur së pari nga teksti letrar dhe vlera e tij e njëmendtë estetike. Në këtë studim përvijohen edhe veçori e tipare të vetë letërsisë shqiptare bashkëkohore”.
Dr. OrjelaStafasani është studiuese dhe përkthyese e letërsisë. Ka kryer studimet bachelor dhe master për letërsi në Universitetin e Tiranës, dhe studimet master për Projektim dhe Menaxhim të Multimedias për Komunikim në Universitetin e Torinos, në Itali. Në vitin 2018 ka doktoruar për letërsi në Akademinë e Studimeve Albanologjike, në Tiranë. Ka përkthyer në gjuhën shqipe vepra të shkrimtarëve të njohur botërorë si: Unamuno, Lorca, Pirandello, Pavese, Borges, Sabato, Vargas Llosa etj.
LEXO EDHE: NJË KRYEVEPËR STUDIMORE PËR KRYEMJESHTRIN E PIKTURËS