Kur bie tërmet…, të del para The Waste Land, dhe kërkimi i madh i Graalit të Shenjtë, dhe trishtimi të mbulon i pandalshëm, sepse ke ndërgjegje për gjithçka.
Loer Kume
Prilli është muaji më mizor. Prilli është i thyer. Prilli është muaj i vdekjes. Thomas Stern Eliot shkroi paraprakisht vdekjen e Kurt Cobain.
Të thyesh kitara. Të shkatërrosh skenën. Ose të përplasësh gjëra e t’i thyesh në copa, pas murit ose me shkelma. Në parim është e njëjta gjë.
Në fillim të prillit bëra vaksinën e Covid. Nuk di, për shkak të vaksinës, a për shkak të gjërave të jetës që të ngjeshen e palosen mbi supe, për tre-katër ditë, në një mënyrë të pashpjegueshme, përjetova pushtimin e një mërzie të madhe, një vorbull e errët, e pandalshme, që të çon thellë e më thellë, e ku asgjë më s’ka rëndësi, askënd nuk do të shohësh, nuk do të dish ç’bëhet në botë, dhe asgjë më shumë.
Në fillim të prillit, që nga ’94, çdo vit, fiks në 6 prill, Cobain merr heroinën që i takon, e në një vorbull të pandalshme që të çon thellë e më thellë, mbyllet në shtëpinë e tij dhe ia fut vetes me shotgun, duke e çliruar kokën e tij nga mendja (e cila, nëse nisemi nga një sugjerim i Bergson, është sfinkter i universit për njeriun).
Kështu, Cobain iku në univers, duke jetuar përjetësisht, e duke vrarë veten përjetësisht në Prill, pa nevojën e një shqiponje që t’i hajë mëlçinë.
Cobain ishte kuintesenca e kohës, gjeniu që sintetizoi tërë çka përmbanin vitet 90’, me muzikën rock; një gjeni sintetik, urban, lirik, me poezitë tallëse, me humor, të errëta, pa dalje, pa arsye, vargje metaforike. Me vuajtjen dhe çjerrjen e rebelimit të tëra në një zë. Ironik, i ndjeshëm, poetik, rebel, inteligjent, të tëra në një njeri. Dalja e Nevermind në dritë, sërish në prill 24, të ’91, ndryshoi njëherë e përgjithmonë muzikën dhe botën. Duke bartur në mënyrë viscerale gjithë energjinë e paçliruar, dilemat e dyshimet, filozofinë dhe shpirtin e një brezi.
Gjithçka tjetër u eklipsua në fushën e pafund muzikore (dhe po flasim për ‘91, një nga vitet më të çmuara në historinë e muzikës, ku muzika e mirë derdhej nga kupa e kthehej në një lumë të pandalshëm).
Zeitgeist-i i viteve ‘90 që ndikoi gjithë ç’vinte pas, fryma e një lufte të paluftë, një luftë me asgjënë e madhe, më rezonon frikshëm në histori pikërisht me Tokën e Shkretë, Tokën e çuar Dëm, Tokën e Humbur.
Një gjeni tjetër, që nga spitali psikiatrik i shtruar për krizat nervore të tij, lëshon mbi botë “The Waste Land”. Nga ai moment, poezia, ndjeshmëria krijuese nuk ishte më e njëjta. Modernizmi njëkohësisht rilindi, lindi, dhe arriti maturinë e tij më të lartë, duke pushtuar lehtë Europën, e pastaj Botën. Një poemë për të cilën Ezra Pound tha, “përfundimisht, Eliot me një poemë na bëri të mbyllim dyqanet”.
Eliot, me një përzierje të miteve të Graalit të Shenjtë, Mbretit Peshkatar, Dantes, Shekspirit, përzier me urbanizmin e Anglisë, me Vedat indiane, me shkrimet sanskrite, një lëmsh i madh kulturash e botësh, të transpozuara në botën tonë, atë të 1922. The Waste Land ngërthen ankthin njerëzor, i mbledhur mbi supet e njeriut të pas Luftës I, dhe të pre-Luftës II.
Të njëjtin ankth, trishtim, që përmbajnë këngët e Nirvana, të njëjtin spin nevrik, që përmban thyerja e skenës, të njëjtin spin nevrik që përmban thyerja e një gjëje pas murit e me shkelma në vrullin e një mërzie të madhe me botën, si një vorbull e pandalshme që të shpie thellë e më thellë.
Kur kam lexuar për herë të parë T.S. Eliot, mendoja se do mrekullohesha. Por nuk kuptova asgjë. E gjykova modernizmin si një modë e kohës, ku bëje pastiçe me gjithçka që gjeje në shportën e kulturës tënde dhe krijoje diçka të re. Eliot e Joyce kanë bërë pak a shumë të dy të njëjtën gjë në letërsi atë kohë.
Kur kam dëgjuar për herë të parë Nirvana, isha ende i vogël, veshët morën thjesht zhurmë dhe m’u dukën qesharakë. Kur Cobain vrau veten në ‘94, unë isha në klasë të tretë, e ndërsa vajzat e klasave të larta qanin ose pseudoqanin, kur nëpër tabelat e zeza shkruhej Nirvana, apo ‘I hate myself and I want to die’, sigurisht nuhasja sforcimin dhe modën.
Më pas, dalja nga fëmijëria, rritja, është saktë momenti kur bota të rrezaton me përmbajtjen e saj, e të shenjon me trishtimin e madh të etjes, urisë, qëllimeve, arritjeve, egoizmit, spinit për të mbijetuar, jetuar dhe fituar.
Dhe frika e madhe, se një ditë do vdesësh. Këtu nisin Nirvana, dhe mbaron fëmijëria, një ankesë e madhe për daljen nga pelenat e rehatshme.
Kur bie tërmet, kur ngelesh pa shtëpi, kur gjendesh një moment nën qiellin e lirë, të pafund e pa rrugëdalje, kur të derdhet mbi shpinë një pandemi e nuk di ku të fshihesh, aty i mbyllur, të del para The Waste Land, dhe kërkimi i madh i Graalit të Shenjtë, dhe trishtimi të mbulon i pandalshëm, sepse ke ndërgjegje për gjithçka.
Pastaj vazhdon sërish ritmin, i harron të tëra, futesh në rrjedhën e skemave të jetës, lufton, ngrihesh, ringrihesh, ecën përpara, fiton, humb, dhe sërish në lojën e jetës, harrohesh.
Në dy kapitujt e fundit të “Histori e shkurtër e rrëmujës”, kam shkruar disa nga faqet më të forta e më të rënda që kam shkruar deri tani, pikërisht duke dëgjuar Nirvana si i hipur në një dallgë trishtimi të egër e përplasës.
Kam kaluar disa nga momentet më të vështira duke u endur nëpër poezi, e pikërisht nëpër poemën e madhe të T.S. Eliot. Aty ku ulesh në prespektivën e një toke të harruar, shkatërruar, humbur, dhe sheh se si prilli i mrekullueshëm ku bota hapet prapë dhe natyra rilind, farat çelin, njerëzit ndërrojnë gjakun, dhe ekspozohen ndaj të dashurit, sheh se ky prill të duket i tmerrshëm.
Kam jetuar nëpër Burial of the dead, A game of chess, The fire sermon, Death by water, What the thunder said, shpesh pa kuptuar çfarë thotë, shpesh duke e paragjykuar për një pozicion hiperintelektual, shpesh duke hapur referenca, shpjegime, fjalorë, por, sa herë hiqja dorë nga tërë pikëpyetjet dhe shpjegimet, endesha në një klimë melankolie, trishtimi, mërzie, të llojit të humbur prej nesh sapo mbaron adoleshenca dhe fillon rritja dhe lufta, dhe që burimin e ka, si thashë më sipër, saktësisht te humbja e fëmijërisë.
T.S. Eliot pikon e rrjedh të njëjtat ndjenja si tekstet e Cobain – përhumbje, nerv, kërkim.
Dhe këtu vijmë te Frances Farmer. Aktorja e famshme e viteve ’30 – ‘40, u trajtua me ilaçe për depresionin, skicofreninë, pa u vërtetuar kurrë që ishte e sëmurë, por thjesht në bazë të sjelljes së saj ekstravagante. E mbyllën në spital psikiatrik, dhe legjenda urbane thotë që e nënshtruan ndaj operacionit kafshëror të lobotomisë. Pra të dëmtimit fizik të lobit prefrontal. Nuk ka fakte që kjo të ketë ndodhur vërtet, por legjenda e Frances Farmer prodhoi këngë, filma, dhe një frymë. Farmer u kthye në simbol. Subkoshienca kolektive ndjeu diçka të fortë, të egër, të tmerrshme, tragjike në figurën dhe fatin e saj. Dhe tërë këtë sintezë e jep një varg i vetëm i këngës së Nirvana – Frances Farmer will have her revenge on Seatle – “më mungon komforti i të qënit e trishtuar”.
Të qënit i trishtuar, mundësia për të ndjerë trishtim, është mundësia për t’u zhytur kohë më kohë në thellësitë e tua, të kërkosh veten, fëmijën, shpresat, humbjet, përhumbjet, ndjenjat, emocionet më të imta, kërkimin e fëmijërisë, e foshnjërisë, stadin embrional ku asgjë nuk është e shkruar e gjithçka është mundësi. Shëtitja në tokat më intime, aty ku lulet dhe farat çelin, në bulëzim, ‘In Bloom’, përpara se të bëheshim pjesë e Waste Land, ku ‘Sell the kids for food’, në tokën e djerrë. Një shëtitje e ‘he is the one who likes, all the pretty songs and he, likes to sing alone, and he, likes to shoot his gun, but he, dont know what it means’. Një vizitë në zonën tonë më instiktive. Ku kemi përballë nesh, the Waste Land, plot me sforco, luftë, sfida, ecje përpara, arritje, ambicie, dhe stacionin final, vdekjen, por të tëra këto janë jashtë nesh, e ne përkundemi në djepin e bukur të trishtimit të pafajshëm, plot me ankth të bardhë për të ardhmen.
Ndaj është e tmerrshme të humbësh mundësinë e të qënit i trishtuar, që përditshmëria jonë, rritja jonë, zmadhimi dhe pushtimi jonë i botës, nga njerëz, na kthen në makina të lobotomuara, të programuara pune dhe funksionesh, duke harruar veten, duke u tjetërsuar.
Për këtë arsye, prilli është muaji më mizor; dielli shkëlqen, gjaku ndërron, natyra shpëthen, dhe ne jemi më së shumti makina të programuara dhe detyruara.
Ndaj Eliot ka shkruar për Cobain, ndaj Cobain është çjerrë për ne. Ndaj vrau veten përballë shkretisë së Waste Land, ndaj Eliot është titanik, dhe i shkatërruar nervor. Ndaj Nirvana thyenin skenën, dhe ne thyejmë gjëra në mur, në një vorbull përthithëse thellë e më thellë.
Tmerri i vdekjes dhe i pamundësisë, fle në jetën e përditshme, si një Gilgamesh i tërbuar pa gjetur rrugëzgjidhje. Por trishtimi i rinisë fle nën tokën fertile të prillit.
Sidoqoftë, Prilli është muaji i rilindjes, i Dionisit, është një muaj i ndezur dhe i gëzueshëm, është muaji më i bukur. Sepse, “I am the king of illiterature, I am very ape, and very nice”. Sepse unë kam lindur në Prill…/Gazeta Liberale