Lulzim Haziri: Njerëzit më shumë harrojnë se kujtojnë

Foto nga Rromir Imami

Flasim përhanshëm me Lulzim Hazirin

Nga: Xhemazije Rizvani

U linda më 1962, në Reçan të Gostivarit. Poezia ime lindi nga dështimet. Me humbjen e një viti të studimeve sikur mu dha një vit i ri mundësie. I dëshpëruar dhe i lodhur nga studimi i makinerisë, nisa të lexoj prozë dhe poezi si i përhënur. Pasi mendova se u ngopa së lexuari nisa t’i kopjoj poezitë që mendoja se janë të mira. Kështu shfaqeshin, tek-tuk, edhe disa vargje të dobëta të cilat fillova t’i ndaj nga poezitë e të tjerëve. Vetëm këto vargje nisa t’i shtypi me makinën e shkrimit “Biser” të babait tim. Ishin vargjet e mia! Asnjëri nga shokët nuk humbte kohë që t’i lexonte. Parapëlqenin LP-të (long play apo pllaka të mëdha gramafoni) e mia me muzikë rock. Në ndërkohë, në orë policore në Prishtinë, një shok ma la një revole “colt” që t’ia ruaj dhe doli nga dhoma ku pinim çaj të zi.  Sa herë që vinin shokët të dëgjojmë muzikë, ua nxirrja nga një duzinë me poezi të shtypura të cilat i shtyja t’i lexojnë me revole mbi kokë. Me keq kalonin ata që dinin të shkruajnë edhe kritikë letrare. Për çdo poezi të lexuar, duhej të shkruanin një faqe recension. Kështu u binda se di të shkruaj. Botimi i tyre, çuditërish, ishte i lehtë. Pas dy viteve botimi nëpër gazeta e revista, i shtypa poezitë në katër kopje dhe me guximin e budallait, i dërgova për botim si libër. Botimi ishte edhe më i lehtë. E titullova “Ndërtimi i shtëpisë”, por redaktori, Ali Podrimja, ia ndërroi emrin në “Kënga lind në vetmi”, dhe ia dha vulën për botim në sh.b Rilindja. Ishte viti 1989.
Të tjerat janë histori 30-vjeçare që u përuruan me librin e fundit “Testament prej mëndafshi”.
Mirë e ka pasur Al Kapone kur ka thënë: Ju mund të arrini më shumë me një fjalë të mirë dhe një revole, sesa me vetëm një fjalë të mirë!

Me se ushqehet ai peshku i vetëm në akuarium?

E nxjerr nga akuariumi në një qese najloni me ujë, i lexoj letërsi të mirë (më tepër poezi), ia vë kufjet dhe i lëshoj blues, jazz, muzikë polifonike, rock muzikë, etno muzikë të vendeve të ndryshme të botës, sinteza muzikore të etnosit me rock muzikë, e shëtis nëpër botë, e uli në kafene që ka kafe ose raki të mirë, me kusht që kafeneja të ketë pamje që më pëlqen mua dhe gota gjegjëse për pijet, e mbaj pranë kur sodis në asgjë nga dritarja, ose kur sodis brenda vetes, e largoj nga shoqëria kur vërej se muhabeti është bajat, pastaj e shëtis me mua ndonjë shtegu të rrahur mirë dhe para se të mësohet në qesen me ujë, e kthej sërish në akuarium, si Bukowski që e kthente gushëkuqin e tij.

Kur dashuria harxhohet si shkumës ç’ndodh?

Atëherë zbulojmë palimpsestin e dashurisë.

Ç’ka ters në ty ?

Asgjë! Gjithçka është në rregull me mua. Vetëm nuk kam durim, ngutem dhe nuk duroj pyetjet e gjata, bisedat e gjata, sepse e nënkuptoj vazhdimin e tyre dhe kur ma zënë për të madhe pse s’kam durim t’i dëgjoj deri në fund, ua them atë çka kanë dashur ta thonë. Kjo i nevrikos edhe më shumë, sepse habiten se nga e di, pa ma thënë këtë. Ja ç’ka ters në mua!

Kush e mban botën gjallë?

Dashuria dhe kujdesi…edhe fëmijët…vetëdija në embrion se nuk kemi botë rezervë… Botën e mban gjallë edhe ndonjë poet i vetmuar që shkruan poezi që nuk e kanë këtë mision, ose rrëfimet e ndonjë fëmije për krimet e luftës që ka përjetuar. Vetëm ajo që duhej ta mbante gjallë, e bën të kundërtën – shkenca.

Nëse s’do ishe poet, kush do të ishte Lulzim Haziri?

Do të isha një bujk i mirë që ushqehet me patatet dhe domatet që i kultivon vetë, do të haja mish peshku që do ta kapja vet, do të tymosja llullën me duhanin e prerë vetë në havan dhe në pikën e zhegut do të shtrihesha nën ndonjë hije druri dhe do të flisja me gjethe, zogj e qiell.

Cilët njerëz të frymëzojnë?

Njerëzit kreativë dhe të guximshëm, ata që besojnë në ëndrra dhe në të pamundurën, si: Ikari, Skënderbeu, Nikolla Tesla, Leonardo da Vinçi, Pikaso dhe shumë ëndërrimtarë e guximtarë të tjerë.

A i ke thënë të gjitha te “Testamenti prej mëndafshi”?

Poezia përherë është e lidhur me distancën kohore dhe me sensin e kohës. Ajo është mandata dhe mandati që ia jep poezisë. Për një kohë të gjatë poezitë e para më kanë mbajtur gjallë në jetën letrare, lexuesit e miqtë m’i përmendnin dhe përktheheshin. Pas botimit të librit të fundit, “Testament prej mëndafshi”, ndjej se diçka është thyer në mua, është transformuar, diçka kam humbur nga ironia e kam fituar nga ndjeshmëria, vargu ka humb fuqinë e revoltës por ka fituar muzikalitet dhe refleksivitet. Ajo që më bën të lumtur në këtë ndryshim është se poezitë e fundit më përngjajnë mua në këtë kohë. Poezia është aftësia e përcjelljes së sensit të kohës. Me një fjalë, mund të jap poezi për aq sa më jepet kohë krijuese.

A mund ta bëjnë poetët këtë vend? Ç’do i thoshe Platonit për këtë punë?

E ka pasur gabim Platoni që u ka dhënë kaq rëndësi poetëve sa t’i shohë si një kastë e dëmshme për shtetin. Ata janë të parëndësishëm në një sistem shoqëror e politik, janë të paaftë për t’u ballafaquar me realitete. Ata, thjesht, duhet të lihen rehat ta bëjnë punën e tyre – të shkruajnë poezi!

Çka të mbush me vrer?

E kam të operuar këtë ndjenjë. Në vend të saj më kanë transplatuar ironinë dhe qesëndinë.

Përse të quajnë poet i trishtimit kur dukesh shumë i hareshëm?

I përkas gjeneratës së transformimeve të mëdha shoqërore, që ka përjetuar ndryshime sistemesh të mëdha, disa luftëra, shumë demonstrata, ekstremet sociale, ecjen mbi kohën si mbi një tel ekuilibristi, pasigurinë në punë, ekzodet, vdekjet e hershme, anarkinë e vlerave, dhe shumë padrejtësi. Mbase në shumë nga këto gjëra të trishta më ka shtyrë profesioni prej gazetari që përzgjodha. I gjendur mes profesionit dhe vokacionit (shkrimit), mbase kam arritur të bëj mirë bilancin dhe balancën, që ka rezultuar me natyrën time të hareshme. Të tjerat i fus në poezi…

Ç’do të thoshte qeni yt Çarli po të kishte gojë?

“Sa mirë që përfundova në oborrin tënd. Sa mirë që më ushqen kohë e pa kohë dhe  ma hap derën që të shëtis kah të dua vetë. Oh, sa mirë që kur kthehem, e gjej derën hapur për në shtëpinë dhe shikimin tënd të ngrohtë.”

Cili libër ka lënë vragë në ty?

S’besoj që librat mund të lënë vragë. Kur isha i ri qarkullonte miti i rrezikshmërisë së librit “Pse?”, si nxitës për të bërë vetëvrasje. Ku e lexova librin, nuk më shkonte mendja te vetëvrasja, por te vazhdimi i të kërkuarit të historive të tjera në libra të tjerë. Kështu, duke lexuar u bëra njeri tjetër, m’u hapën çakrat e mendjes, por ende nuk e kam asnjë vragë në shpirt. Ka libra që të trondisin, që krijojnë thyerje morale brenda shpirtit, të hapin dritare të reja botëkuptimesh, të bëjnë t’i duash shkrimtarët dhe t’u ngjasosh atyre. Nga këto libra do të përmendja një duzinë: “Topiku i gafores” i Henri Milerit, “Procesi” i Kafkës, “Njëqind vjet vetmi” i Markezit, “Vargjet satanike” i Ruzhdiut, romanet e Sabatos apo opusi i Huan Rulfos, novelat e Gogolit apo poezia e Brodskijt…

Më shumë janë fjalët që u thanë, apo ato që s’u thanë?

Fjalët janë i vetmi mundim i imi! Janë të pamëshirshme fjalët, ndaj edhe nuk i them lehtë. Sinqerisht, shumë më mundojnë. U druhem! Përherë mendoj se nuk e gjej fjalën e duhur. Edhe kur e shkruaj një fjalë, shpesh e ndërroj, dhe gjithçka ndërron kuptim. Mendoj se është çështje e përgjegjësisë së skajshme ndaj gjuhës. Janë si puna e përzgjedhjes së miseve. Përherë ke bindjen se e kanë zgjedhur të gabuarën. Apo si puna e patateve në treg. Qëllon që më të bukurat nga dukja mos të jenë të shijshme. A, po, fjalët e pathëna janë më shumë se një oqean kundruall prockës së fjalëve të thëna.

Ç’të mirë ka harresa? Po kujtesa?

Kam bindjen se njerëzit më shumë harrojnë se kujtojnë. Duhej të jetë e kundërta!

Cili është mësuesi më i mirë i poezisë?

Leximi! Kjo është edhe këshilla ime e vetme që ua them poetëve që kërkojnë nga unë ndonjë këshillë, e cila mendojnë se do t’ua lehtësojë punën e të shkruarit poezi. Unë jam poezitë që i kam lexuar, ndërsa poezia ime nxitet nga leximi…dhe jo vetëm.

Kur do të zhduket poezia, kush do ta zëvendësojë atë?

Nëse është shkruar kur s’ka pasur lëndë si teoria e letërsisë, libër leximi apo hyrje në semiotikë, do të shkruhet edhe pas agresionit elektronik dhe vërshimit të ikonave dhe vektorëve. Përherë do të gjendet ndonjë i përhënur që do ta sodisë hënën apo shiun dhe sakaq do të ndiejë trazim të padurueshëm dhe gjakim që ndjenjat e atyre çasteve t’ia tregojë ndonjë të panjohuri, por që e di se ekziston diku.

Pa cilët këngë nuk mundesh?

Pa ato këngë që në një ditë i dëgjoj nga disa herë dhe sërish, para gjumit, i dëgjoj me kufje dhe ashtu më merr gjumi. Ndjenja më sipërane që e përjetoj është të ëndërruarit me muzikë. Atëherë më lehtë i kap ëndrrat.

Si duket një kënd ideal i Lulit?

Një kanape, përballë vitrina me libra e sistemuar sipas një sistemi ekzakt personal, por që me kohën i prishet rendi. Poezitë e Pazit përfundojnë tek rendi ku janë Kafka apo Bulgakovi, ndërsa Orveli është ndërkallur tek rendi i Pesoas apo Kohenit, aty duhet të jetë një mjet i sofistikuar i bartjes së zërit. Një abazhur. Në sergjenin e librave janë të renditura një duzinë e orëve mekanike dhe automatike të dorës dhe xhepit. Në sergjenin mbi librat me orë, në ballë të librave, qëndron portreti i Kafkës i blerë në muzeun e tij në Pragë dhe pranë tij disa stilolapsa të bukur. Në kanape ku shtrihem janë edhe nja dy jastëkë dhe një batanije “për çdo rast” dhe dysheku me një gropëzë të vogël pranë meje, e krijuar nga prezenca e të dashurës sime.

Si duket e shkuara dhe e ardhmja e poezisë shqipe në Maqedoni?

Jo që kemi ndonjë të kaluar të lavdishme të poezisë shqipe në Maqedoni, po edhe puna që bëjmë sot nuk premton ndonjë të ardhme të lavdishme. I vetmi shpëtim është se poezia ndahet në gjuhë, e jo në territore.

Nga cilat vargje s’shpëton dot? (që t’sillen më shpesh)?

As që i njoh vargjet se cilat janë të miat. Njihem me ta kur i fus në proces krijues. Atëherë njihem me ta, përqafohemi, përlahemi, i qeshim njëri-tjetrit…ndodh edhe të lidhim pakt për t’i nxjerrë në shesh. Duhet shumë guxim për ta bërë këtë dhe të mos turpërohesh prej tyre. Jo trimëri!/ ObserverKult