Nga Mërgim Bekteshi
Mungesa e sinqeritetit shpesh ndikon që t’i ndrydhim ndjenjat, duke fshehur të kaluarën e errët, duke paraqitur para shoqërisë një tablo tjetër për veten, një lumturi të rrejshme, jo atë që na ngjau vite e dekada më parë. Kjo mungesë e këtij vullneti na shpie deri te harresa e individualitetit, familjes, shoqërisë dhe si tërësi, edhe te harresa e klithmës së atdheut. Proza është modaliteti që na mundëson të shkruajmë kujtesën, sado me dhimbje, me plagë të pashëruara që rrjedhin ende, është edhe terapi psikologjike që kujtesës ia lehtëson shtëllungat e dendura.
Pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore, botohet ditari i një vajze të mitur hebreje, Anne Frankut, ku ajo kishte përshkruar vuajtjet dhe tmerret e një populli, ditar që është edhe provë materiale për krimet e nazizmit. Ndërkaq, në vitin 2021, Shtëpia Botuese “Artini” nxori nga shtypi librin “Fëmijë në luftë” të Dafina Buçincës, që ka ngjashmëri me Anne Frankun, vetëm se autorja jonë fatmirësisht është gjallë, në mesin tonë dhe e gëzon të drejtën e mundësinë që këtë libër ta botojë edhe në gjuhë të tjera, dhe shpresojmë sa më shpejt, në mënyrë që lexuesi i huaj ta kuptojë se çfarë makthe përjetoi një komb i vogël midis Evrope, nga aparteidi deri te lufta shfarosëse.
Në romanin “Fëmijë në luftë”, ashtu siç ka thënë redaktori i tij, shkrimtari Gëzim Aliu: “Secila ngjarje e rrëfyer na jepet përmes ndërgjegjes së Dafinës së vogël, por Dafina e rritur e bën të qartë se të rrëfyerit e ndërton nga pozita-tash, dy dekada pasi ka përfunduar lufta, ashtu siç paralajmërohet në Prolog”. Pra, në këtë mënyrë, Dafina trajton ngjarje të llahtarshme që kanë ndodhur në Kosovë, që ish-pushtuesi serb, në analet veta shtetërore i konsideron fiktive apo trillime, bile shkojnë aq larg sa bëhen viktimë e luftës! Provat materiale janë gjithandej: me mijëra të vrarë e të zhdukur, varreza të stërmbushura me civilë të pafajshëm, abuzime e dhunime të grave e vashave shqiptare, fëmijë të cilët u vranë në prezencën e prindërve dhe sa ngjarje të tjera që Dafina pa me sy, tmerre që ngjajnë me holokaustin, vetëm se ky tanimë kishte ndodhur në Ballkanin e skëterrshëm.
Romani ka një rrjedhë të lexueshme, një kujdes të shtuar gjuhësor për të mos i bërë gjërat e koklavitura apo të mundimshme. I ndarë në tri pjesë, romani nis me Prologun, që vë në siklet autoren për të brumosur një materie që ishte duke qëndruar pezull në kokën e saj për dy dekada, duke i pëshpëritur në vesh sikur muza: “Më vendos në letër, çfarë pret!” Historiku i ngjarjeve fillon që nga fëmijëria e Dafinës, e cila, në vend që të shkonte në çerdhe dhe të fitonte aftësitë kognitive e psiko-motorike siç bënin fëmijët e tjerë të popujve të tjerë në ish-Jugosllavi, duhej të vuante varfërinë e familjes pas dëbimit të babait nga puna, i cili kishte refuzuar t’i nënshtrohej regjimit okupues që po suprimonte gjithë kujtesën historike të këtij vendi, Kushtetutën, duke shkelur çdo konventë të lirisë. Dafina dhe shumë e shumë fëmijë të tjerë shqiptarë në Kosovë kaluan nëpër këto skena e ngjarje të përditshmërisë së skëterrshme, por autorja ka pasur guximin dhe aftësinë të na i rrëfejë, gjë që te të tjerët duket se është i paktë, duket sikur ka munguar, njerëzit sikur kanë frikë të shpërfaqin sinqerisht jetën e tyre në atë periudhë, identitetin e tyre, gjendjen sociale, që ishte përgjithësisht e njëjtë për të gjithë, dhe ky guxim mungon jo vetëm te ish të vegjlit, fëmijët e atëhershëm, por edhe te të rriturit. Tabloja e vërtetë e historisë fëmijërore të Dafinës, plot vuajtje dhe makthe, të ngjall frikë edhe pas kaq vitesh, sepse na përkujton shumë gjëra që secili i kemi përjetuar.
Pjesa e parë e rrëfimit të saj, në vetën e parë, konkretisht jep rrethanat sociale që e shoqërojnë një fëmijë të vogël, me nja baba i cili sa mundohet të shpërfaqë dashurinë ndaj fëmijëve, po aq është i ndikuar nga mjedisi shoqëror me bazë kanunore, që kërkon burrëri edhe në çaste të ndjeshme. Në anën tjetër kemi një fëmijë inteligjent, e rritur në një mjedis me libra, por jo për moshën e saj. Për shembull, leximi i romanit “Zonja Bovari” të Floberit, për moshën e saj paraqet telash, por që te lexuesi përkthehet si koherencë apo, siç thotë redaktori i romanit, Dafina “ia ka parë ‘sherrin’ Gustav Floberit”, se ia zgjon dëshirën për t’u bërë shkrimtare, kurse në anën tjetër është dëshira e saj për t’u larguar nga jeta e vështirë prej fëmije duke u futur brenda librave. Kriza ekonomike dhe gjendja e nderë e bëjnë që të humbë kohë mes radhëve të Floberit për të gjetur sadopak strehim të përkohshëm, duke ndjekur ëndrrat e saj surrealiste. Por, libri mbaron shpejt, pas shumë herë leximesh, ajo duhet të kthehet në realitet, në peshën e gravitetit, në Zabel të Drenicës, për t’iu bashkëngjitur familjes në varfërinë që shtrihej në çdo cep, në përpjekjet për të krijuar një kohezion social sadopak të durueshëm.
Edhe në këtë roman, figura e nënës simbolizon paqen dhe dashurinë për fëmijët (Dafinën dhe të tjerët), ajo mishëron përkushtimin maksimal, mbetet e uritur dhe kafshatën e vet e jep për ta, e gatshme në çdo kohë të hidhet në zjarr, vetëm e vetëm që ata të jenë sadopak të lumtur.
Në pjesën e parë të romanit, një ngjarje paraqet një tip mësuesi të asaj kohe (jo të gjithë) që përdornin dhunën në shkolla për të arritur tek objektivat mësimore p.sh., për shkak të mospasjes së teksteve mësimore, nxënësit ndëshkoheshin me thupër.
Ngjarje tjetër është fillimi i luftës në Kosovë, në mes të armatës jugosllave dhe një guerileje që kishte filluar t’ia kallë datën asaj armate të frikshme. Guerilja përbënte një forcë me tri shkronja, UÇK, që ngjallte kureshtjen jo vetëm te të rriturit, por edhe te Dafina e vogël.
Pastaj kemi përballjen e një fëmije që të presë në radhë për ndihmat dhe burokratin që përpilon listën e gjërave esenciale duke shpërndarë edhe për ata që punët i kishin “në tel”, siç thotë populli. Kjo e shumë ngjarje të tjera janë pjesë e rritjes së një fëmije para kohe. Para se kockat e saj të formësoheshin si duhet, ajo duhet të mbajë barrën e së rriturës.
Pra, gëzimi dhe hareja nuk fillojnë për Dafinën dhe fëmijët e tjerë, lufta fillon të krijojë relacione të tjera, frika nga armiku, sulmet ndaj popullatës civile, vrasja e civilëve të pafajshëm në Likoshan, sulmi mbi familjen Jashari në Prekaz e shumë ngjarje të tjera që ajo i përjeton bashkë me të rriturit, të gjitha këto rrëfime në roman janë reale, të prekshme, akoma të freskëta, që pasohen me dëbimin nga shtëpia në Zabel të Ultë dhe strehimin në Sllatinë e Prishtinë. Kureshtja e saj për ta parë kryeqendrën kosovare dhe qytetarët e saj pa u dëbuar nga shtëpitë dhe pa aromë lufte, bulizmi në shkollë, duke e përqeshur si fëmijë nga lufta dhe që ua sjell luftën, lajmi për vdekjen e babait duke i qëndruar besnik pragut të shtëpisë, kthimi në vendlindje, kur përballën me torturat sistematike të pushtuesit, kur sofra është e shtruar me pak bukë që ndahet si kafshata e bukës së Jezusit që ndante me apostujt, pikërisht atëherë shkallmohet dera nga serbët dhe një vajzë shqiptare dhunohet në prezencën e tyre, dhe shumë e shumë rrëfime të tjera të rënda, të rrëfyra “brutalisht” siç thotë redaktori.
Me këtë roman Dafina ka sjell inovacion rrëfimi, i rrallë në letërsinë shqipe në Kosovë, dhe duhet guxim për ta hedhur në letër në këtë trajtë. Dashuria e saj për letrat shqipe, e shtyn përpara për të harruar komplekset shoqërore, për të rrëfyer me të gjitha ngjyrat, jo vetëm bardh e zi, që ngjarjet të jetë të plota, prekëse, të frikshme, por, po aq edhe për dashurinë e gjërat e tjera të jetës që shpesh fëmijës i humben në mëngjeset e robëruara të asaj kohe të errët.
LEXO EDHE: Dafina Buçinca: Vdekja nuk mund të kishte fytyrë tjetër…