Një roman me kryebashkiakë, si këta rrotull, nga një shkrimtar i kohës sonë

Nga Alfred Lela

Çfarë spikame e dallon letërsinë shqipe të pas 90-ës, nëse themi se atë të para 90-tës e zotëroi teksti dhe hija e Ismail Kadaresë ishte pyetja e një lexuesi në një takim të shkrimtarit Virgjil Muçi, i sapo kthyer nga Festivali Letrar i Mantovas në Itali, gjuhë në të cilën është përkthyer romani i tij i fundit ‘Piramida e shpirtrave’.

Përgjigjia e autorit nuk ka aq rëndësi sa vetë romani në fjalë, i cili është edhe fitues i çmimit ‘Kadare’. Te ‘Piramida e shpirtrave’, vëreni përkitjen në titull me romanin ‘Piramida’ të Kadaresë, Muçi rreket të krijojë një ‘poemë të Tranzicionit’. Nuk është rastësi që, edhe pjesa e dytë e titullit ‘shpirtrave’ takohet disi me romanin e Gogolit ‘Frymë të vdekura’. Nuk është vetëm ky përkimi: një prej personazheve e përmend novelën në dialogjet e librit të Muçit, por edhe vetë autori e pranon frymëzimin apo ‘imitimin’ nga ky tekst i rrëfimtarit të shquar rus të cilin edhe Kadare e përmend si një prej autorëve dhe romaneve që e ka ndikuar.

Pas gjithë këtyre përkitjeve ndoshta duhe bërtitur ‘urra!’ ose ‘poshtë!’, duke menduar se Virgjil Muçi ka dështuar ose ka triumfuar në guximin me një subjekt të ngjashëm me Gogolin dhe të një ‘piramide shpirtërore të kohës’ të ngjashme me të Kadarse për epokën e vet. Përkitjet mund të jenë autori, por jo domosdoshmërisht letërsia e tij. Te ‘Piramida e shpirtrave’ Muçi ka ngritur infrastrukturën e groteskut të tranzicionit shqiptar ku, secili mund të hedhë tullën, llaçin apo urën e vet. Personazhet, të cilat ai i qëmton në mënyrë inteligjente, edhe pse deri diku eklektike, janë tipike të një tranzicioni si ky i yni, i cili edhe pse duke qenë i përbotshëm (nuk jemi i vetmi vend në mbikalimin nga një gjendje apo sistem shoqëror-politik në tjetrin), janë posaçërisht shqiptare. Si të tilla janë të njohura, por kjo njohje nuk i bën familjare dhe këtu shtrihet imtësia dhe kujdesi me të cilën autori ka operuar.

Mark Mara është një amerikano-shqiptar i cili ka kryer një dënim penal të cilin nuk mund ta shquash në është politik në Shqipëri apo për spekulim financiar në Nju Jork. Robert Farka është një ish-i përndjekur që ‘luan rolin’ e nëndrejtorit të hotel ‘Dajtit’; personazhe në zhdukje këta ish-të përndjekurit në role drejtuesish, ashtu si edhe vetë hoteli që është kthyer tashmë në bankë. Marko Ferreti është një prift katolik cili i duhet të luftojë një betejë të ashpër proselitizmi me të tjerë denominacione të krishtera që kanë mbirë në Shqipëri pas hapjes dhe në përpjekje për të gjetur ‘frymët’ e tyre të gjalla. Kryetarët e dy bashkive, që mund të ishin çdo qytet në Shqipëri, janë ndoshta më të spikaturit e penës së Virgjil Muçit. Ata mund t’i gjesh edhe sot e kësaj dite nëpër zyrat e Shqipërisë, por kryqëzimi i zjarrit politik nuk të lë t’i shohësh qartë, ashtu siç i përshkruan Muç:groteskë, të babëzitur, të paditur, megaloman, me të kaluar të dyshimtë, etj.

‘Piramida’ e Virgjil Muçit është një roman politik, edhe pse ky nuk ka qenë aspak qëllimi i autorit. Në kryqëzimet e vëzhgimeve ai më shumë ka dashur të ndërtojë rrethrrotullimin e paepur të Tranzicionit shqiptar, duke lënë secilin lexues që të futet aty sipas radhës dhe shenjave të veta. Sigurisht, dihet se si shqiptarët e përdorin rrethrrotullimin si pjesë të infrastrukturës së trafikut rrugor: narcispellg ku zhyten me kokë duke shpresuar se çdo makinë është një deus ex machina, jo për t’i goditur, por për t’iu shmangur marrëzisë së tyre.

‘Piramida e shpirtrave’ është një roman për marrëzinë shqiptare i një esteti të hollë si Virgjil Muçi. Një burrë me kulturë të lartë, një racë në rrallim në këtë kohë dhe vend cit me pop-kulturë, meriton për këtë roman çmimin që ka marrë. Siç meriton që ministri i Jashtëm në detyrë dhe KM Rama, si njerëz të high culture që thonë se janë, ta konsiderojnë për postin e Ambasadorit, një zyrtar që luan role poshtë kapacitetit të vet në superstrukturën e diplomacisë shqiptare. Z. Muçi do t’i bënte nder Shqipërisë në secilën prej Ambasadave më të rëndësishme në botë.

Ai flet gjuhët e huaja dhe gjuhën e kulturës së lartë. / politiko.al