Një tenxhere si shenjë e marrëzisë njerëzore

(Recension për romanin”Tenxherja” të Agron Tufës)

Nga Ardona Bullatovci

Jemi mësuar që kur të lexojmë letërsi të hasim në vepra që kanë tituj të zgjedhur me kujdes, shpeshherë të pazakontë e që e trokasin imagjinatën e lexuesit. Tenxherja është një element i domosdoshëm kulinar, i ndodhur në dollapët e kuzhinave, e cila del në dritë vetëm derisa përgatitet ushqimi dhe më nuk zihet për goje.

Agron Tufa e vendos në titull të një  romanit të tij, duke zgjedhur kështu një titull mediokër, të thjeshtë dhe depompoz.

Por, nuk është i vetmi që megjithatë e ka futur tenxheren në letërsi. Nga përkthimi i Nolit kemi lexuar në shqip poezinë Kapaku i tenxheres të Sharl Bodlerit. Tenxherja metaforike e Bodlerit është rruzulli tokësor si shtrat i njerëzve e përpjekjeve të tyre, kur ata jetojnë si pa rrugëdalje duke zier në përpëlitje, e qielli edhe si kulm i rruzullit, metaforizohet si kapak i tenxheres, që i mbyll plotësisht njerëzit, mëkatarë e murgj. Tenxherja tani bëhet simbol letrar për të figuruar strukturën e mbyllur, izolimin, presionin e lartë, për ta kufizuar në formë të përkryer gjeometrike përpjekjen e pafrytshme të njerëzimit pa përjashtim.    

Se a është edhe tenxherja e Agron Tufës një simbol i tillë, apo është tamam ajo tenxherja që e ka vendin në kuzhinë, lexuesi e merr vesh lehtë, pasi ta përfundojë edhe faqen e fundit të këtij romani të shkurtër.

Për paranojën e diktaturës

Syzheu romanor  është i tëri i rrëfyer nga një narrator i cili vështron në kujtime të fëmijërisë. Që na fton ta përqëndrojmë vëmendjen në aspektin kohor. Është kalimi i dhjetë vjetëve që e nxit fillin e rrëfimit, dhe nënkuptohet se tok me moshën edhe ngjarjet e këtyre dhjetë vjetëve e kanë rritur narratorin.

Në faqet e para përmendet shumë një emër, Filip. Para se ta dijmë lidhjen e tij me narratorin e marim vesh se ai qenka i burgosur në burgun e Spaçit, për dhjetë vjet. Filipi është vëllai i madh i narratorit, Behar Blanës. Përpos si vëlla i madh ai ishte shndërruar në role model në fëmijërinë e tij, sa Behari kishte ndërtuar mit për personalitetin e tij. 

Mjafton emri Spaç për t’i kthjelluar detajet. E dihet se në minierën e Spaçit ishte qendra e internimit dhe burgu famëkeq i diktaturës komuniste në Shqipëri.

Ngjarjet e rrëfyera nga kujtimet zënë vend në vitet e 70’ta  kur edhe pushteti i tillë ishte në kulm të fuqisë. Janë jo të pakta veprat letrare që kanë dalë nga tema e diktaturës komuniste, kur kjo e fundit ra. Në letërsinë botërore është krijuar një korpus i tërë që e ka trajtuar temën e tillë me vetëm një qasje, atë të distopisë socialiste.

Djaloshi ishte 12 vjeçar kur ia burgosën të vëllain, më parë në të njejtin burg kishte rënë edhe i ati. Jepen kështu dromcat e realitetit të çuditshëm, për burgosje të pabazuara të cilat sot ne do t’i quanim qesharake.

Sikurse në 1984-shin e Orwellit dhe pastaj edhe në  Fermën e kafshëve edhe në romanet e letërsisë shqiptare postsocialiste, njihemi me veçorinë e njejtë të pushtetit totalitar, i ndërtuar mbi dominim, paranojë dhe paragjykime obsesive.

Me gjithë temën e ndjeshme autori e mban kujdesshëm narracionin i cili bëhet nën kompetencat e fëmijës, duke e ruajtur dhe duke mos e ngarkuar përtej të kuptuarit fëmijëror. Pra, nuk haset diskurs i rënduar politik.

Mirëpo e rënduar shkaku i sistemit pushtetar ishte e tërë jeta, edhe e fëmijëve. Pasi u rritën me babain në burg edhe në shkollë ishin nën vështrim, me damkën e fëmijëve të reaksionarit. Behari është një fëmijë që na kujton fëmijën e humbur të Ridvan Dibrës, i pasionuar pas leximit, bile pas letërsisë së kulluar. I pasionuar pas leximit ishte edhe një djalosh i përmendur shkarazi në roman, i cili dënohet me pushkatim për shkak të literaturës së huaj. Këtë absurditet e kanë ditur edhe fëmijët e asaj kohe. Beharin, dëshira e leximit e shtyen të bëjë edhe të pabëra, kur gjatë pushimit të verës kishte vjedhur bibliotekën e shkollës së katundit Bythuç, meqë ia kishin ndaluar të merrte libra si gjithë të tjerët. Ky akt penal zbulohet dhe Beharin do ta merr në pyetje i plotfuqishmi i zonës Syrja Palunga, me fjalor, me kërcënime të vrazhda, me frikësim që i cenon edhe kufijtë e çmendurisë. Djaloshi për shkak të librave të huaj, dhe të aktivitetit të të vëllait dhe babait dhunohet fizikisht nga hetuesi në objektin e shkollës, për ta ndërtuar kështu groteskun jo vetëm letrar, por edhe groteskun e sistemit totalitar.

Krahas ngjyrës diktatoriale, në narracion nuk lihen anash as ngjyrat e tjera të jetës sado të zbehta. Ka episode nga jeta e përditshme diku në Dibër, kur vihet në thumb të përqeshjes përcjellja groteske e policëve  ndaj fëmijëve edhe kur ata hanë bukë e edhe kur ata kryejnë nevojën fiziologjike, e fëmijët bëjnë sarkazmë me vëzhgimin policor.

Teksa personzhi i Filipit paraqitet  shumë pak si subjekt, ai shihet vetëm në rrëfimin e narratorit. Në adoleshencën e tij kalon në faza të ndryshimit të karakterit. Hegjemonia politike nuk e lë të regjistrohet në Gjimnaz.  Këto janë hallka të zingjirit të fatkeqësisë së një familjeje fshatare.  Përpos se familja vuan në varfëri për të sigurar mbijetesën,  pas babait arrestohet  edhe djali i madh.   

Përfundimi i romanit është vet kulmi i tij. Dramën e arrestimit të Filipit e kishte  intriguar  tenxherja misterioze të cilën Filipi  e kishte me vete kur u kap nga policia.  Për gjykatësin tenxherja ishte parullë për tu identifikuar, kur ai do të arratisej jashtë vendit. E megjithatë Filipi e kishte tenxheren për ushqim, dhe për arratisje as që mendonte.

Prej Procesit të Franz Kafkës jo rrallëherë e kemi hasur në romane të tilla tragjikomizmin e sistemit totalitar që arreston, burgos njerëz të rinj e të vjetër, mbi arsyetime absurde.

Për paragjykimin e tillë famëkeq dhe sepse në një dokument identifikimi Filipi kishte rritur moshën, ai dënohet me burg. Ama ironia tragjike është se sistemi edhe fshihej prapa ligjeve, ai u dënua në seancë ditën kur mbushi 18 vjet.

Është edhe ky një roman i dalë nga distopia letrare e komunizmit, një roman që i gdhend në fiksion gjurmët faktike të asaj që ka kaluar vetëm para disa viteve. Të lexosh romanet e tilla,  është sikur t’i dëgjosh me veshë dëshmitë e viktimave të sistemit socialist. Sikur ta dëgjosh Zef Pllumin te Rrno vetëm për me tregue, lexon e dëgjon. Por, fjala e skalitur letrarisht depërton më thellë përtej shqisave, deri në ndërgjegje. / ObserverKult