Nobeli për Letërsi: Fitues Olga Tokarczuk dhe Peter Handke

Akademia suedeze  bëri  të ditur emrat e dy laureatëve për Çmimim Nobel të Letërsisë, meqë vitin e kaluar kjo ceremoni është anuluar për shkak të një skandali seksual.

Autorja polake Olga Tokarczuk është fituese e Çmimim Nobel të Letërsisë për vitin 2018, ndërsa austriaku Peter Handke është fitues i Nobelit për Letërsi për vitin 2019, transmeton ObserverKult.

Në motivimin e ndarjes së çmimit për Tokarczuk-un thuhet se imagjinata e saj rrëfyese ka një pasion enciklopedik që përfaqëson kryqëzimin e kufijve si formë të jetës, ndërsa çmimi për Handke-n u dha për “punën me ndikim që me zgjuarsinë gjuhësore e ka eksploruar periferinë dhe specifikimin e përjetimit njerëzor”.

Olga Tokarczuk e lindur në vitin 1962 është shkrimtarja polake më e njohur. Për tre vjet rresht librat e saj kanë qenë më të votuarit edhe më të dashurit nga lexuesit. Ka fituar një sërë çmimesh letrare edhe romanet e saj janë të përkthyer në më shumë se 20 gjuhë.

Peter Handke i cili ka lindur në 1942 është një nga shkrimtarët më të njohur në botë. Ai është gjithashtu i njohur për tekstet e shkruara për kinemanë edhe teatrin. E nisi karrierën duke tronditur spektaklet e teatrit me “Fyerje në publik”. Karakteristikë e shkrimtarit është edhe që prej fëmijërisë përdor lapsin për të shkruar.

Handke njihet për qëndimin e tij kundër pavarësisë së Kosovës, ndërsa ka kundërshtuar edhe bombardimet e NATO-s në vitin 1999.

Në mesin e favoritëve ishin Anne Carson, Margaret Atwood, shkrimtari yne i madh Ismail Kadare dhe Lyudmila Ulitskaya.

Këto çmime, secili në vlerë të 908,000 dollarësh, do të prezantohen më 10 dhjetor.

Shkrimtari shqiptar Ismail Kadare, me romanin e tij “Pallati i ëndrrave”, ishte sërish një nga emrat më të diskutuar në listën e ngushtë të çmimeve, ndërsa në mesin e favoritëve ishin edhe Anne Carson, Margaret Atwood, dhe Lyudmila Ulitskaya.

Kujtojmë se nobelisti i fundit i letërsisë është shkrimtari japonez Kazuo Ishiguro, i shpërblyer në vitin 2017.

Akademia Suedeze, që mbikëqyr çmimin prestigjioz, pezulloi vjet dhënien e çmimit për të bërë ndryshime në proceset e saj pasi u përfshi në një skandal seksual.

Jean-Claude Arnault, bashkëshorti i anëtares së Akademisë Katarina Frostenson u dënua me 2 vite burg në tetor për përdhunim.

Frostenson  u tërhoq dhe ngjarjet shkaktuan krizë në Akademi përfshirë pretendimet për konflikte interesit dhe bërjen publike para kohe të emrave të fituesve.

Kjo çoi në rënien e besimit të publikut tek Akademia.

Akademia ka bërë ndryshime edhe në panelin e saj, duke sjellë disa anëtarë të rinj që nga viti i kaluar.

Gjithashtu tani do t’i lejojë anëtarët e tij të japin dorëheqjen dhe nuk do të tolerojë më anëtarët që kanë qenë subjekt i konflikteve të interesave ose hetimeve penale./ ObserverKult