“Nudo”, tregim nga Ismail Kadare

              

Nga Ismail Kadare

Po sidomos ata të dy lëshuan klithma të vogla admirimi, kur ai, mes punëve të tij, u tregoi një pikturë të madhe te një vajze lakuriq.
 -Bah, ç’femër!
 Sytë e tyre përpinë me lakmi çdo centimetër katror dhe ai, për një çast, provoi një ndjenjë të keqe dhe deshi ta mbështillte përsëri pëlhurën, por ata iu lutën ta shikonin edhe pak. Pëlhura ishte shtrirë në dysheme dhe ata nuk e pyetën më për asnjë kurreshtje nga jeta jashtë shtetit, por vazhduan të përpinin me sy vajzën e re, që kishte ulur kokën e menduar mbi supin e saj të djathtë dhe ishte e gjitha e freskët dhe e bardhë.
 -Ishin të bukura të gjitha modelet? -pyeti njeri.
 -Si të qëllonin, – u përgjigj ai i mërzitur dhe ndezi një cigare.
Pastaj u afrua te dritarja dhe vështroi përjashta se si binte shiu i imët, duke formuar gropa të vogla në oborrin e shkretë.
 Ata qëndruan dhe pak dhe, duke vështruar flokët e tyre të lyer me brilantinë e të lëpirë, ai ndjeu edhe më shumë mërzi dhe shokët e fëmijërisë iu duken më të largët se kurrë.
Njëri, ai që kishte lënë mustaqe, e pyeti për një artist kinemaje, po piktori nuk e kishte dëgjuar atë emër dhe në sytë e tjetrit kaloi një nënqeshje habie. Pastaj e pyetën për diçka tjetër dhe ai u mërzit edhe më shumë. Me sa duket, ata e kuptuan dhe u ngritën.
-Do të dalësh, besoj, -tha ai me mustaqe, -në klub na gjen çdo natë, te bilardoja.
 -Po, po, -tha piktori.
Dolën nga porta e vogël e oborrit, me çadrat e hapura dhe piktori vazhdoi te vështronte se si pikat e shiut të imët binin në oborr, te hauri i vjetër mbuluar me letër sere dhe mbi mbulesën prej llamarine të pusit me çikrik.
Kur u kthye, pa valixhet e hapura dhe në dysheme pëlhurën gjysmë të mbështjellë të vajzës lakuriqe.
Duhet ta ndreq disi dhomën, mendoi. Kjo do të ishte studioja e tij, megjithëse qe e vogël, ishte e qetë dhe e këndshme, me dy dritaret, ku e ëma kishte vënë vazo me lule mbi parvazet e gdhendura.
Vendosi në mes të dhomës kavaletin dhe pastaj vari përballë dritareve dy pëlhura të tij. Pikturën e madhe të vajzës e vari në murin tjetër dhe një copë herë trazoi valixhet dhe renditi librat në një raft.
Pastaj u ul në një shezlong përballë dritares dhe po vështronte shiun. Nga kuzhina dëgjohej zhurma e enëve dhe e heqlave prej druri, të nënës e të motrës. Trokitja e tyre nëpër shtëpi ishte një zhurmë kaq e njohur për veshin e tij. Kjo ishte për të si një mors i fëmijërisë, që i rikujtonte një tok gjërash të harruara. Ishte po ajo trokitje e vjetër e heqlave të nënës dhe trokitja e mëvonshme e së motrës, që ai i dallonte gjithmonë nga njëra-tjetra dhe, megjithëqë nuk ishte i prirur ndaj tingujve si ndaj ngjyrave, vuri re menjëherë një ndryshim: ato të nënës ishin bërë më të ngadalta dhe më të shkoqura, kurse në trokitjet e së motrës ndihej një bujë dhe një shpeshti e fshehtë, e panjohur, që ai nuk e kapte dot mirë, por e ndiente.
Ja, po vjen nëna, mendoi, duket që është lodhur nga vitet, po vjen të më thërrasë për të ngrënë drekë. E ndjeu se si dera e dhomës u hap pas tij dhe tani nëna do t’i thoshte frazën e vjetër, po aq të vjetër sa e gjithë kjo shtëpi: “Eja të hash, dreka u bë gati.”
Po, ishte koha dhe një minutë më parë babai kishte hyrë në oborr, duke mënjanuar çadrën te porta dhe, me siguri, tani lante duart.
Nuk e kuptoi ç’e shtyu, ndoshta, vonesa e frazës së zakonshme të nënës apo, ndoshta, ndonjë gjë tjetër dhe ktheu kryet dhe buzëqeshi.
Nëna ia kishte ngulur sytë e mahnitur pikturës së madhe të vajzës lakuriq. Ai u ngrit dhe eci nëpër dhomë.
-Ç’është kjo leshprerë, mor bir? – pyeti nëna.
Ai qeshi dhe i ra supeve, duke e shtrënguar në njerin krah.
-Gati është dreka, nënë?
-Po, -tha ajo me një zë të hutuar pak dhe e vështroi djalin me dhembshuri. E njihte mirë këtë vështrim të nënës së tij. Madje, e njihte më mire, sesa trokitjen e heqlave të drunjta të saj. Ajo e vështronte kështu kur ai ishte i sëmurë apo i mërzitur, apo kur kishte ndonje hall. Dhe tani e vështroi pikërisht kështu, sikur po e pyeste:
-Ç’pësove, mor bir, mos je gjë sëmurë?”.
Pastaj e vështroi prapë pikturën në mur dhe doli.
I bëri përshtypje nudoja, tha ai me vete, duke ndier të njëjtin vështrim të nënës në tryezë, po s’ka gjë, do të mësohet. Po hanin në heshtje dhe babai tek-tuk thoshte ndonjë fjalë, si zakonisht, nga jeta në zyrë, kurse e motra dukej qe s’e kishte mendjen atje. Sytë e saj ishin herë të avullt dhe nuk vështronte me drejt, po diku anash.
Ndoshta, ka ndryshuar kështu që kur është fejuar, tha ai me vete.
Po nuk kuptohej ishte e gëzuar apo jo për fejesën. Sytë e saj ishin si qelqi i fotoaparatit kur nuk është në fokus. Sidoqoftë, kishin një shprehje të veçantë dhe ishin të qartë në turbullimin e tyre.
E vështroi për një kohë të gjatë të motrën dhe pastaj tha ngadalë:
-Ke dëshirë të të bëj një portret?
-Kam, -u përgjigj vajza.
-Mirë, do të ta bëj ndonjë ditë. Si e do, me ngjyra vaji apo me tush?
-Si të duash ti.
 -O Perendi, -murmuriti nëna dhe desh i ra luga nga dora.
Ç’ke, nënë?
-O Perendi, -murmuriti ajo prapë. Pastaj filloi të mblidhte pjatat, babai shkoi të shtrihej, ndërsa motra po pastronte tryezën.
Ai po e ndiente se babai e vështronte tani pak si ndryshe dhe në shikimin e tij, bashkë me dhembshurinë, përzihej herë-herë një shprehje pezmi.
 -Nga shkaku i kësaj pikture që ke varur në mur, -i tha një ditë e motra. -Atyre nuk u pëlqen që ti je marrë me një gjë të tillë dhe aq më tepër që e ke varur në mur.
Ashtu? Po ajo është punë e shkollës, të gjithë ashtu bëjnë.
 -Po ku e dinë ata?
-Aha, prandaj babai nuk hyn kurrë në dhomën time.
 -Ai më ndaloi dhe mua të hyj këtu, -tha motra.
 -Ashtu? -Ata janë shumë të shqetësuar, -përsëriti motra.
 -Marrëzira, -tha ai. -E ç’u duhet atyre se ç’kam varur unë në mur?
-Nuk është vetëm aty puna, po, sidoqoftë, bota mund të flasin, nuk është mirë.
-Cila botë? Ç’i hyn në punë botës se ç’kam varur unë në mur?
Ajo nuk foli dhe përsëri uli sytë e saj të turbullt, të bukur.
-E di? – tha ngadalë. -Kjo bisedë është herë edhe në shtëpinë e Seitit dhe atyre nuk u pëlqen kjo gjë. Ç’hyn këtu shtëpia e Seitit,ç’hyn këtu i fejuari yt?
 -Po ata e morën vesh këtë gjë të dielën, kur Xhixhia kaloi pas buke përpara dhomës tënde dhe dera ishte e hapur, -tha vajza. -Për dreq, ajo e pa dhe, siç duket, ka treguar ç’ka parë.
-E pastaj?
 -Seiti tha se kjo nuk ishte gjë e mirë dhe nuk e mbaj mend ç’tha tjetër, po foli gjatë.
 Ai ndezi një cigare dhe e ndiente që po bëhej nervoz.
-Po ti, ç’i the?
-Ç’t’i thosha? Asgjë!
-Shkrepëse mizerje, -murmuriti ai, duke ndezur cigaren.
Kaluan ca çaste në heshtje.
-Ti e do Seitin? -pyeti ai papritur.
Vajza uli kokën dhe vështroi një copë here qilimin, pastaj e ngriti dhe sytë e saj ishin më të turbullt se kurrë.
 -Jo!
Kurse zëri i saj, në kundërshtim me sytë, ishte i vendosur dhe ai e ndjeu se ajo që thoshte ishte e vërtetë dhe se motra e tij kurrë nuk e kishte dashur të fejuarin.
-Po pse u fejove, atëherë?
Ajo nuk u përgjigj.
Ai rrinte në shezlong dhe sytë i shkuan te, piktura e madhe.
Qëndruan një copë herë kështu, në heshtje, asaj i vinte turp të ngrinte kokën e të shihte vajzën lakuriq, ndonëse, kur ishte vetëm në shtëpi, e kundronte shpesh.
Kurse ai e vështronte pikturën dhe, papritur, iu kujtua nata kur e kishte takuar vajzën modele rastësisht në tramvaj dhe ishte hera e parë që e shihte të veshur, madje, të veshur trashë. Kjo kishte ndodhur disa muaj pasi kishte herë pikturën dhe që atëhere ajo nuk pozonte më.
Ai qe gëzuar shumë që ajo ishte e veshur dhe që nuk pozonte më.
Dhe binte një deborë e tillë, e bukur, e ngrohtë …
-Ç’të bëja ? – tha papritur motra, duke ngritur sytë nga qilimi.
-Duhet të fejohesha me një njeri, apo jo? Si mund të kundërshtoja? Ti e di sç’bëhet po t’u kundërshtosh atyre.
…Kurse, kur e puthi te hyrja, atij iu duk se po puthte diçka të njohur dhe mendoi se ishte më e lehtë t’i puthje, sesa t’i vizatoje buzët e saj …
 -Apo jo? -tha motra. -Ti nuk më dëgjon?
-Më fal, s’e kisha mendjen. M’u kujtua diçka.
-Ty gjithmonë se ç’të kujtohet, dinak.
 Ata qeshën me gjithë zemër fare kot dhe ai tha papritur:
 -Shkojmë në kinema?
 -Shkojmë! – gati sa s’bërtiti ajo nga gëzimi. – Unë vdes të shkoj me ty në kinema.
Tek ecnin për krahu, ajo çuçuriste pa pushim. E ngacmonte për vajzat e atjeshme, e pyeste a kishte ndër mend të fejohej, së fundi, i tregoi se, kur ai i kishte thënë se donte t’i bënte një portret, prindërit ishin tmerruar, ngaqë kishin kujtuar se do ta pikturonte nudo …

Dëbora po binte në oborr flokë-flokë dhe pullazi i haurit nuk dukej më i zi. Ai vështronte flokët e dëbores mendueshëm. Dera e oborrit u hap dhe që pas saj ai pa se si hyri hoxha me të shoqen.
Xhybja e vjehrrit të ardhshëm të së motrës dukej edhe më e zezë në fundajen e dëborës.
E diel e mërzitshme, mendoi. Duhet të gjej ndonjë shkak të dal për drekë. Kush rri me ta në një tryezë. Po çudi, pse nuk erdhi dhe Seiti. Ai vinte gjithmonë të dielave për drekë me ta. Sa i zi dukej hoxha në dëborë.
Mendoi diçka dhe qeshi me vete.
Do të acarohen, tha me vete, por unë do t’ia tregoj vetëm motrës.
Mori një letër të bardhë dhe filloi të bënte skica. Pastaj u ngrit, veshi pallton dhe doli.
 -S’është mirë të ikësh, -i tha nëna.
-Kam punë, nënë.
 Dëbora vazhdonte të binte e thatë dhe e pastër dhe në çdo kënd rrugice fëmijët kishin zënë pusi dhe gjuanin kalimtarët. Ai luftoi me topa bore me një grumbull vocërrakësh dhe e ndjeu veten të gëzuar.
Në Shtëpinë e Kulturës gjeti shokët e tij të rinj, me të cilët shoqërohej kohët e fundit, dhe të gjithë bashkë shkuan në kafene, në qendër të qytetit.
Kur u kthye, ata kishin ikur. Dëbora kishte pushuar dhe në shtëpi ishte qetësi. E ndjeu se kishte ndodhur ndonjë gjë e vogël, nga ato qindra ndodhitë e vogla të mërzitshme, që mbushnin shtëpinë e tyre në ditet e gjata monotone.
 -Dëgjo, -i tha babai, ndërsa ai po zhvishte pallton. -Dua të bisedoj me ty.
-Fol, baba!
Nëna bënte çorape dhe e motra hekuroste mbi tryezë. Ai vështronte se si vajza provonte hekurin e nxehtë duke lagur gishtin në gojë, me atë lëvizjen e saj të pandryshueshme.
-Bota flasin, -tha babai i ngrysur.
-Nuk të kuptoj, baba, ku e ke fjalën.
-Jo, ti më kupton ku e kam fjalën, -tha me zemërim babai.
-Nuk të kuptoj.
E, pra, po ta them, e kam fjalën tek ajo … që ke varur në mur.
-Ah,po.
-Kështu nuk bën, more djale. Nuk bën të marrësh kështu nëpër këmbë prindërit e tu dhe nderin e familjes. Hiqe atë djall nga muri!
Piktori nuk u përgjigj menjëherë, sepse e ndiente se po nxehej dhe nuk donte të grindej me babanë.
 -Nuk e heq, -tha.
-Bota flasin, -vazhdoi babai, – dhe njerëzit kanë të drejtë të flasin. Ata mendojnë shumë gjëra dhe kanë të drejtë. Të afërmit e Seitit nuk po na vijnë më për vizitë.
 -Ashtu? -tha piktori. -Aq më mirë.
-Ty aq të bën, sigurisht, po duhet të mendosh për nderin e familjes dhe mos harro se ke dhe motër.
Ç’punë ka motra me pikturën time?
 -Në qoftë se ke vendosur të marrësh nëpër këmbë emrin tënd, së paku, mendohu për të ardhmen e motrës sate, -tha babai.
-Tani po e marr vesh, -tha piktori. -Sigurisht, ka llapur ai hoxha.
 -Së paku, fol më me nderim për një burrë të ndershëm, të shkuar nga mosha, së paku, përpara motrës sate.
-Nuk dua që në punët e mia të fusin hundët hoxhallarët, këta paçavure, këta …
 -S’ke turp, -thërriti babai.
-Nuk kam turp.
 -Me babanë tënd flet kështu ti, i pahair, ti që të kam ushqyer me bukë dhe, për se pa, për një kurvë të huaj?
Nëna zuri kokën me duar.
-Ju të gjithë i bini fyellit të hoxhës.
 -Haram e paç bukën time! – ulëriu babai dhe ai nuk e dëgjoi më se ç’tha tjetër, sepse doli duke përplasur derën dhe hyri në studio. U ul në shezlong dhe nisi të vështronte dëborën e madhe dhe të qetë përjashta. Një sorrë e zezë kishte qëndruar mbi çikrikun e pusit dhe çatia e haurit dukej krejt e bardhë nga dëbora.
Nuk të duan, tha me vete, duke iu drejtuar pikturës, ç’u ke bërë që nuk të duan?
Ne po shkonim rrugicës së ngushtë, mbështjellë të dy me pallto, si dy qyqarë.
 -Përveç këtyre, mendoj të paraqes edhe një akuarel, -më tha piktori.
 -Kur mbaron afati i paraqitjes për ekspozitë? -e pyeta.
 -Për dy jave, por unë-pothuaj i kam përfunduar të katra punët.
Dua të marr mendimin tënd, sidomos për njërën.
Unë nuk i njihja rrugicat e këtij qyteti të vogël, ndonëse ishte hera e dytë që po vija aty me shërbim. -Ja, këtu, -tha piktori. Shtyu flegrën e një porte dhe hymë në oborrin e vogël të shtëpisë përdhesë.Një vajzë e hijshme po rrotullonte çikrikun e pusit.
 -Motra ime, -ma paraqiti ai.
Kaluam mesoren dhe hymë në studio.
 -Ulu, -tha dhe më tregoi një fron.
Në studio ishte ai çrregullimi i zakonshëm, i gjallë, që mua më pëlqente gjithmonë dhe ndihej era e ngjyrës së freskët. Të mbështetura pas murit po thaheshin dy telajo që, siç dukej, ai i kishte përgatitur një ditë më parë. Muret qenë mbushur plot me piktura dhe skica të varura gjithkund.
-Njëra është kjo, -tha ai, duke më treguar një nga pikturat ku qe vizatuar një hoxhë, që ecte me kujdes mbi dëborën e bardhë. Unë u ngrita dhe u mënjanova pak për ta parë më mirë.
 -Më pëlqen, -thashë, -megjithëse nuk marr vesh shumë nga piktura. Po më pëlqen, ngaqë ke mundur ta përfytyrosh hoxhën si një njollë të errët …
Ai po bëhej gati të më tregonte pikturat e tjera, kur mua më shkuan sytë në mur te një pikturë e madhe e një vajze, që ishte e mbuluar me një perde basme që nga gjinjtë e poshtë. Koka e vajzës ishte e anuar pak nga e djathta dhe sytë i kishte drejtuar mbi supin e saj të bukur, e menduar.
-Po këtë, -i thashë, -pse e ke mbuluar?
 Ai buzëqeshi me një buzëqeshje të përmbajtur dhe tundi kryet.
 -E ka mbuluar nëna. Është një histori e gjatë.
Dhe më tregoi si kishte ndodhur.
Ndezëm nga një cigare dhe qëndruam një copë here pa folur.
 -Ishte njëfarë “kompromisi”, -tha, duke qeshur. -U lodha nga grindjet dhe, më në fund, i thashë nënës ta mbulonte me perde, sepse për ta hequr nga muri nuk desha në asnjë mënyrë. Mos kujto se e bëra për nostalgji që nuk e hoqa nga muri, po nuk desha të dilte fjala e tyre.
Ne vështruam të dy vajzën me perde dhe papritur na hipi një gaz i papërmpajtur. Filluam të qeshnim me zë të lartë, duke thirrur: “O ç’’vete!”.
 -E pastaj?
 -Pastaj çdo gjë pak nga pak erdhi në vend të vet. Tani, disa kushërinj pleq, që nuk na vinin, na vijnë përsëri dhe njerëzit flasin më pak.
-E habitshme kjo gjë, -thashë. -Megjithëse …
-Çfarë? -tha ai.
-Megjithëse mendoj se edhe ti je treguar pak mendjelehtë.
-Pse?
-E ke marrë pak si tepër seriozisht gjithë këtë punë.
 -Nuk të kuptoj, -tha ai.
 Unë nuk e kisha të lehtë t’ia shpjegoja.
 -Ndonëse ti ma theksove shumë anën klasore të kësaj çështjeje, kam parasysh hoxhën, -thashë unë, duke qeshur, -prapë mendoj se me prindërit e tu mund të tregoheshe më pak parimor. A mundet njeriu të tregohet kaq parimor me nënën e tij, duke e ditur se si ka jetuar dhe ku ka jetuar ajo për gjysmë shekulli rresht?
 -Ndoshta ke të drejtë, -tha ai mendueshëm. -Por ja, unë, më në fund, u binda, e mbulova atë përgjysmë.
 -Kam përshtypjen se je herë pak mizantrop, -i thashë, duke ndërruar bisedën. -A është e vërtetë?
Si të them? -tha ai. -Jam pak i veçuar nga njerëzit, kjo është e vërtetë. Ti e di, çështje karakteri.
Ne qëndruam një copë herë pa folur.
 -Ajo i shqetësoi shumë ata, -tha, duke vështruar pikturën, sikur donte t’ia pohonte asaj se sa shumë i kishte shqetësuar të gjithë.
 -E, megjithatë, ishte vetem një pikturë, -thashë.
 Nuk foli dhe thithi cigaren.
 -Por tani çdo gjë po shkon si më parë, -përsëriti, -dhe për motrën u bë më mire që u nda nga i fejuari. Nuk e donte fare dhe për të u bë më mirë që u nda nga i fejuari. Nuk e donte fare dhe për të u bë më mirë që ndodhi kështu.
Në kuzhinë u ndien dy palë heqlash druri dhe vajza lakuriq vazhdonte të mbante kokën të mënjanuar pak mbi supin e djathtë dhe sytë e saj ishin të menduar. Ajo dukej qesharake mbuluar me atë futë prej basme.
 Tiranë, 1961

ObserverKult

Lexo edhe:

ISMAIL KADARE: PORTRETI I SKËNDERBEUT

ISMAIL KADARE SHPALLET “QYTETAR NDERI” I TETOVËS: “NUK E KAM LEHTË TË FLAS…”

KUR ISMAIL KADARE I PËRGJIGJEJ SHKRIMTARIT E POLITIKANIT SERB, VUK DRASHKOVIQ