Nuk ekzistojnë dashni të lumtuna

Nga: Luis Aragon

Asgja s’i përket njeriut, as forca e tij
as dobësia, as zemra e tij.
Edhe n’se mendon se
po hapë krahët,
hija e tij asht ajo e një kryqi.
Dhe kur beson se po shtrëngon lumtuninë
e shkërmoqë.

Jeta e tij asht një divorc i çuditshëm, i dhimbshëm.
Nuk ekzistojnë dashni të lumtuna.
Jeta e tij i ngjet atyne ushtarëve të çarmatosun
që ishin përgatitë për një fat tjetër, ndryshe
për çka mundet me u shërby atyne me u çue nadje herët,
nëse në mramje gjenden të papunë, të pasigurtë.

Thueji këto fjalë,
” jeta jeme”
Dhe mbaji lotët.
Nuk ka dashni të lumtuna.

Dashnija jeme e bukur
e shtrenjta dashnia jeme,
loti jem.
Unë të mbaj mrenda vedit si zog të plagosun
ndërsa ata pa e ditë na shohin tuj kalu,
dhe përsëritin fjalët që për ty i kam thurë,
e që për sytë e tu të mdhaj
kaq shpejt vdiqën.
Nuk ekzistojnë dashni të lumtuna

Nuk ka dashni që nuk shkaktojnë dhimbje,
nuk ka dashni që nuk lëndojnë,
nuk ka dashni që s’lanë shenjë,
dhe aq ma pak dashnia për atdhe e për ty.
Nuk ka dashni që nuk ushqehen me lot.
Nuk ekzistojnë dashni të lumtuna,
por për ne të dy asht dashnia jonë.

Përshtati në shqip: Arjola Zadrima

ObserverKult


Lexo edhe:

ARJOLA ZADRIMA: NJI NATË