Nuk kam ditur asnjëherë t’i mbledh shtëpitë nëpër kuti… poezi nga Ardita Jatru

ardita jatru

Poezia “Druaj…” e poetes Ardita Jatru

Druaj se dy fjalë bëjnë një poezi.
Tingulli i qelqit që m’u kris buzëve
ndërsa pija pasditen e hidhur me fund,
druaj se ishte, por e harrova shpejt.

Druaj se kemi ngecur në një traumë.
Tërhoqëm symbyllur ciklet e hënës
dhe kur i hapëm, na dolën qirinjtë mangut.

Asnjë karrige nuk mbeti bosh
në paranojën tonë.
I morën me vete gjindja kur ranë perdet.
Prapa lanë mbeturina lotësh për t’u mbledhur.
Na u lodhën krahët duke i hedhur në kosh.
Mbetëm vetëm.

Druaj se vetmia më admiron më shumë
nga ç’e prisja.
Bëhem merak kur avullon. Nuk ha e nuk pi.
Njëherë mbatha këpucët t’i ikja.
Mbeta jashtë, ajo brenda, kisha harruar prapa derës çelësat.

Druaj se nxitimi im është entuziazëm.
Ndërrova kaq shtëpi,
harroja brenda gjithnjë gjëra të vogla nga
nxitimi.
Nuk kam ditur asnjëherë t’i përmbledh
shtëpitë nëpër kuti.
Tani kutive u ve nga një numër.

Druaj se një vdekje nuk është doemos poezi
por më duhet një e tillë,
për pak.
Për të ujdisur orën e lindjes me duart e mia,
themelet e fatit.
Për të më zënë malli fundja,
për kokëfortësi,
të zgjedh,
më duhet këtu poshtë të vdes
pa pikën e ndrojtjes.

ObserverKult

Lexo edhe:

ARDITA JATRU: KËNGA E FUNDIT