Dua të di nëse mund ta shohësh bukurinë edhe kur nuk është e bukur. Nëse mund të kënaqesh vetëm nga prania e saj.
Nga Oriah Mountain Dreamer
Nuk më intereson se çfarë bën për të jetuar, dua të di për çfarë të dhemb dhe nëse guxon të ëndërrosh të takosh mallin e zemrës.
Nuk më intereson sa vjeç je. Dua të di nëse do të mund të rrezikoje të dukesh si budalla për dashurinë. Për ëndrrën tënde. Për aventurën e të qenurit gjallë.
Nuk më intereson se cilat planete janë në kuadrin e hënës tënde. Dua të di nëse ke prekur qendrën e pikëllimit tënd. Nëse je hapur ndaj tradhtive të jetës apo je tkurrë dhe je mbyllur nga frika e dhimbjes së mëtejshme!
Dua të di nëse mund të ulesh me dhimbjen time apo edhe tënden, pa u munduar për ta fshehur ose zbehur, ose rregulluar.
Dua të di nëse mund të jesh me gëzimin, qoftë tim apo tëndin. Nëse mund të kërcesh me egërsinë dhe ta lësh ekstazën të të mbushë deri në majat e gishtave të këmbëve, pa të paralajmëruar të jesh i kujdesshëm, të jesh realist, t’ia rikujtojmë vetes kufizimet e të qenit njeri.
Nuk më intereson nëse historia që po më tregon është e vërtetë. Dua të di nëse mund t’a zhgënjesh një tjetër, për të qenë i vërtetë me veten. Nëse mund t’a përballosh akuzën e tradhtisë duke mos e tradhëtuar shpirtin tënd. Nëse mund të jesh i pabesë dhe në të njejtën kohë edhe i besueshëm.
Dua të di nëse mund ta shohësh bukurinë edhe kur nuk është e bukur, çdo ditë, dhe nëse mund ta sigurosh jetën tënde nga prania e saj.
Dua të di nëse mund të jetosh me dështimin, qoftë tim apo tëndin, dhe ende të qëndrosh buzë liqenit dhe t’i bërtasësh argjendit të hënës së plotë, “Po!”
Nuk më intereson të di se ku jeton dhe sa para ke. Dua të di nëse mund të ngrihesh, pas natës së pikëllimit dhe dëshpërimit, i lodhur dhe i mavijosur deri në kockë, dhe të bësh atë që duhet bërë për të ushqyer fëmijët.
Nuk më intereson se kë njeh dhe si ke ardhur deri këtu. Dua të di nëse do të qëndrosh në qendër të zjarrit me mua dhe nuk do të tërhiqesh prapa.
Nuk më intereson se ku, çfarë dhe me kë ke studiuar. Unë dua të di se çfarë të mban, nga brenda, kur gjithçka tjetër bie.
Dua të di nëse mund të jesh vetëm me veten dhe nëse të pëlqen vërtet shoqëria që mban në momentet boshe.
Përktheu dhe përgatiti: ObserverKult
—————————————
Lexo edhe: