Nurie Emrullahu: Aureolë

Eja të zhvishemi tani
Ta shqyejm lëkurën.
Është kaq i trashë petku që mbështjellim shpirtin.
Zhvishu, mos druaj të tregosh jehonën e shpirtit.
Fol. Fol.
Botës varja.
Bota është miope.
Bota s’do t’ia di për ne, as për zë e shpirt. Gjaku
është ujë për të
E trupi zgavër.
Eh, varja.
Eja këtu para këmbëve të mia të thata. Që
abstraktësisht po mbajnë një shpirt. E shpirti
mban të tjerë brenda.
Edhe ma t’mëdhenj se ai.
T’nënës, t’babës, t’motrës. Kush do t’ia dijë. Ti e di
ç’flas. Kaq frikë, kaq dashuri, kaq pytje mbi këto
këmbë thatuqe. E prapë ecin.
Shkelin mbi botën që i thur mite t’kaluarës.
Zhvishmu ti i tëri ashtu siç je. I pari.
Më lejo të hy nëpër kangjellat e shpirtit tënd.
Ndoshta s’më nxë,
Po shpirti futet aty ku ka dritë.

Më lejo.
Eja të zhvishemi të dy.
S’dua të më mbajnë ngrohtë rrenat, Fjalëkryqet
me besime e gjykime t’kota. Zhvishu. Më zhvish.
Të t’bie në gjunjë?
Me lejo të zhvishem dhe unë.
Dhe ta heq këtë tokë t’kadifenjtë
Ndoshta kështu lulet do të shpërthejnë.
Lejo dielli të futet aty ku unë s’di se marr frymë.
Eja tani t’i nxjerrim shpirtrat n’dritë.
Janë kaq të vegjël n’këtë tokë t’sëmurë për naltësi.
Është kaq terr dhe ne jemi kaq t’bardhë…
Zhvishu, hidhe lëkurën n’tokë, kapërce pragun,
Zgjatu, më jep dorën dhe…