Nurie Emrullai: Atij që erdhi

ty poezi nga nurie emrullai


Ti je pjesa më e trishtuar e trupit tim:
Një gisht i thyer kur të mbaja për duarsh,
Një dhëmb i rënë prej fjalëve pavend,
Ca flokë të thinjur nga pyetjet e kota…

Po s’do e doja veten pa këto, jo.

Ti je pjesa më e trishtuar e shpirtit tim:
Kujtime të harruara deri te detajet më të zakonshme,
sy të zbehtë që i përvidhen të tanishmes,
buzëqeshje e formuar nga trishtimi,
puthje e dhënë shkarazi dhe kur je vetëm.
Një ëndërr e parë veç për ta harruar mëngjeseve.
Trëndafil i këputur vjeshtës së vonë,
i vyshkur tashmë.
Një gjeth i shkelur në tokë
Nga kalimtarë që nuk nguten për askund.
Askush as nuk i kërkon.

Ti je
Një dridhje e lehtë toke
Dhe veç ata që e presin dridhjen të ndjejnë.
Ti je një kuti shkrepse
E lagur nga shiu në pallton e njeriut që s’pi cigare.
Ti je ballë i rënduar
Nga hallet që s’qenë kurrë të tuat.
Ti je lule dielli, që diellit kurrë si ra ndërmend të të rrisi.
Ti je vetë dritë dielli por, parë në netët me hënë.
Ti je ylber krijuar
Veç me një ngjyrë…

Ti je çast
I pajetuar
Dhe të të jetonte kush
S’do kishte guxim.

Ti mund të jesh gjithçka për dikë
Po asnjëherë ndjenjë.

Ti je pranverë e vonshme jetuar në dimrin e hershëm.
Ti je ujë i mbledhur nëpër duart e atyre
Që digjen nga etja.

Je një vijë e hollë
Varur në mur
Që imiton hijet e njeriut.

Ti je një zë
Ardhur nga pylli atëherë kur ishte lule malli.
Andaj je ngjyrë dheu.

Ti je njeriu i parë
Që erdhe,
që puthe,
që dhe
Atë
që askush s’mund ta jepte para teje.

Ti je ajo gjuhë e vdekur
Që jep jetën e një bote të pajetuar.

Je çdo shkronjë që s’mund të shkruhet,
Çdo tingull që nuk shqiptohet.
Çdo pasthirrmë që shuhet nga heshtja
Dhe unë të thërras nga toka e nëndheshme.

Eja këtu i dashur pranë meje,
Dhe ji çdo gjë në mua, veç ji. Ashtu siç je, veç dhé.

Gjithë trishtrimi i trupit dhe shpirtit tim, ji.

LEXO EDHE: NURIE EMRULLAI: KAM ME T’TREGUE SI ASHT ME DASHT…