A kanë emër lulet e mbira në këtë vend?
Zogjtë që rrinë këtu janë veç zogj.
A kanë emër fluturat përveçse e dimë se ishin krimba.
Këtu ku njeriu s’njeh emrat e fëmijëve të vet.
Ku s’din burimin e ujit nga pi, vendin ku ëndërron,
A mund të kenë lulet, zogjtë, fluturat, emër në këtë vend?
A kanë emër në këtë vend,
Vajzat e atij, e asaj, të atyre,
Të ngjizura dhe të hedhura
veç nga dëshira për një djalë,
A kanë pyetur çfarë emrash kanë?
A ka emër vajza që e shohin çdo ditë
(përveç emrave vulgar që i kanë trashëguar
nga baba kur një “bushtër pat sharë”)
Dhe veç me shikim si qen të tërbuar e hanë.
A ka emër zemra në këtë vend
Ku pak dinë se ç’funksione ka?
A ka emër shpirti?
(them, a ndjejnë këta njerëz,
Dhe jo veç atëherë kur gojën plot e kanë mbushur me mallkime dhe sharje dhe
Atëherë shpirti u vjen në majë hunde).
A kanë emër ëndrrat
Ani pse askush si tregon se është turp bre të ëndërrosh.
A ka emër marrja, gjynahu, mëkati, a flliqja e ftyrës, a marrja e ftyrës…
Përveç emra njerëzish që turprohen për tjetrin, për tjetrin.
Dhe “turpin e tyre” e hanë me bukë.
Si t’i quajm sendet, ndjenjat, mendimet,
Njerëzit e padëshiruar, ëndrrat e lëna n’gjysëm…
Si t’i quajm në këtë vend me trajta hijesh t’pagëzuara n’rritje…