Ndër dy male me dëborë
Ra një trim vetullë-hollë
O ju korba që më hani
Syt’e zez të mos m’i ngani!
Se kur nat’e zez’ të bjerë
Do vrapoj un’ porsi erë.
Atdheu ku më pret,
Tek deti buçet.
O ju korba që më grini,
Syt’e zez vetëm m’i lini
Se pa ta s’do gjej dot rrugët
Në të errët, në të mugët.
Ku nëna më pret,
Tek deti buçet.
O ju korba që më sosni,
Syt’e zez të mos m’i groposni!
Se pa ta s’kam për të parë
Vajzën time, malln’e parë,
Tek deti buçet,
Dhe pret ajo, pret.
O ju korba, atë natë
Syt’e zez përse m’i latë?
Drejtë atdheut, n’errsirë,
Ika detit
Por të lidhur me zinxhirë
Prap e gjeta.
O ju korba, pse s’mi nxorët
Syt’e zez mua të gjorit?
Që dot rrugën të mos gjeja,
Rrugë shkretën,
Se kish vdekur dhe nëneja,
Ishte tretur.
O ju korba kur më sosët,
Syt’e zez pse s’m’i groposët?
Se kur shkoja kallamesë,
Ndala kalë,
Pashë vajzën e pabesë
Me një djalë.
ObserverKult
===================
Lexo edhe: