Objektet e braktisura – mundësi për përjetim dhe histori

Prishtina

Një ndërhyrje artistike kishte bërë që ngrehina dykatëshe e ish-“Voqarit”, në lagjen “Kodra e Trimave” në kryeqytet, të pushonte se qeni një objekt i margjinalizuar. Në vjeshtën e vitit të kaluar, artistja Fitore Isufi-Koja kishte “eksperimentuar” me ndërtesën e braktisur – historia e së cilës ngjante gjithnjë e më e panjohur dhe më e largët për të rinjtë e kryeqytetit. Duke marrë shkas nga kjo përvojë, nevoja për rivitalizimin e hapësirave të braktisura është shkoqitur gjatë bashkëbisedimit online “Metamorphosis: Diskutim për hapësirat e braktisura” të organizuar të martën mbrëma nga fondacioni “Shtatëmbëdhjetë”.

Moderatorja e diskutimit, Ajete Kërqeli, ka thënë se ky bashkëbisedim ishte paraparë të bëhej fizikisht, por për shkak të rrethanave, u kalua në format online. Duke shpërfaqur idenë e diskutimit, ajo ka thënë se çdo ditë e më shumë hapësirat publike po pakësohen.

“Kjo është një përpjekje që e vendos theksin te nevoja për të zënë trenin e fundit dhe për të ndërmarrë hapa për rikthimin e hapësirave publike”, ka thënë Kërqeli. Në këtë drejtim, sipas saj, arti është një mjet që shërben për të theksuar rëndësinë e shfrytëzimit të hapësirave publike.

“Duhet të kuptohet jo vetëm përbërja materiale, por edhe funksionimi i këtyre monumenteve. Krejt kjo, duke pasur parasysh potencialin e hapësirave të braktisura publike si dhe rivitalizimin e tyre në shërbim të komunitetit”.

Mbrëmja e së martës së 15 tetorit të vitit të kaluar do të sillte papritur një pamje të re në rrugën “Bedri Gjini” në lagjen “Kodra e Trimave”. “Flirting with leftovers” ishte ndërhyrja artistike për objektin dykatësh të ndërtuar në fund të viteve ’70. Siç ishte shpalosur asokohe historia e tij, objekti në krye të herës kishte filluar si vetëshërbim i NSHT “Voqari”, për t’u shndërruar në vitet ’90 si restorant “Marsi”, kurse në vitet e para të pasluftës do të shndërrohej edhe në klub nate, transmeton ‘koha.net’.

“Është vetë natyra e ndërtesës që e parapërcakton se si duhet të bëhet ndërhyrja”, ka thënë Fitore Isufi-Koja, e cila ka evokuar përvojën e saj gjatë edicionit të dytë të “Metamorphosis – Flirting with leftovers”.

Një punë hulumtuese me të rinj e të reja kishte sipërfaqësuar shumë të reja rreth objektit. Edhe historitë e banorëve të lagjes do të përplotësonin narracionin historik për të.

“Nuk mund të jesh indiferente gjatë ndërhyrjes në objekte që përfaqësojnë histori, kulturë dhe që kishin impakt social, ekonomik dhe ideologjik te njerëzit”, ka thënë ajo.

Me të filluar ndërhyrja, ka shpjeguar artistja, ishte analizuar lokacioni i ndërtesës së ish-“Voqarit”: ajo ndodhej në një lagje si “Vranjevci” që në perceptimin e shumë njerëzve konsiderohet si lagje problematike e periferike.

“Ndonëse kjo lagje është vetëm pesë minuta nga qendra, ky objekt i braktisur flet se ajo nuk është e integruar mirë në jetën e kryeqytetit”, ka thënë Koja.

Bashkëbisedimet e shumta me banorët e lagjes, rrëfimet dhe informacionet e tyre do të përcilleshin, pas ndërhyrjes artistike, edhe me një libër me gjetjet nga hulumtimi për kujtesën kolektive të objektit në fjalë.

Për Kojën, ky libër bën thirrje jo vetëm për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe memories kolektive, por edhe si “thirrje për empati e për ta dashur atë edhe më shumë”.