Poezi nga Octavio Paz
Flokët e tu kanë humbur në pyll,
Këmba jote prek timen.
Kur fle je më e madhe se nata,
Por ëndrrat e tua ndryhen brenda kësaj dhome.
Sa jemi që jemi kaq të vegjël!
Jashtë kalon një taksi
me fantazma ngarkuar.
Lumi që përbri na kalon
Kthehet mbrapsht gjithmonë.
Titulli i origjinalit: “Agu i fundit”
Përktheu: Irena Dono
ObserverKult
——————
Lexo edhe:
FRAGMENT NGA OCTAVIO PAZ: PËRSE I DO SYTË E MI?
U zgjova nga gjumi i mbytur në djersë. Nga dyshemeja pllakakuqe e porsavaditur, ngrihej një avull i nxehtë. Një flutur me krahë të përhimë flatronte e magjepsur rrotull dritës së verdheme.
Kërceva nga hamaku dhe këmbëzbathur përshkova dhomën duke bërë kujdes se mos shkelja ndonjë akrep që kishte dalë nga vrima e tij për ta marrë fresk. U avita te dritarëza dhe thitha ajrin e fushave.
Dëgjohej frymëmarrja e natës, e stërmadhe, femërore. U ktheva prapë në mes të dhomës, zbraza ujin e ibrikut në legen dhe qulla peshqirin.
Fërkova me të gjoksin dhe këmbët, u fshiva pak dhe pasi u sigurova mirë se ndër palët e rrobave të mia nuk qe fshehur ndonjë kafshëzë, u vesha e u mbatha.
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult