Odhise Grillo: Ç’ëndërrojnë vogëlushët?

Ç’ëndërrojnë vogëlushët,
që shëtisin rrëzë malit?
Eh, të kishim për qeleshe
pak nga bora e Korabit.

Ç’ëndërrojnë vogëlushët
që po lozin në lugina?
Eh, të kishim ne në faqe
portokallet që ka Vrina.

Ç’ëndërrojnë vogëlushët,
që mrizojnë rrëzë bjeshkës?
Eh, të kishim ne për sytë
pak nga ujërat e Prespës!

Ç’ëndërrojnë vogëlushët,
që shtegtojnë pas kopesë?
Eh, t’i kishim ne këmishat
porsi fusha e Myzeqesë!

Ç’ëndërrojnë vogëlushët,
që po ngjiten majë kodrës?
Eh, t’i kishim ne fustanet
si qilimat e Kosovës!