Odise Plaku: Refleksione për kurbanet e kohëve moderne

odise plaku nevojë
Odise Plaku

Nga Odise Plaku

Po të lexosh romanin “Dy herë kurban” të Emri Beqirit, pa dyshim nuk do të mund të shmangësh psherëtimën e dhembjes teksa shkon në fjalët e fundit të tij.

Është një roman që mban brenda vetes disa të vërteta, që autori i ka përzgjedhur nga jeta e përditshme, duke e lënë të papërcaktuar vendin ku zhvillohen ngjarjet, por kuptohet lehtësisht se bëhet fjalë për një trevë shqiptare.

Ky mospërcaktim i vendit të ngjarjeve i jep romanit një zgjerim në kohë dhe hapësirë, duke e ngritur këtë histori në rangun e një fenomeni të kudogjendur në trevat shqipfolëse.

Në rrëfimin e Jetës, personazhit kryesor, kemi një akuzë të fuqishme ndaj mentalitetit të së shkuarës, që, për fat të keq, edhe pse kohët mund të quhen moderne, përsëri mbeten dukuri që gëlojnë sa haptazi aq dhe fshehurazi në jetën tonë.

Një personazh jetësor me emrin e bukur “Jeta”, nga lëndimet e vetes, nga fati i keq që ka përjetuar dhe me të cilin është përballur, kërkon që t’u përcjellë familjeve shqiptare mesazhin që t’i braktisin këto zakone të këqija dhe të mirëkuptojnë fëmijët e tyre në drejtim të ndërtimit të familjeve dhe të së ardhmes së tyre.

Një personazh i skalitur mirë nga autori është dhe Kadriu, që duket më i ndriçuar sesa duhet për kohën. Duke jetuar mes një mentaliteti vrastar, ai përpiqet të dalë kundër rrymës të së zakonshmes, kundër martesave të tipit “më jep, të jap”, por përsëri nuk ka fuqinë ta çojë deri në fund atë që i dëshiron shpirti për fëmijët e tij.

Në këtë kuptim, ai mbetet një tjetër kurban i marrëdhënieve brenda rrethit të tij familjar, të afërmve të tij, të cilët ushtrojnë presion që të veprojë kundër dëshirës së tij për të ruajtur nderin dhe krenarinë e shtëpisë dhe të mos jetë i përfoluri i opinionit.

Megjithatë, ai e ka guximin të veprojë atëherë kur e shikon se nuk mund të bëjë kurban të bijën e tij tetëvjeçare për një lidhje krushqie në vijimësi të atyre që ka krijuar.


Duket se një kopje e tij, e karakterit të tij është mishëruar te Hëna, njëra nga bijat e tij, e cila është vajza revolucionare për kohën, që braktis një fejesë e përballet me egërsinë e njeriut që i kanë caktuar për ta pasur burrë.

Ajo e shkatërron këtë fejesë dhe e kërkon lumturinë diku tjetër, me një tjetër njeri, edhe pse në kushte më të vështira për jetën, por e pafrikësuar se do të ishte objekt dhune dhe abuzimi në jetë të jetëve.

Në emër të moralit dhe të nderit autori rrëfen se Jeta bëhet kurbani i radhës. Ajo martohet me Ladrimin, djalin që e motra, Hëna, e braktisi nga frika e dhunës dhe kërcënimeve.

Ai ishte ndikuar nga helmi i thashethemeve keqdashëse të përhapura nga Dilja, gruaja që iu refuzua kërkesa për ta pasur Hënën nuse të djalit të saj.

Autori trajton kështu një plagë tjetër sociale, thashethemnajën, që sjell jo pak pasoja në jetën e shoqërisë kur instrumentalizohet dhe merr përmasa vrastare.

Gjithsesi, autori fokusin e tij e ka përqendruar te Jeta. Çfarë përjeton ajo në shtëpinë ku shkoi nuse në këmbë të së motrës? Cilat janë marrëdhëniet e saj me nënën, e cila kurrë harron se ajo është vetëm një fëmijë 14-vjeçe?

Të gjitha këto autori i jep përmes një gjuhe të thjeshtë dhe të kuptueshme, që e bën këtë vepër të lexueshme dhe të mban në tension të vazhdueshëm.

Romani është ndërtuar në dy aspekte kohore: të sotmen dhe të shkuarën. Në të sotmen e marrëdhënieve të Jetës me Dritonin, një shkrimtar me emër në qarkun e krijuesve në Zvicër, vend ku jeton dhe vetë autori i romanit, Emri Beqiri.

Këto marrëdhënie jepen në disa faza, për të shkuar në mbylljen e këtij romani me dy lajme të bukura: Dritoni ka gjetur atë me të cilën do të lidhë jetën, ndërsa Jeta merr lajmin e bukur të ngritjes në karrierë të djalit të saj në një nga institucionet me të rëndësishme arsimore në Zvicër.

Por pjesa kohore e së shkuarës është një gërshet mes gëzimit dhe dhimbjes, që për autorin jepet në mënyrë sa më të detajuar për të rritur jo keqardhjen për fatet njerëzore të përfshira në këtë histori, por për të pasur një revoltë të brendshme dhe të jashtme nga të gjithë lexuesit e tij.

Me mjete të kursyera, por me detaje të bukura autori pikturon si mjedisin në të cilin zhvillohen ngjarjet, ashtu dhe elementin njerëzor, duke marrë dhe sjellë në kohën e sotme disa tipizime të kohës së shkuar, që i shtojnë larminë kësaj vepre.

Kjo është vepra e parë e autorit Emri Beqiri në zhanrin e romanit, duke bërë kështu një përpjekje të radhës për të lënë një dokument kohor dhe me vlerë për shoqërinë shqiptare në tërësinë e saj. Në të vërtetë kjo vepër nuk është thjesht një histori familjare, por historia e një plage sociale, e cila, edhe pse sot duket e topitur, sërish shkakton dhimbje te femra, që trajtohet si një plaçkë tregu dhe këmbehet me një grusht parash.

ObserverKult


odise plaku nevojë

Lexo edhe:

ODISE PLAKU: SI HERËT SHKOVE DASHURIA IME!

Poezi nga Odise Plaku

Si herët u lodhe me dashurinë tonë,
betimet i mori larg lumi i rrëmbyeshëm.
Me bërryla shtyj orët e ditës sime memece,
pa fjalë, pa zile telefoni, pa pyetjen “Si je?”.

Të kisha premtuar që zvarranik nëpër këmbë
për pak dashuri jo kurrë nuk do të isha në jetë.
Trupin tim të përdredhur në pluhurin e kohës,
asnjë këmbë nuk do të mund ta shkelte dot.

Jam mësuar edhe me braktisjet në jetën time,
por ama kurrizin samar nuk e bëra asnjëherë.
Zjarrin në zemër e mbajta të ndezur përherë,
në kraharor të mbështillja si bebe motake.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


odise plaku nevojë

ODISE PLAKU: MË PUTH, ZEMËR, MË PUTH PËR TË FUNDIT HERË…

Më puth, zemër, më puth për të fundit herë,
ëmbëlsinë e buzëve të tua të marr në shtegtime,
Ta kujtoj kur do të jem larg teje, në vetminë time,
zjarrin të më ndezësh në kujtime të netëvonave.

Më puth, zemër, mos ndalo, veç më puth fort,
buzët gjak të më bëhen, e di që nuk do të vdes.
Më shtrëngo zemër, gjoksit tënd të lë shpirtin,
fryma të më ndalë, dashurisë t’i nxjerrim fundin.

Më puth, zemër, sytë mos t’i çelim, jetojmë ëndrrën,
e bukur, e gjatë, nga pasioni ynë nuk do të mbarojë.
Më jep frymë, më jep jetë, më fshi frikën e harresës,
në puthje të mbetet si lëndina e luleve të pranverës.

Më puth, zemër, e fundit është, ma ndjen zemra,
në mbyllje dere do të dëgjojmë dënesat tona.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


odise plaku nevojë

ODISE PLAKU: POEZI E PAMBARUAR ËSHTË DASHURIA PËR TY…

Poezi nga Odise Plaku: Dhe një vit nuk mjafton

Poezi e pambaruar është dashuria për ty.
Portret që peneli ka ndaluar në një sy,
në ballkon të kujtesës metaforat fjalosen,
për bukuri të vetes deri vonë sa djallosen.

Puthjes përshkrimin nuk di ku t’ia gjej.
Dehet gotës së verës deri natën e qelqtë,
dëshiron në cep të buzës sime të flej,
shtiret si manare përherë do të më gënjej.

Shtrirë dua të rri mbi renë e bardhë të dashurisë,
nuk ka frikë poeti të udhëtoj në fund të botës.
Dyfishin paguaj për dhimbjen e ëmbël që lind
në çastin e jetuar nën qiellin me yje e hënë.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult