
Poezi nga Odise Plaku
Si herët u lodhe me dashurinë tonë,
betimet i mori larg lumi i rrëmbyeshëm.
Me bërryla shtyj orët e ditës sime memece,
pa fjalë, pa zile telefoni, pa pyetjen “Si je?”.
Të kisha premtuar që zvarranik nëpër këmbë
për pak dashuri jo kurrë nuk do të isha në jetë.
Trupin tim të përdredhur në pluhurin e kohës,
asnjë këmbë nuk do të mund ta shkelte dot.
Jam mësuar edhe me braktisjet në jetën time,
por ama kurrizin samar nuk e bëra asnjëherë.
Zjarrin në zemër e mbajta të ndezur përherë,
në kraharor të mbështillja si bebe motake.
Si herët u lodhe me dashurinë tonë,
a mos vallë dashurinë s’e kishe asnjëherë në zemër.
Vërtetë më shtegtuan shumë gjëra nga koha jonë,
kokën mbështes si murgu në supin e munguar.
Si herët shkove dashuria ime!
ObserverKult

Lexo edhe:
ODISE PLAKU: MË PUTH, ZEMËR, MË PUTH PËR TË FUNDIT HERË…
Më puth, zemër, më puth për të fundit herë,
ëmbëlsinë e buzëve të tua të marr në shtegtime,
Ta kujtoj kur do të jem larg teje, në vetminë time,
zjarrin të më ndezësh në kujtime të netëvonave.
Më puth, zemër, mos ndalo, veç më puth fort,
buzët gjak të më bëhen, e di që nuk do të vdes.
Më shtrëngo zemër, gjoksit tënd të lë shpirtin,
fryma të më ndalë, dashurisë t’i nxjerrim fundin.
Më puth, zemër, sytë mos t’i çelim, jetojmë ëndrrën,
e bukur, e gjatë, nga pasioni ynë nuk do të mbarojë.
Më jep frymë, më jep jetë, më fshi frikën e harresës,
në puthje të mbetet si lëndina e luleve të pranverës.
Më puth, zemër, e fundit është, ma ndjen zemra,
në mbyllje dere do të dëgjojmë dënesat tona.
Nuk do të ketë kthim, as takim, kështu është shkruar,
ndaj le të puthemi sa gjithë jeta shpirti im.
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult