Pyetësorit të Prustit i përgjigjet poeti Odise Plaku.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
– Lumturia nuk është diçka që ekziston jashtë qenies së njeriut. A ka njerëz të përkryer që të ketë dhe lumturi të tillë? Mua do të më mjaftonte një lumturi natyrale, që do të vinte e bukur edhe pas një zënke apo mërie të çastit, sesa një lumturi e lustruar nga një buzëqeshje false apo përqafim i dhënë për hir të opinionit. Do më mjaftonte një përqafim siç di ta japë zemra dhe shpirti, sesa një kapje dore në një sfilatë rruge për të marrë etiketën “këta e kanë gjetur lumturinë e vërtetë”.
Cila është frika juaj më e madhe?
– Lëndimi i fëmijëve. Gjithçka në jetë do ta duroja, veç lëndimin e fëmijëve jo. Nuk di çfarë mund të bëj për të mbrojtur lumturinë, qetësinë, të ardhmen e tyre.
Cilin person të gjallë e admironi më së shumti?
– Nënën time, që dua ta kem sa më gjatë në jetë. Ajo më falë dashuri dhe është një strehëz mirësie për mua. Një njeri që kurrë nuk lodhet nga punët, por nga vetmia herë pas here.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
– Çdo njeri ka individualitetin e tij. Në kohë të ndryshme kanë krijuar portretin e tyre. Janë shumë personalitete që kanë vlera dhe tipare që, nëse do t’i mblidhja sipas mendjes sime, do ndërtoja një personalitet historik që të më tërhiqte me forcë të madhe. Nuk mund të veçojë një emër, por janë shumë dhe nuk dua t’i ndaj. Dua të jem edhe unë vetvetja si ata.
Cili është tipari juaj që nuk e pëlqeni?
– Nxehem shpejt, por fatmirësisht edhe “ftohem” shpejt. Pra, inati im është flaka e kashtës.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
– Mosmirënjohja dhe kthimi i krahëve sapo kanë mbaruar punë apo kanë arritur qëllimin e tyre. Më kanë ndodhur dhjetëra raste në jetën time, por përsëri i kam kaluar me buzëqeshje dhe me frymëmarrje të plotë.
Në cilat gjëra e teproni?
– Kohët e fundit me internetin. Dua të gjej çastin të shkëputem. Nuk di kur, por… Veç po të ndahet interneti nga unë.
Çfarë do t’ju shtynte të gënjeni?
– Varet nga rrethanat. Por pa frikë do ta bëja dhe pa njohur asnjë pendim për të mbrojtur gjënë më të shtrenjtë dhe të pakthyeshme sërish nëse e humbet: jetën.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
– Kudo që kam shkuar dhe ngado që vijë është një rrugë që më tërheq dhe nuk më pengon asgjë për ta përshkuar me dashuri dhe qetësi: rruga e shtëpisë dhe e familjes.
Cilën fjalë apo shprehje përdorni më shpesh?
– “Me mendtë në kokë.”
Për çfarë ju ka ardhur keq më shumë apo jeni penduar që e keni bërë?
– Kam dhënë më shumë besim sesa duhet. Në një çast jam penduar, por më pas i kam thënë vetes: “Odi, kjo është jeta.” Edhe pse jam zhgënjyer, përsëri vazhdoj të besoj.
Cila është dashuria juaj më e madhe e jetës?
– Familja, bashkëshortja dhe fëmijët.
Cila është gjendja momentale mendore juaja?
– Një adoleshent që po përpiqet të jetojnë sa më shumë dashuri.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë te vetja, cila do të ishte ajo?
– Të dija si të rritja një fëmijë tani me këto mendësi të reja. Të jesh prind, baba nuk është e lehtë.
Çfarë konsideroni si arritjen tuaj më të madhe?
– Nuk mendoj se arritja ka fund, ndaj jam ende duke vazhduar rrugën drejt saj. Nëse një ditë do të jem afër saj, të paktën do të jem i plotësuar. Kam ende për të bërë në jetë. Arritja ime më e madhe është ende duke më pritur që ta arrij.
Nëse do të mund të kthenit kohën pas, çfarë do të ndryshonit?
– Asnjë ndryshim nuk do të dua të bëj në kohën time, veç dua që ditët që vijnë dhe jetoj të plotësojnë ato çfarë kam lënë mangët. Tashmë jam në një fazë të re të jetës. Në një të ardhme të afërt mund të jem edhe “gjysh Odi”, kështu që do kem mundësi të plotësoj jetën time.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit edhe një herë në jetë, qoftë edhe si send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
– Në molekulë ajri. Të jap jetë sa më shumë mes njerëzve në këtë botë të karbonizuar vuajtjesh.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që keni?
– Respekti.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
– Të mashtrosh për të përfituar dhe plotësuar ato qëllime dhe dëshira që nuk ke aftësi t’i realizosh me forcat e tua.
Ku do të dëshironit të jetonit?
– Kam shëtitur anembanë botës dhe përsëri qetësinë time e kam gjetur në këtë vend. Shqipëria është vendi ku është stacionuar zemra ime.
Çfarë vlerësoni te një mashkull?
– Mençurinë e zotëruar nga një burrë fisnik.
Çfarë vlerësoni te një femër?
– Femra është shumë komplekse dhe e kam paksa të vështirë të veçoj tiparin që vlerësoj më shumë te një femër. Gjithsesi, për mua nuk ka rëndësi sa e bukur është, po sa karakter të fortë ka, sa e mençur dhe fisnike është.
Cili është shkrimtari i juaj i preferuar?
– Ai që më sjellë emrin në ditët e mia: Homeri.
Cilët janë heronjtë tuaj në jetën e vërtetë?
-Njerëzit e thjeshtë, ata që përpiqen të ndërtojnë jetën me djersën e ballit. Ndihem më shumë i kënaqur të pi një kafe me punëtorin e ndërtimit sesa i rrethuar nga një edukatë false dhe hipokrite.
Cilin talent do të dëshironit ta kishit?
– Aktrimin.
Si do të dëshironit të vdisnit?
-Në shtratin bashkëshortor, ku çdo gjë mban aromën e dashurisë së jetës sime, të trupit tim.
Cila është motoja juaj?
-“Jetoj për të mos lënduar”./ ObserverKult