Këtë javë Pyetësorit të Prustit i përgjigjet shkrimtari Adil Olluri.
Cila është ideja e juaj për lumturinë e përkryer?
Besoj në çaste të lumtura, jo në lumturi të përhershme, aq më pak të përkryer. Qeniet njerëzore janë vazhdimisht në kërkim të diçkaje, vazhdimisht kanë ndjesinë se u mungon diçka, se kanë nevojë edhe për diçka tjetër, se kanë kërkesa edhe për një plotësim në jetët e tyre. Andaj, kjo i bën ata të palumtur. Qeniet racionale gjallojnë mes kërkesash të pafundme në raport me veten dhe të tjerët, kështu që për ta lumturia e përhershme dhe e përkryer është një përrallë e bukur, e këndshme për t’u dëgjuar, por e pamundshme për t’u realizuar. Shijues të asaj që kushtimisht mund të cilësohet si lumturi e përhershme dhe e përkryer, janë ato qenie njerëzore që pushojnë së menduari për të tashmen dhe të nesërmen e tyre. Janë ata që të menduarit i kanë dhënë pushim të përhershëm. Mendja e arsyeshme nuk rresht së menduar dhe së kërkuari, andaj vështirë se mund të jetë e lumtur.
Cila është frika juaj më e madhe?
Gjithnjë i frikësohem “grushtit” të të urtit e të dinjitetshmit. “Grushtimi” i tij di të jetë fatal dhe i papërballueshëm. Vazhdimisht mendoj dhe bëj përpjekje të pareshtura që të bëj gjëra të dinjitetshme, të them fjalë të peshuara, që të mos “goditem” asnjëherë nga i dinjitetshmi. Sinqerisht, frikësohem nga shpërthimi i të urtit, sepse “grushtet” e edepsëzëve dhe sojsëzëve, që nuk kanë bërë gjë të hairit e gjë me vlerë, vetëm më forcojnë dhe më japin shpresë se pikërisht puna apo veprimi im është i dinjitetshëm, meqë e ka nxitur hidhërimin e tyre.
Cilin person të gjallë e adhuroni më së shumti?
Kam konsideratë jo për një, por për disa personalitete publike që gjallojnë mes nesh, por jo adhurim. Shqiptarët kanë pësuar vazhdimisht për shkak të adhurimit të të gjallëve. Ata që jetojnë mes nesh ende nuk i kanë mbyllur llogaritë me njëmendësinë, me realitetin konkret, andaj çdo respekt i shtuar dhe i pamasë ndaj tyre që mund t’i bëjmë sot, mund të na nxjerrë të zhgënjyer nesër. Andaj, që të mos zhgënjehemi nesër, duhet të jemi më të matur sot. Njeriu është qenie që mendon dhe si i tillë ka synime, qëndrime dhe interesa. Ai, si i tillë, mund të ndryshojë nga një periudhë në tjetrën. Nëse për dikë sot kemi bindjen se është i denjë për t’u adhuruar, nesër mund të mos jetë ose mund të mos na duket i tillë. Jo që ai ka planifikuar të mos jetë nesër i tillë, por synimet, qëndrimet dhe interesat e tij mund të ndikojnë që ne të mos e shohim siç e kemi parë. Ndoshta, ai është ende i denjë për t’u adhuruar, por synimet, qëndrimet dhe interesat e tij nuk përkojnë më me tonat. Ndoshta, edhe ne kemi ndryshuar ndërkohë. Kështu që, duhet pasur kujdes me respektin e tepruar e të pamasë ndaj dikujt që ende nuk e ka prerë biletën e pakthyeshme për në tejbotë.
Cili është personaliteti historik më të cilin do të dëshironit të identifikoheshit?
Personi me të cilin do të dëshiroja të identifikohem nuk është historik, ai është mitologjik dhe letrar. Është Uliksi i Homerit të pavdekshëm. Ai nuk u dorëzua asnjëherë nga synimi i tij për t’u kthyer në Itakë. Nuk hoqi dorë, përkundër vështirësive të shumta e të vazhdueshme që i dilnin. Ai e ndoqi idealin e tij. Më pëlqejnë shumë njerëzit që nuk dorëzohen, përkundër rrugëve të mynxyrta në dukje. Me të tillët më pëlqen të identifikohem. Nuk e di a jam e a do të jem i tillë, meqë të identifikohesh me dikë, nuk do të thotë që ti gjithmonë ke kurajo t’i bësh ato që i ka bërë ai apo t’i ndjekësh të njëjtat shtigje që i ka ndjekur ai. Jeta nganjëherë di të jetë më e fuqishme se projeksionet tona ideale. Jeta di të të godasë si një rrufe e tmerrshme dhe e papërballueshme. Një rrufe e tillë i rrëzon edhe lisat më të mëdhenj.
Cili është tipari i juaj që nuk e pëlqeni?
Gjatë rrugëtimit tim letrar, shpeshherë kam reaguar emocionalisht, disa herë edhe pa fijen e nevojës, për disa çështje e fenomene kulturore e letrare. Andaj, reagimin emocional në tryeza letrare, edhe atëherë kur kam pasur plotësisht të drejtë, nuk e pëlqej te vetja. Këtë tipar e kam pasur më të theksuar kur kam qenë pak më i ri, ndërsa tash mendoj se e kam më pak të theksuar. Ose së paku unë mendoj se është më i pak i theksuar se më parë, sepse është vështirë ta masësh veten se kur je më pak e kur më shumë i zëshëm dhe emocional në reagime. Andaj, pikërisht për shkak të këtij tipari, marr pjesë tepër rrallë në tryeza e diskutime letrare. Ndoshta, një ditë do të vendos që të mos marr pjesë asnjëherë.
Cili është tipari të cilin nuk e pëlqeni tek të tjerët?
Njeriu është qenie synimtare dhe në rrugën e tij drejt pikës përfundimtare të synimit të tij mund të shfaq edhe tipare që nuk janë të mirëkuptueshme për disa, por të mirëkuptueshme për disa të tjerë. Ai që mua mund të më duket gënjeshtar e mashtrues, për dikë mund të mos jetë i tillë. Kështu që, është tejet e vështirë të listohen tiparet që nuk më pëlqejnë te të tjerët, duke pas parasysh që njeriu është qenie që mendon dhe vepron në bazë të qëllimeve dhe synimeve të tij. Shpeshherë ndodh që të indinjohemi nga një fjalë a një veprim i dikujt që nuk ka pasur për qëllim ta shkaktojë indinjimin tonë. Ai thjesht mendon se e ka thënë ose bërë të duhurën, gjithnjë në bazë të një projeksioni të tij jetësor.
Në cilat gjëra e teproni?
Përpiqem ta shpjegoj çdo gjë në bazë të një përimtimi logjik e racional. E ndjej se jo çdo gjë, jo çdo veprim a problem, duhet interpretuar në bazë të një shpjegimi logjik. Jo rrallëherë, shumë gjëra nuk kanë as shpjegim, e lëre më shpjegim logjik e racional.
Çfarë do t’iu shtynte të gënjenit?
Po të bëhej sërish luftë në Kosovë, nëse një gënjeshtër e imja do t’i shpëtonte fëmijët e mi do ta bëja pa hezitim. Kjo do të ishte e vetmja gënjeshtër për të cilën nuk do të pendohesha asnjëherë.
Cili është rrugëtimi juaj i preferuar?
Rrugëtimi im i preferuar ka qenë, është dhe do të mbetet, vetëm brenda Prishtinës. E dua shumë këtë qytet dhe për asnjë çmim nuk do të doja të jetoja jashtë tij. Siç thoshte një politikan i ynë para disa viteve, “Prishtina, përkundër problemeve të shumta, ka diçka tërheqëse dhe magjike brenda saj”. Për këtë tërheqësen dhe magjiken brenda Prishtinës, me siguri se do të shkruaj ndonjëherë më gjatë.
Cilën fjalë apo frazë e përdorni më së shpeshti?
“Andaj”, “Kështu që”, “Megjithatë”, “Ndoshta”.
Për çfarë ju ka ardhur më së shumti keq apo jeni penduar që e keni bërë?
Jam ende i ri për t’i shpalosur mea culpa-t e jetës sime. Kam kohë për të bërë edhe më shumë gjëra, që ndoshta për shumëkënd mund të cilësohen si të pahijshme. Kësaj pyetje ndoshta mund t’i përgjigjem pas dyzet viteve, gjithsesi nëse nuk do të jem atëherë në botën e të shumtëve. I premtoj redaksisë suaj për këtë, e cila do ta ketë ekskluzivitetin për ta marrë këtë përgjigje, gjithsesi nëse do të ekzistojë “Observerkulti” atëherë. Megjithatë, shpeshherë më vjen keq kur nuk kam mundësi t’iu ndihmojë atyre që kanë nevojë ose shpresojnë në ndihmën time.
Nëse do të kishit mundësinë të ndryshonit vetëm një gjë tek vetvetja, cila do të ishte ajo?
Mendoj se njerëzit duhet t’i ndryshojnë veprimet dhe qasjet për gjëra e fenomene të ndryshme në raport me ndryshueshmërinë e tyre. Realisht, nëse ato vërtetë kanë ndryshuar. Një gjë apo një fenomen është fakt në vete, dhe nëse ato ndryshojnë në kohë të caktuar, duhet t’i ndryshojmë edhe shpjegimet tona në raport me to. Nuk mund t’i përshtaten faktet interpretimeve tona, po interpretimet tona është e udhës t’i përshtaten fakteve. Ky është shpjegimi logjik, gjithsesi.
Çfarë konsideroni të arriturën tuaj më të madhe?
Të arriturat tona janë në dorën e vëzhgimeve të të tjerëve. Ajo që unë mund ta them sot si arritjen time më të madhe, të tjerëve mund të mos iu duket ashtu. Megjithatë, mund të them se jam i kënaqur që shumë njerëz më njohin dhe më vlerësojnë si prozator. Kjo më mjafton.
Nëse do të mund të kthenit kohën, çfarë do të ndryshonit?
Koha nuk mund të kthehet, sepse po ta kishim këtë mundësi do të bënim shumë gjëra që do të donim t’i kishim bërë. Disa gjëra nuk do t’i bënim fare, ndërsa disa do t’i bënim më mirë. Një përgjigje më e gjatë në këtë pyetje do t’i kalonte caqet e arsyeshmërisë dhe si i tillë do të ishte vetëm një spekulacion i bukur.
Nëse do të vdisnit dhe do të kishit mundësinë të ktheheshit qoftë si njeri apo send, çfarë personi apo sendi do të zgjidhnit të jeni?
Pyetje interesante, por thënë sinqerisht, asnjëherë nuk e kam menduar një gjë të tillë. Megjithatë, nëse do të duhej të zgjidhja patjetër diçka, duke qenë shkrimtar, natyrisht se do të doja të kthehesha në një libër që do të jetonte shumë më shumë se një jetë njeriu.
Cila është gjëja me e shtrenjtë që e posedoni?
Është një pyetje goxha e vështirë, të cilës për t’i dhënë hakun e duhur do shumë përqendrim. Pra, ha shumë muhabet kjo pyetje. Gjithsesi, do të përpiqem ta jap një xhevap të shkurtër për lexuesit e juaj. Si familjar dhe prind, mund të themi se gjëja më e shtrenjtë që kam është familja ime, fëmijët dhe bashkëshortja ime; si shkrimtar gjëja më e shtrenjtë që kam është proza ime artistike, romani i botuar, romani në dorëshkrim dhe dy librat me tregime. Ndërsa, në planin e begatisë materiale, si sendi më i shtrenjtë që kam është një kompjuter mjaft i dobishëm, në të cilin e shkruaj letërsinë time artistike. Megjithatë, edhe kjo është goxha e diskutueshme, sepse begatinë tonë shpirtërore më shumë mund ta shpjegojnë dhe e masin të tjerët, se sa që mund ta masim ne vetë. Ne mund ta masim vetëm atë materiale e konkrete.
Çfarë konsideroni si mjerimin më të madh?
Mjerimi më i madh është kur një njeri apo një shoqëri e tërë mbetet pa shpresë. Pa shpresë për një të nesërme më të mirë. Kur humb shpresa, aty fillon mjerimi i njëmendtë. Mungesën e shpresës, e cila gjithsesi sjellë edhe mungesën e lirisë për të vepruar, e shoh si mjerimin më të madh. Shpresa, synimi, ëndrrat për të nesërmen e mbajnë gjallë njeriun. E bëjnë të lirë dhe të vullnetshëm. Po ia more ato, ai është dhe do të mbetet i mjerë.
Ku do të dëshironit të jetonit?
E thash edhe më parë, nuk do të dëshiroja të jetoja diku tjetër, përpos në Prishtinës. Gjithsesi, faktet mund të ndryshojnë dhe rrethanat jetësore na imponojnë variante të ndryshime gjallimi, jashtë planifikimeve tona, por me vetëdije të sotme, nuk do të dëshiroja të jetoja jashtë këtij qyteti.
Si do të dëshironit të vdisnit?
Unë shkruaj për vdekjen, por për mënyrën se si do të dëshiroja të vdisja nuk kam shkruar asnjëherë. Madje, thënë të drejtën, as që e kam menduar një mënyrë të parapëlqyer se si do të dëshiroja të vdisja. Njerëzit mund të planifikojnë se si do të mund të jetojnë, por assesi se si mund të vdesin. Nëse do të shkruaja për atë ose këtë mënyrë të parapëlqimit, më shumë se sa përsiatje, do të dilte një stisje e shpifur, që nuk do ta nderonte as intervistuesin e as të intervistuarin.
Cila është motoja juaj?
Tingëllon pak klishe, por nëse do ta zgjidhja një moto, do të shkruhej dhe lexohet kështu: “Mos u dorëzo!”
E thash edhe më sipër se më pëlqejnë ata që nuk dorëzohen, që u bëjnë ballë furtunave dhe rrebesheve të ashpra të kohës, rrugës me plotë të papritura. Më pëlqejnë ata që nuk dorëzohen dhe nuk dëshirojnë të shkelin vetëm në rrugë të rrahura, që më shumë i kanë dyert e mbyllura se sa të hapura, por që nuk rreshtin së menduari dhe së vepruari në drejtim të cakut, në drejtim të hapjes së dyerve të mbyllura. Më pëlqejnë ata që nuk dorëzohen, që kanë synime, plane e ëndrra për të nesërmen e tyre, për të cilat janë në gjendje t’i shkelin të gjitha shtigjet e t’i qajnë t’i gjitha rrugët. / ObserverKult