Timo Flloko: Fundin prekja por s’kish fund…

timo flloko miqtë pakëz kabashi.

Shkallë për qiell
Ngrita sytë, qiellin pashë,
Ku është skaji i tij, thashë,
A i soset fundi vallë?
Ndoshta duhen shpikur shkallë!
Të padukshme, pa dyshim,
Shkallë që zgjaten pambarim,
Që takojnë fund e fillim
Prej këtej, në askund,
Gjithësisë pa anë e fund.
Fantazova të shkoj lart,
Botën poshtë ta shoh nga larg…
Gjithë ç’pata, pas ta lë
Historitë një nga një,
Dashuritë pa shpirt në të,
Miq, të afërt që s’janë më,
Mitet, ëndrrat dhe çdo gjë

Sa ngjita shkallën e parë,
Ndjeva frikë…të jem i marrë?
N’atë udhë katrahurë,
Humb përjetë, s’kthehesh kurrë!…
(Nëse ndodh atje të mbes,
Zbrastësisë, në univers
Fillikat e i pashpresë,
Kush kujtohet të më presë?!
Nëna la një det me lot,
Iku herët nga kjo botë…
Kthehem…s’kthehem, çfarë pastaj,
Fatin tim mbi shpinë e mbaj!)

Rrugëtova aq kohë qiellit,
Mend sa preka yjet, diellin…
Sa herë hidhja nga një shkallë,
Falesha se isha gjallë…
Sa vështirë të mbijetosh,
Fatin tënd ta sundosh,
Në rënsh keq, të synosh lart,
Pas humbjes një tjetër fat.
Të mposhtësh çdo ankth e frikë,
Riskut t’i qasesh në zgrip,
Fshehtësisë në fund t’i shkosh,
Frymë të japësh, të mbarosh,
Errësirën ta përshkosh,
Gjersa fundit ta takosh,
Qiellit që t’i mori mendtë,
Atë fund a fundin tënd,
Ta shpërfillësh përnjimend!

U enda vite të tërë,
Jeta…një kështjellë në rërë…
Preka yje dhe kometa,
Hap më hap jeta dhe vdekja!
(Rënie ngjitje na shkon jeta…)
Në çdo skaj më stërmund,
Fundin prekja por s’kish fund!
Ishte fund sa ish fillim,
Hapësirës pa mbarim?!
(S’ka fillim as fund ky bosh,
Nis e sos ku ta mendosh!)

Mbërrin koha, që të zbres…
Yjet fikur, një mëngjes
Këmbët zbrita, kur për djall,
Mend u vara, s’kishte shkallë(!)
Udha çonte veç për lart,
(kurth qiellor, thashë përçart…)
Pas në tokë kthim s’kish më,
Shkallët shpinin në mosgjë,
Me shigjetën “udhë pa kthim”!
Gjithësisë pa mbarim!
Fati i ikjes thashë, më mundi,
Shkalla ime ish e fundit!

Fatin tënd, ti, kurrë s’e di,
Tha Krijuesi, biri im!
Asnjëherë mos e harro,
Mëkatar në këtë botë,
Në u bëfsh shenjtor o zot
Jetë e trupit zgjat një çast,
Kohë e vdekjes s’ka përmasë…
Askund qiellit s’është e shkruar,
Portë e hyrjes në parajsë!

Sa kohë rron, kurrë s’e di
Ku mbaron kjo pafundësi,
Përtej teje në largësi,
Pa kufi e fshehtësi…
Kush kërkon ta zbulojë,
Mbrapsht nuk kthehet përsëri.

*Titulli i origjinalit: “Shkallët”

ObserverKult


Lexo edhe:

TIMO FLLOKO FLET PËR CENSURËN NË DIKTATURË, JA ÇKA PËRJETOI