Opera e parë e Kosovës, “Goca e Kaçanikut” me kompozitor Rauf Dhomin, është shfaqur për herë të parë në Prishtinë që pas krijimit të saj më shumë se gjysmë shekulli më parë.
Kryeministri Albin Kurti e cilësoi shfaqjen e operës një premierë historike, me regji të Nikolin Gurakuqit, “Mjeshtër i Madh” i Shqipërisë.
Premiera e operës “Goca e Kaçanikut” filloi në Tiranë, në vitin 1979 dhe për tri net me radhë u shfaq në Prishtinë, 23 deri më 25 shkurt.
“Goca e Kaçanikut” bashkoi kapacitetet artistike të Kosovës, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë brenda institucionit më të ri, Operës së Kosovës, në bashkëpunim me Baletin Kombëtar të Kosovës.
“Nën dirigjimin e Edon Ramadanit, me solistët e shkëlqyer nga të tria vendet, orkestra dhe kori i Operës së Kosovës sollën në jetë tingujt e krijuar mbi motivet e novelës së Milto Sotir Gurrës me të njëjtin emër.
“Goca e Kaçanikut” ka 53 vjet që është shkruar dhe premiera e saj u vu në skenë më 1979 në Tiranë”, – shprehet Kurti.
Ansambli Nacional i këngëve e valleve popullore shqiptare në Maqedoninë e Veriut uroi Operën e Kosovës për premierën e historike “Goca e Kaçanikut”.
Drejtori i këtij ansambli, Shkodran Tolaj, i cili ka ndjekur nga afër këtë shfaqje, është shprehur se muzika operistike në Kosovë ka një të ardhme të ndritur dhe ajo do të ecë vrullshëm e suksesshëm, sikurse të gjitha institucionet tjera në Kosovë.
Etje për muzikën e bukur të akademikut Rauf Dhomi, dëshirë për të përjetuar ngjarjet historike të popullit plot sfida, apo edhe krijimi i një elite të mirëfilltë të Kosovës për gjininë e bukur të operës, bën që interesimi të jetë i jashtëzakonshëm për këtë shfaqje.
Mbi 150 artistë në skenë përçuan fuqishëm triumfet tona që u duartrokitën mbi 20 minuta nga spektatorët e mrekulluar nga kjo ngjarje e rrallë.
Krijimi
“Libretistët Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi, duke u nisur nga novela e shkrimtarit Milto Sotir Gurra, kanë krijuar një libret me personazhe të qarta dhe të larmishme, me një dramaturgji të zhvilluar me ngjarje dhe kulmime, që të mbërthejnë dhe të bëjnë të ndjekësh veprën me interes nga fillimi deri në fund.
Muzika e frymëzuar e kompozitorit të talentuar Rauf Dhomi ndihmon fuqishëm dhe shkrihet rrjedhshëm me libretin”, – do të shkruante kompozitori i shquar Tish Daija, pas premierës së “Gocës së Kaçanikut” në Tiranë më 21 korrik të vitit 1979, në shkrimin e botuar në gazetën “Bashkimi” ribotuar në “Rilindje”, më 1 gusht të atij viti.
Të shtunën dhe të dielën pamë premierën e operës “Goca e Kaçanikut”, që u shfaq nga trupa e Teatrit të Operës dhe Baletit, prandaj emocionet i kemi ende të freskëta.
Ngjarja zhvillohet në malet e Kaçanikut. Heroina kryesore e veprës, Pafika, është paraqitur këtu me tiparet karakteristike të gruas shqiptare, e pastër, bujare, e gjallë dhe trimëreshë. Ajo merr pjesë aktive me armë në dorë në luftën e popullit shqiptar kundër hordhive osmane.
Në arien e bukur të saj epiko-lirike, në fillim të aktit të dytë, ajo këndon: “Lirinë me gjak do ta fitojmë…”. E gjithë linja e zhvillimit të personazhit të saj përshkohet nga një ndjenjë e fuqishme patriotike. Ajo, si dhe burrat, për asnjë çast nuk e heqin pushkën nga dora për liri dhe pavarësi.
Prindërit duan ta martojnë Pafikën me një djalë të ndershëm, trim dhe bujar, që të jetë i gatshëm të sakrifikojë edhe jetën për liri. Por këto cilësi ajo i ka gjetur te Trimori, të cilin edhe e dashuron. Edhe linja e tyre e dashurisë zhvillohet dhe merr jetë mbi një sfond të thellë patriotik.
Në duetin e tyre të aktit të tretë, të cilin kompozitori e ka shkruar me shumë frymëzim, ata këndojnë “…dashuria dhe liria”. Personazhi i saj merr përpjesëtime dramatike dhe arrin kulmimin dramaturgjik kur Pafika, e kapur në befasi nga tradhtari Rus Bash dhe oficeri osman Fiqal, të cilët duan ta dërgojnë në kampin armik, u rrëshqet nga duart.
Trime, e shkathët dhe e fuqishme si një shqiponjë, me një dru ajo e çarmatos Rus Bashin dhe me armën e tij e vret tradhtarin.
Pafika është heroina kryesore dhe zë vend më rëndësi në vepër. Por vendin kryesor në vepër e zë populli kryengritës, i armatosur në luftën për liri e pavarësi.
Kori-popull është strumbullar i gjithë veprës, në gji dhe sfond të të cilit zhvillohen personazhet dhe drama e tyre.
Kori-popull merr përpjesëtimet e heroit kryesor gjatë gjithë veprës dhe sidomos në fund të aktit të parë dhe atij të dytë.
Në këtë sfond zhvillohen personazhet e Trimorit trim, guximtar dhe patriot, babës dhe nënës së Pafikës, Rus Bashit, oficerit të ushtrisë osmane Fiqal, etj.
Libretistët Ajmone Dhomi dhe Jusuf Buxhovi, duke u nisur nga novela e shkrimtarit Milto Sotir Gurra, kanë krijuar një libret me personazhe të qarta dhe të larmishme, me një dramaturgji të zhvilluar me ngjarje dhe kulminacione që të mbërthejnë dhe të bëjnë të ndjekësh veprën me interes nga fillimi deri në fund.
Muzika e frymëzuar e kompozitorit të talentuar Rauf Dhomi ndihmon fuqishëm dhe shkrihet rrjedhshëm me libretin.
E gjithë muzika e veprës është frymëzuar nga këngët dhe vallet e bukura popullore kosovare, të cilat siç duket i njeh dhe i dashuron me pasion.
Muzikën popullore po nuk e dashurove nuk mund ta kuptosh dhe aq më pak pastaj të hysh brenda, të gjesh nektarin duke e bërë pronë tënden shpirtërore për të mundur më vonë, pasi të jesh mbarsur mirë me të, të frymëzohesh prej saj në krijimet tua.
Në këtë premierë muzika tingëllon e freskët gjatë gjithë veprës, pse ajo ka larmi të materialit tematik, melodik, harmonik dhe polifonik.
Me sukses janë përdorur këtu ritmet e thyera karakteristike popullore shqiptare (koralja e aktit të parë 9/8, kori i vajzave po këtu 7/ 8, gratë dhe Pafika akti i dytë 7/8, intermexo orkestrale 5/ 8 etj.).
Orkestrimi është punuar me shije e mjeshtëri dhe ndihmon fuqishëm në dramaturgjinë e veprës. Kontribut të fuqishëm dhe me vlerë ne realizimin e me sukses të operës “Goca e Kaçanikut” ka dhënë piktori i shfaqjes, “Artisti i Merituar” Hysen Devolli, i cili me skenografinë e tij na çoi për një kohë të shkurtër në grykën e Kaçanikut, në një periudhë vendimtare për fatet e popullit.
Meritë ka gjithashtu dirigjenti i shfaqjes, “Artisti i Popullit” Rifat Teqja, i cili me mjeshtëri krijuese ka ditur të zbërthejë frymëzimin e autorëve dhe bashkë me ekzekutuesit e tjerë ta sjellë atë deri te spektatori./ panorama.com
ObserverKult
Lexo edhe:
ÇKA DUHET BËRË PËR TË QENË I LUMTUR? KJO ISHTE PËRGJIGJA E IMMANUEL KANTIT
Filozofi gjerman, Immanuel Kant, mbetet ndër filozofët më të shquar të të gjitha kohëve. Vepra e tij “Kritikë e arsyes së kulluar” shënon pikë-kthesën qendrore në historinë e filozofisë dhe fillimin e filozofisë moderne.
Por kësaj radhe nuk do të flasim për veprën e tij.
ObserverKult ju sjell disa thënie nga Immanuel Kant që mund të shijohen edhe nga mendjet e ‘pastërvitura’ me lexime të rënda:
Tekstin e plotë mund ta lexoni KËTU:
JAM KËTU INEZILDA, POEZI NGA PUSHKINI
Aleksandër Pushkin: Inezilda
Jam këtu Inezilda
Pranë dritares ku fle ti
E mbuluar është Sevilia
Në mjegull e qiej gri!
Mbështjellë në pelerinë
S’pyes vdekje as perëndi
Me shpatë e mandolinë
Poshtë dritares ku fle ti.
Ti fle, kitara qan
Të zgjon me serenatë
Për plakun këtu pran’
Ç’më duhet mua shpatë?
Konop mëndafshi kam hedhur
Tek parmaku yt i vjetër
Pse s’flet por rri e heshtur
Mos pret një bandill tjetër?
jam këtu Inezilda
poshtë dritares ku fle ti
Mbuluar është Sevilja
Në mjegull e qiej gri!
Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:
ObserverKult