Pablo Neruda: Me ty kam fjetur gjithë natën

pablo neruda

Ju ftojmë të lexoni poezinë “Me ty kam fjetur gjithë natën” të poetit kilian Pablo Neruda!

Gjithë natën me ty kam fjetur
afër detit në ishull
ishe e egër dhe e ëmbël
mes qejfit e gjumit
mes zjarrit e ujit.

Ndoshta tepër vonë ëndërrat tona,
u bënë njësh në lartësi
e thellësi.

Kur ishin lart si degët që lëvizin
nga e njejta erë
poshtë si rrënjët e kuqe
që preken me njëra tjetrën.

Ndoshta ëndërra jote
u shkëput nga e imja
e detit të errtë
më kërkonte si dikur
si kohën kur ekzistoje
kur pa e ditë hiç
lundroja përbri teje
e ijet e tua kërkonin atë çfarë tani
bukë, verë, dashuri e zemrim
po t’i jap me të dyja duart.

Sepse ti je kupa
Që priste dhuratat e jetës time.

Kam fjetur me ty gjithë natën,
ndërsa toka e errët rrotullohet rreth vetes
me të gjallë sipër e të vdekur brenda
e ndërsa po zgjohesha papritur
në mes të hijes
krahu im qarkonte
belin tënd
as nata
as gjumi
s’mundnin të na ndanin.

Kam fjetur me ty,
e ndërsa zgjohesha goja jote
që po i dilte gjumi
më dhuroi shijen e tokës
të ujit të detit, të algave
të themelit të jetës tënde
e prita puthjen
njomur nga mëngjesi
sikur po më arrinte
nga deti që kam përqark.

Përktheu: Petrit Sulaj

ObserverKult

Lexo edhe:

PABLO NERUDA: MOS FAJËSO KURRË ASKËND PËR ASGJË…

PABLO NERUDA: JETËN TIME DO E NGRYS NËPËR TY

“NUK E DI PSE TË DUA…” NGA PABLO NERUDA, LEXON LEKA SEFLA