Lëkurë e djerrë dhe e ndeme e daulles së ditës,
papërndritje kumbuese, ja kështu ishte Spanja:
pllajë e fole shqiponjash, heshtje
nën fshikullima motesh.
Qysh e kam miklu, me shpirtin tem e lotët e mi,
tokën tande kryeneçe, bukën tande të thatë
dhe popujt e tu; qysh, në ma të thellat
skuta të qenies teme, lulja e fshatnave tua,
e gërrudhët, ngurosë në kohë, jeton në mue, e humbun,
me fushat e tua të shkrepëta
e zmadhueme nën hanë e nën përjetësi,
e gllabërueme nga një zot sylesh.
Gjithë vetmia
jote kafshore, ngjizë me gjykimin tand, krejt gjasendet e ndërtueme
me duert e tua
në një busull heshtjeje nguju abstraktisht prej gurësh,
të vjelat e tua, të kandshme
dhe ashpërake, hardhitë
e tua të kreshpënueme e të brydhëta.
Qelibar, ma i kulluemi ndër krahinat
e kësaj rrokullie, Spanja shtegtoi
nëpër gjakna e metale, ngadhnjimtare dhe kaltëroshe,
proletariat petalesh e plumbash, e papërsëritshme
e gjallë, e dremitun, kumbuese.
Përktheu nga anglishtja: Agim Morina