Pablo Neruda: Ti, vetëm ti plotëson çdo gjë

pablo neruda

Që t’i dëgjosh më mirë,
fjalët e mia
nganjëherë bëhen më të holla
si gjurmë e pulëbardhave mbi zall.

Gjerdani, lingu i dehur
për duart e tua të ëmbla si rrushi.

dhe i shikoj, fjalët e mia të largëta.
Të tuat janë më shumë se të miat.
Si urthi galirojnë mbi dhimbjen time të vjetër.

Ngjiten mureve të lagështa.
Ti je fajtore e kësja loje të përgjakur.
Ato ikin nga strehimi im i errët.
Ti, vetëm ti plotëson çdo gjë.

Më të mësuar se ti në pikëllimin tim,
ato kanë banuar vetminë që e ke zënë.

Tash dua ta them atë çka dëshiroj të të them
që të më dëgjosh ashtu siç dëshiroj të më dëgjosh.

Nganjëherë era e frikës i shkul.
Nganjëherë edhe stuhitë e ëndrrave i përmbysin.

Ti zëret e tjera i dëgjon në zërin e dhimbjes sime.
Klithmën e buzëve të vjetra, përgjakjet e lutjeve të vjetra.
Më ndjek, shoqe, në këtë valë shqetësimi.

Por fjalët më marrin ngjyrën e dashurisë sate,
ti, vetëm ti kupton çdo gjë.

Gjerdan të paskajshëm do të gërshetoj nga ato
për duart e tua të bardha, të ëmbla si rrushi.

Përktheu: Esad Mekuli

*Titulli i origjinalit: “Që të më dëgjosh”

ObserverKult


Lexo edhe:

PABLO NERUDA: TI, VETËM TI PLOTËSON ÇDO GJË