Pak ka mbetur nga gjithçka….

Foto ilustrim

Nga: Carlos Drummond de Andrade

Nga frika ime.
Nga neveria jote.
Nga britmat thuthuqe.
Nga trëndafili mbeti pak.
Ka mbetur pak dritë
mbledhur në kapelë.
Në sytë e kodoshit
mbeti pak butësi.
(shumë pak)
Pak ka mbetur nga ky pluhur që të mbulonte këpucët e bardha.
Kanë mbetur pak petka,
disa vello të prishura,
pak, pak, shumë pak.
Por ka mbetur pak nga gjithçka.
Nga ura e bombarduar,
nga dy fijet e barit,
nga paketa
-bosh – e cigareve,
ka mbetur edhe pak.
Se ka mbetur pak nga gjithçka.
Ka mbetur pak prej mjekrës tënde në mjekrën e bijës sate.
Prej heshtjes sate të vrazhdë pak mbeti,
pak në muret e mërzitur,
në gjethet memece të cilat ngjiten.
Ka mbetur pak nga gjithçka
në pjatën e porcelanit,
dragua i thyer,
lule e bardhë,
prej rrudhave në ballin tënd,
portreti.
Nëse mbetet pak nga gjithçka,
pse nuk duhet të qëndrojë
pak edhe nga unë?
Në trenin që shpie në veri,
në anije,
në njoftimet e gazetave,
pak nga unë në Londër,
pak nga unë diku?
Në bashkëtingëllore?
Në pus?
Pak mbetet duke u lëkundur
në grykëderdhjen e lumenjve
dhe peshqit nuk e shmangin,
pak: nuk vjen në libra.
Mbetet pak nga gjithçka.
Jo shumë: nga një rubinet
bie kjo pikël kotësie,
gjysmë kripë dhe gjysmë alkool,
kërcen kjo këmbë bretkose,
ky xham ore
thyer në një mijë shpresa,
kjo qafë mjellme,
kjo e fshehtë fëminore…
Ka mbetur pak nga gjithçka:
prej meje; teje; nga Abelardo.
Një fije floku në mëngën time,
ka mbetur pak nga gjithçka;
era në veshët e mi,
gromësira e pafisme,
ofshama e të brendshmeve rebele,
e tjetërsime të vogla:
lulekëmbora, hojëza,
kapsollë e revolverit …
aspirinë.
Ka mbetur pak nga gjithçka.
Dhe pak nga gjithçka mbetet.
Oh, hape shishkën e parfumit dhe mbyte erën e padurueshme të kujtesës.
Por, nga gjithçka e tmerrshme, ka mbetur pak,
dhe nën valët ritmike,
dhe nën retë dhe erërat
dhe nën ura dhe nën tunele
dhe nën flakë dhe nën sarkazëm
dhe nën mukozë dhe nën të vjella
dhe nën dënesën, burgun, të harruarit
dhe nën syze dhe nën vdekjen në ngjyrë alle
dhe poshtë bibliotekave, bujtinave, kishave triumfuese
dhe nën veten tuaj dhe nën këmbët tuaja tashmë të ngurta
dhe nën menteshat e familjes dhe klasës,
gjithmonë ka pak nga gjithçka.
Ndonjëherë një sumbull. Ndonjëherë një mi.

Ujdisi shqip: Rielna Paja

ObserverKult


Lexo edhe:

OCTAVIO PAZ: SHKRIMTARI DHE PUSHTETI