
Në rubrikën Personale, në ObserverKult, mysafir yni është shkrimtari, Pal Ndrecaj.
Si ndodhi takimi i parë me letërsinë?
– Takimi i parë me letërsinë ka ardhë në mënyrë normale, përmes leximit. Si nxënës, paksa më të dalluar, në shkollë fillore, në fund të gjysmëvjetorit, si dhe në mbarim të klasës, merrnim dhuratë nga një libër. Dhuratën e parë e ndjeva si një fat që të zgjedh ty, si një privilegj, ndaj edhe duhej shijuar si të tillë, me pasionin e të privilegjuarit. Kështu zuri fill kontakti me librin. Njëfarë fati, natyrisht, ishte edhe biblioteka e komunitetit, që ndodhej afër shkollës.
Pastaj, në gjimnaz, lexoja shumë. Në orët që nuk më interesonin, lexoja romane e poezi. Disa herë jam ndëshkuar nga arsimtarët e atyre lëndëve. Leximet krijojnë në qenien tonë ato energjitë e pashpjegueshme që, një ditë, të duket sikur vetë kërkojnë të shpërthejnë, të dalin jashtë.
Ky moment tek unë u shfaq gjatë një ndenje në një familje që kishte ndjeshmëri të fortë patriotike dhe e shprehte atë me një eufori të pafrenueshme. Një këngë patriotike me çifteli, që të ngjethte mishtë, po i bënte të vlojnë emocionet e të pranishmëve, fytyrat e mërdhezura të të cilëve po shprehnin një mllef të paparë për armikun dhe një kërkesë të madhe për brezin aktual. Dhe, unë, si i ri, ndoshta 13-vjeçar, papritmas ndjeva se më kishte ardhur diçka që duhej thënë, pa vonuar. Në përmbajtje e njëjtë me atë që po e thoshin ato fytyra, por që duhej shprehur ndryshe nga ç’e shprehnin ato. Diçka që po kërkonte një dalje emergjente – Frymëzimi.
Mirëpo, duhej të isha vetëm, në një dhomë me derë të mbyllur, ku nuk më sheh e kupton askush, se isha fëmijë e nuk e kisha radhën… E thashë sapo u ktheva në shtëpi: shkrova vjershën e parë!
Ç’hata!
Ç’magji!
Ai fëmija u rrit për pak minuta. U bë i madh. I rëndësishëm. Që duhej të fliste. Se kishte çka të thoshte dhe s’guxonte ta heshtte…
Ndjesi të vegjëlish, natyrisht, por po të mos ishte vetëbesimi i hapave të parë, si do të hidheshin të tjerët?
Zuri udhë një penë e re, që, së paku në aspektin e ndjeshmërisë, të marrëdhënies me jetën, me problemet, të besnikërisë ndaj vokacionit e të sinqeritetit të klithjes, ndoqi një rrugë specifike e të veçantë.
Kur ratë në “grackën” e letërsisë?
– Në grackën e letërsisë rashë pikërisht atëherë kur ai zëri mistik, që e dëgjova për herë të parë, e që më tha se duhej të flisja, zuri të dëgjohej përsëri, me kalimin e kohës, ndonëse sa më shumë shkonin vitet, sa më thellë hyja në jetë, sa më shumë lexoja e sa më shumë persiasja rreth mundësisë së krijimit të stilit tim, vinte e bëhej më i ndrojtur. Kam lexuar diku një thënie, autorin e të cilës e kam harruar, që e përligj këtë që thashë: “Duhet të dish diçka për të kuptuar sa pak dimë”. Ai zë, pos intonimit shtytës herë-herë merrte edhe intonim frenues, duke i rritur kërkesat e duke shtuar të tjera, deri në atë shkallë sa herë-herë të më bëjë të shoh me dyshim gjithçka kam krijuar.
Është një torturë më vete.
Sot them: mirë që u dëgjua ai zë. Mirë që dikur u bë qortues e kërkues dhe mirë që më vuri përpara atyre torturave.
Kur nisët të ndiheshit shkrimtar?
– Deri më sot kam botuar vetëm 5 përmbledhje poetike dhe një roman. Në librat e mi janë vetëm ato poezi që kanë pasur fatin t’u shpëtojnë “masakrave” të pamëshira, që u kanë ndodhur tjerave.
Shkruaj. I lë disa ditë. I marr përsëri nëpër duar. I hedh. I kërkoj përsëri ato që i kam hedhur. Ndonjëherë pendohem dhe i rikthej, ndonjëherë ua vërtetoj aktgjykimin e parë dhe, kështu, në këtë cikël përpjekjesh, botoj vetëm ato që i mbijetojnë “masakrës”.
Që të gjithë librat e mi, prej të parit, “Lule mbi plagë”, e deri tek i fundit, “Pikëllimi i bimëve”, janë vlerësuar si libra që sjellin diçka të re e të mëvetshme. Megjithatë, kjo pyetja juaj se kur kam filluar “të ndihem shkrimtar”, sikur nuk më lë të jap përgjigje pohuese me aq lehtësi. Sa herë që diçka ma kërkon t’ia pohosh vetes, dëgjoj jehonën e atij zërit që sjell ethet e dyshimit.
A ia keni shtruar ende atë pyetjen shumëdimensionale vetes “Pse shkruaj”?
– Disa nga shtytësit për të shkruar, në njëfarë mënyre, i zura në gojë në pyetjen tuaj të parë, ku bëra fjalë për atë njeriun që e kishte ngarkuar veten me një mision. Misioni i një shkrimtari është i shumanshëm. Ai ka detyrën e shenjtë të ftojë për humanizëm, për paqe, për liri, për drejtësi, për shpresë e për lumturi. Dhe që të gjitha këto, ai është i thirrur t’i shtrojë me një gjuhë që nuk është e zakonshme për nivelet tjera të bisedimit.
Nëse kërkohet të flas më gjerësisht për atë se pse shkruaj, do të shtoja vetëm edhe këtë: Njeriu i kohës sonë është një qenie fatkeqe e hyrë, pa dëshirën e saj, në një konflikt të madh e të vështirë me të keqen. Ndoshta ka ndikuar edhe dëshira për t’u bërë pjesë e këtij konflikti, për të hyrë në të e për të dhënë timen.
Unë nuk erdha të sjell paqen, por shpatën, iu tha Jezusi apostujve në një kontekst të përafërt.
Çka ju bënë të veçantë si shkrimtar?
– Gjithmonë mundohem të jem origjinal sa i përket gjuhës poetike, stilit, e ndjeshmërisë. Një shkrimtar nuk duhet të duket si një tjetër. Kjo është vetëvrasje. Jam munduar të krijoj rrugën time. Mirëpo, rreth kësaj, më së paku duhet të flas unë.
Çka keni thënë me shkrimet tuaja?
– Tematika e librave të mi është kryesisht nga jeta e përditshme. Çështje ekzistenciale. Preokupimet e njeriut në një botë, sistemi vleror i të cilës po përjeton një transformim më dinamik se kurdoherë dhe njëherësh më sfidues.
Duke u ndodhur përballë një trysnie të gjithanshme: ekonomike, politike, kulturore e shpirtërore, njeriu i ditëve tona kërkon ta ridefinojë pozicionin e vet në raport me të kaluarën, me shoqërinë aktuale dhe me vlerat. Njeriu i epokës sonë ndeshet me shumë zhgënjime, me shumë thyerje e me huti të thellë.
Ato që ishin folë deri dje për kauzat e mëdha sot disi relativizohen në këndvështrimin aktual filozofik. Në këtë ndërthurje faktesh e faktorësh njeriu ndihet paksa i thyer, paksa i braktisur, paksa i tradhtuar dhe mjaft i pashpresë. Të gjitha këto janë pjesë e preokupimeve poetike të krijimeve të mia. Duke e parë botën me këtë optikë, atmosfera e poezive të mia është bukur e ndikuar nga shtresa zymtësie.
Mirëpo, gjendja e zymtësisë nuk është dorëzim përpara fatalitetit, por një fazë e pashmangshme kalimtare, nga e cila daljet nuk janë të mbyllura.
Përafërsisht, njëjtë e kam thënë në një poezi:
“E keqja në vjersha është për ta mundur të keqen në jetë
siç e nxirrnin të parët tanë plumbin me plumb.”
Çfarë ju ka mbetur ende pa thënë?
– Ajo që ka mbetur për t’u thënë në të ardhmen lidhet pikërisht me nevojën për diçka më të mirë në jetë, për ta tejkaluar zymtësinë e frikën që i ka kapluar njeriun dhe bimët, të ndodhur, që të dy bashkë, përpara shfarosjes atomike. Është nevoja për një art pak më optimist. Për pak më shumë shpresë e besim në forcat pozitive dhe për pak më shumë lumturi. Fundja, arti nuk është për të mërzitur, është për të gëzuar.
Si shkrimtarë, duhet të kërkojmë të mirën në brendësitë më të padukshme te njeriut. Aty ku dikush tjetër nuk do t’i shihte.
Mbase kështu do ta bëjmë pjesë dominante të jetës. Në jetë ndodhin vetëm gjërat në të cilat besojmë. Ndaj le të besojmë në ngadhnjimin e të mirës dhe le t’i këndojmë kësaj.
I besoni muzës apo përvuajtnisë së punës së pareshtur?
– Në kohën tonë, frymëzimi, si një dhuratë që e sjellin muzat, ka humbur vlerën e tij sakrale. “Një libër shkruan një libër tjetër”…
Mirëpo, unë ende mendoj se këta dy faktorë, dmth, frymëzimi dhe puna, janë aq të ndërlidhur sa nuk i ndajmë dot. Por, frymëzimi, jo si një atmosferë e vendosur nga Muzat, por si rezultat i një procesi të gjatë e të pafund leximi, meditimi e persiatjeje.
Sa jeni sistematik në të shkruar?
– Lexoj çdo ditë dhe shkruaj kur e ndiej se është mbledhur diçka që duhet hapur udhën…
Sikur t’fillonit nga e para, do t’bëheshit sërish shkrimtar apo jo?
– Më së pari nuk e di nëse kam zgjedhur unë të bëhem shkrimtar, apo është vendosur nga faktor tjetë, shpeshherë të panjohur dhe pa më pyetur.
Pa e zgjidhur këtë, nuk mund të them saktësisht ç’udhë do të kisha ndjekur po të mund ta nisja edhe një herë nga e para.
ObserverKult
Lexo edhe:
AGIM VINCA PËR “PIKËLLIMI I BIMËVE” TË PAL NDRECAJT: MOTI NUK MË KA PROVOKUAR NDONJË LIBËR SI KY…
PAL NDRECAJ: SHTËPIA SI GËZHOJË E QENIES DHE QENIA SI INVENTAR I SHTËPISË
PAL NDRECAJ: TAKIM ME DYER TË MBYLLURA
PAL NDRECAJ: PËR GJËRAT QË SHKOJNË DAM
PAL NDRECAJ: MARTINI NISET PËR ATDHE
MALOKU: PAL NDRECAJ KA QËNDRIM KRITIK DHE LIRIZËM TË KËNDSHËM






