Ka me i ça sa e sa shtëllunga resh e rrymash ajri
ka me u përballë me dridhjet që shkaktohen nga gravitacioni i hënës që bën baticat e zbaticat e oqeanit
ka me pasë një fluturim nëpër të gjitha situatat
dhe kushtet atmosferike
Ka dalë prej Kosove kur s’e dinte ç’do me thanë atdhe
në Fordham University ka hasur në teorinë e Atdheut Planetar
të cilën e ka përqafuar si idenë më të mirë për një botë humane
në shtëpi i kemi thanë se tharmi më i mirë për të është dheu
ku i ka shkelur këmba më së pari
Martini ka me udhëtu duke çarë rrungaja mjegullash
duke sfiduar dridhje e gravitacione
nëpër të gjitha kushtet politike
dhe rrymime të ashpra ka me udhëtu
për me arritë atdheun e tij të përfytyruar
Sot në aeroport më foli për rëndësinë e Atdheut Planetar
dhe në fytyrë ia pashë gjurmët e sfidave
me të cilat u përball Rendi i Ri Botëror
dhe të gjitha shkaqet që e bënë atë të dështojë
të cilat në fytyrën e njerëzimit kanë me hapë
dy linja vertikale prej syve tek goja
nëpër të cilat ka me rrjedhë tash e për shumë vite
lëngu i hidhur i shijes së keqe
që kanë me ndie popujt për njëri-tjetrin.