Pal Ndrecaj: Me poetin e diplomatin Kujtim Morina

Pal Ndrecaj

Me autorin e librit “Dehja nën mjegull”, Kujtim Morina, nga Hasi i Shqipërisë, njeri i angazhuar edhe në diplomacinë shqiptare, kemi pasur rastin të njihemi përmes shkrimeve të publikuara nëpër rrjetet sociale. Dhe, si hasjanë që jemi, kur hetojmë ndonjë shkëndijë suksesi tek njëri-tjetri, nxitojmë ta bëjmë dritë. Tamam kështu bënin etërit tanë nga Hasi i thatë, kur shihnin ndonjë burim uji – nxitonin ta bënin rrjedhë.

Ndenjëm pak orë në Kodër të Çabratit, në restoranin “Oksigjen”. Aq sa mjafton vetëm për t’i prekur temat e interesimeve tona. Ato për të kaluarën e Shqipërisë, të Kosovës, të Hasit. Për mënyrën si e kishin konceptuar në kohën e komunizmit jetën e tjetrit në anën e kundërt të kufirit. Për Shqipërinë si një “Kopsht me lule” dhe për Jugosllavinë si një përfyfyrim i mjegullt. Për artin në të dyja anët, për politikën, për gjuhën letrare, për shpërfilljen që i bëjnë disa shkrimtarë asaj, për vlerën që ka ajo në jetën e kombit, për jetën në përgjithësi dhe për ëndrrën e kahmotshme për bashkimin e plotë të dy pjesëve të kombit në një shtet. Kush e ka parë këtë ëndërr më shumë e më gjatë se Hasi, nëpër trupin e të cilit ka kaluar gardhi me gjemba i dy politikave gjembore, siç ishin ato të Shqipërisë e të Jugosllavisë, i cili gardh ngjyrosi me gjak dhe ndau fshatrat nga qyteti, rajonet nga qendrat, gjymtyrët nga koka.

Ndejën me Kujtimin e vazhdova me poezitë e tij.
Mbrëmjen e kaluar dhe gjithë paraditën e sotme ua kushtova atyre – rreth, 80 poezi, të shkruara me pedantëri e kulturë, të pasura në kuptime dhe që të kënaqin me gjuhën e bukur poetike.

Është poezi e njeriut që i ka definuar mirë e qartë konceptet e tij për jetën e për artin, të cilat koncepte, pastaj, i artikulon artistikisht me mjete të duhura.
Ai shkruan për dashurinë, për rininë, për kujtimet, për bukuritë e natyrës të zhvilluara në shkallë bukurie artistike, duke luajtur me ngjyrat e liqenit e të qiellit. Poezia e tij ka edhe zërin e protestës. Proteston lulja e dhomës, që nuk është e kënaqur me aq dritë sa hyn nga dritarja, protestohet kundër tjetërsimit moral, për shkak të “dyndjes së vesit”, “mbetjes në startin e pandryshueshëm të zhbërjes”. Ajo ka zërin e kërkesës për t’ia pastruar dashurisë “rrjedhat e rrëkezat/ nga ashklat e mbeturinat/ që uji të jetë i pastër si kristali”; ka zërin e pendesës për vrasjen e dashurisë me mospërfillje. Poeti kërkon daljen e njeriut të kohës sonë nga gëzhoja e heshtjes, që është një lloj me gëzhojën e egos: “Edhe kur vjen nuk je këtu/thuaje një fjalë se botën ta kam falë”; kërkon thellimin në thelbin e çështjeve dhe është kundër përceptimit sipërfaqësor, “Kap një gjest apo vështrim/ dhe përpiqesh të kuptosh rrjedhën e gjërave”.
Leximi i këtij libri ka çuar më tej njohjen time me krijuesit shqiptarë të këtyre brezave e me veçoritë e kësaj poetike.
Largësia fizike nuk ekziston në kohën e internetit.
Në kohën e internetit ekziston mjegulla, por ajo shprishet pak nga pak, duke njohur e duke zgjedhur.

ObserverKult


Lexo edhe:

PAL NDRECAJ: ARTI NUK ËSHTË PËR TË NA MËRZITUR, POR PËR TË NA GËZUAR