Poezi nga Pandi Laço
Tirana që ndahej më dysh
Të Vjetrën dhe të Renë
Tirana që mundohet të fshehë rudhat e thinjat
Po fajde s’bën, as mrekullia me Dervish Hatixhenë
Tirana e xhiros
Që bënte dashuri në bulevardin e saj
E që sot “luxuria” e ka zhytur në mëkate e faj
Tirana
Ku rrugë e Durrësit, Kavajës, Dibrës dhe Elbasanit
Ishin Arteriet e një zemre të etur
Tirana,
Me dhjetëra “stent”-e e “bypass “- e
Por që ende s’ka vdekur
Tirana me mushkëri atleti,
ndonëse konsumonte “Partizani”, e “DS”
Tirana me ballkonin e Dajtit
Ku mes smogut nuk arrin të shquash asgjë
Tirana e Shallvareve, Zogut të Zi, e qerpiçit
Tirana e kullave e oligarkëve
Mbirë në mes të hiçit
Tirana që bënte sikur flinte pas lajmeve të 10-s
E mbante frymën me sy në perëndim
Tirana që nën efektin e kokainës
Tashmë nuk ka as ëndrra e as zgjim!
Tirana e Përnaskës, “doktorit”, Gim Fagut
E derbit dhe skuadrës së “Tironës”
Tirana e “Lupenëve” dhe “turistëve të momës”
Tirana e Broadway-t, dhe e Cenit që të bënte “dermon”
Tirana që sot është obeze e “krahthyme”
me eshtra “soleta beton “
Tirana e këngëve të liqenit, dhe Fitnetit,
Tirana e klubeve të tallavasë
Dhe e merimangave të internetit,
Qyteti i të gjithëve
“Tironsve”, e “mysafirëve”
Tirona e dëshiruar
Tirana e sfilitur
Që sot ndihet e tradhtuar!
ObserverKult
Lexo edhe: