Parku Divjakë-Karavasta parajsa e turizmit natyror

Zëvendëskryeministri Erion Braçe, i ka bërë ftesë qytetarëve dhe turistëve të vizitojnë Divjakën, një nga destinacionet më të preferuar për turizmin detar, natyror dhe të vëzhgimit të shpendëve ujorë.

“Shihe nga lart tani dhe shko ku të duash me biçikletë e varkat tona. Merr frymë thelle aq sa mushkëritë të ndjejnë ajrin e pastër të një parku natyral, kurrë të prekur nga ndotja. Aty e ke, 50 minuta larg nga çdo drejtim”, shprehet Braçe.

Plazhi, laguna dhe pylli që e rrethon janë tre asetet kryesore të zhvillimit të turizmit në Divjakë, krahas monumenteve të kulturës që ndodhen në zonë.

Me një kullë panoramike, varka për të shëtitur vijë ujore përgjatë gjithë parkut, pyllin e gjelbëruar dhe me larmishmëri shpendësh janë disa nga aventurat që nuk duhen humbur kur viziton këtë park të rijetësuar.

Gjatë sezonit turistik në këtë park ofrohet një guidë prej 5 km, ku vizitorët njihen me gjallesat dhe bimësinë e parkut.

Vendet më të preferuara nga vizitorët janë “Ishulli i Pelikanit”, Këneta e Madhe ku jeton Pelikani, por edhe shpendë të tjerë dhe Këneta e Vogël, ku kryesisht strehohen Flamingot dhe Rosat e Egra.

Parku Kombëtar Divjakë-Karavasta është një zonë e mbrojtur në zonën bregdetare të Shqipërisë, që përbëhet nga ekosisteme komplekse, shumë të pasura në biodiversitet dhe burime natyrore.

Parku është shpallur si zonë e mbrojtur natyrore për shpendët e ujit, si ligatinë me rëndësi ndërkombëtare sipas Konventës së Ramsarit, që nga viti 1995.

Zona e parkut kombëtar Divjakë-Karavasta është zona më e rëndësishme komplekse e Shqipërisë për sa i përket biodiversitetit./atsh