Pas 3 muajsh i mbyllur, rihapet Koloseumi në Romë

Atraksioni më i njohur turistik në Itali, Koloseumi është rihapur, pas tre muajsh i mbyllur për shkak të pandemisë së Covid-19. Koloseumi me mijëra turistë do të mbetet një kujtim tashmë, pasi sipas rregullave të vendosura, vetëm një numër i kufizuar prej 200-300 vetësh do të lejohen brenda.

Një tjetër ndryshim është se vizitat do të bëhen me prenotime, do të ketë kontroll të temperaturës dhe maskat do të jenë të detyrueshme.

“Koloseumi rihapet, një vend i zemrës dhe shpirtit, një simbol për kulturën, Italinë dhe botën. Ne duam që kjo të jetë një shenjë shprese, paqeje dhe rilindjeje”, tha drejtoresha e Parkut Arkeologjik të Colosseum, Alfonsina Russo.

Përgjatë vitit 2019, 7.5 milione njerëz e vizituan amfiteatrin, duke e bërë atë një nga monumentet më të vizituara në vend. I ndërtuar nga perandori romak Vespasian, amfiteatri mund të priste deri në 50.000 spektatorë që mund të shihnin përballjet e gladiatorëve, madje edhe ekzekutime.