“Pasqyra dhe hija” e arbëreshit Mario Bellizzi, tashmë në librari

mario bellizi

Shtëpia Botuese Littera solli për lexuesit, librin më të ri të autorit Mario Bellizzi, “Pasqyra dhe hija”.

Disa fjalë për librin

Pasqyra dhe hija- Poezi kurbeti nga Ballkani në Mesdhe,  e sjellin autorin arbëresh Mario Bellizzi me poezitë e tij më të reja te lexuesit në Kosovë e Shqipëri.

“Në lëmshin e madh të botës së sotme me shkrirjet dhe universalizimin, Bellizi parapëlqen të shohë nga afër dhe nga brenda “bashkësive mjaft të vogla dhe tradicionale, në të cilat të ketë mbetur e gjallë lidhja midis kulturës, gjuhës dhe mendimit, të saktësuar dhe të konsoliduar në rrjedhën e një historie kulturore”, siç parapëlqen ai të thotë me fjalët e etnolinguistit italian G. R. Cardona”, shkruan akademik Rexhep Ismaili në parathënien e librit.

“Në letrat shqipe/ arbërore Mario Bellizzi, më shumë se si studiues dhe përtej të qenit i revoltuar i përjetshëm, përtej nevojës për të mos e fshehur këtë, më shumë se veprimtar, është sot një nga të shquarit e poezisë arbëreshe”, thekson Ismaili.

Disa fjalë nga autori

Umbra – spectrum – speculum, Hije – lugat – pasqyrë

Ky është një varg fushash heterotopike të cilat në projektim tregojnë një prani gjërash dhe lëndësh të vendosura në prag të paraqitjes: re-trahere etimologjikisht ‘vë në vendin e duhur’ që mendja kap në të njëjtën mënyrë dhe që kanë të njëjtin kuptim.
Pasqyra në të cilën e shohim veten aty ku nuk jemi, d.m.th. te një vend jo-real i cili hapet virtualisht prapa sipërfaqes është, në të njëjtën kohë, një vend patjetër i vërtetë, lidhur me gjithë hapësirën që e rrethon.
Michel Foucault (Fjalët dhe gjërat. Një arkeologji e shkencave njerëzore) zbuloi konceptin e heterotopisë dhe përshkruajti pasojat e saj: “Heterotopitë shqetësojnë, patjetër pse dëmtojnë fshehurazi gjuhën e përditshme, pse ndalojnë të thuhet këtë dhe atë, pse thyejnë dhe ngatërrojnë të thënat të përgjithshme, pse prishin para kohe ‘sintaksën’ dhe jo vetëm atë që ndërton fjalitë, por tjetrën më të fshehtë që ‘lidh’… fjalë  dhe gjëra. (…) heterotopitë (si ato që hasim herë herë te Borges) shterpojnë bisedën, ngatërrojnë fjalët ndër to, vënë në dyshim nga rrënjët çdo rregull në gramatikë, mbështjellin mitet dhe shterpojnë lirizmin e fjalive”.
Poetët me gjasë, në një luftë të pabarabartë, nga ajo atmosferë shqetësuese mundohen të gjejnë mbetje lirike për të thurur përsëri të pranishmen dhe të ardhmen me të zbriturit e “një gjuhe që gëlltitet dhe përtipet ajo vetë, që vjell edhe një mbetje natyrore – të tijën- që s’mund as ta përvetësojë as ta barazojë me të përgjithshmen fuqi të konceptit” dhe në përputhje “me sa ndëlgohet/kuptohet në atë, (…), lëhet me një fërfëllimë të flatrave tokën natyrore dhe sjell me veten trupin e tij natyror” (J. Derrida, Glas).
Poezia, me një pëlhurë bisedore, rrënjore dhe subversive në ëndërrimin e saj, por në kufijtë e endofazisë, e mbushur me vegime për shkak të vërshimit të vazhdueshëm të ngjarjeve e së tashmes në të kaluarën, dhe anasjelltas, tregon në gjuhën e saj, dhe përmes saj, zhvendosje dhe prita shpëtimtare e një të përjetshëm gjetiu. Poezitë janë jashtë vendit, dhe joaktuale, sipas Nietzsche, d.m.th veprojnë kundër kohës, brenda kohës dhe për ardhmen, janë radhitur me fjalë të vdekura a grisura, të huazuara prej tokës/detit lindor të një etnie shqiptare: arbëreshët, e cila u vendos në Italinë jugore në shek. XV. Shqipëria: e  kalura – shek. XV – mishëruar me një të tanishme gjeografike e antropologjike tjetër në Itali

Shënime për autorin

Mario Bellizzi, poet arbëresh, u lind në Shën  Vasil, në Kalabri (Italia jugore). I diplomuar për  matematikë, kujdeset për historinë dhe etnologjinë  e pakicës së tij etnike.
Ndër botimet e tij veçojmë: Shën Vasili i Madh, 1995; Who are we now?, 1997;  Vallja e Zaravet, 2000;  Jan di lula monosaqa, 2004; Last exit to Bukura Morea, 2005; Anemoni i kuq dhe zogjtë e De Radas, 2006; Me Dionisin drejt Konstandinopojës, 2006; Good bye Shin Vasil, 2008; Kisha e refugjatëve, 2014; Gjeometrat e mbretit, 2018; Lo specchio e l’ombra, 2018; Nimfa dhe pjazma e heshtjevet, 2021; E ardhmja qëndron diku tjetër, 2022.
Shumë antologji në Itali dhe gjetkë përmbajnë  poezitë e tij të përkthyer në: kinezisht, arabisht,  finlandisht, anglisht, rumanisht, flamane, shqip.

——

Botimi i libri “Pasqyra dhe hija” e Mario Bellizzit, nga Shtëpia Botuese Littera, u përkrah nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit e Republikës së Kosovës.  

Për ballinën dhe dizajnin u kujdes Fahredin Spahija.
Librin tashmë mund ta gjeni në librari.

ObserverKult

Lexo edhe:

‘LITTERA’ BOTON: BELLIZIN, TOPANICËN, EMININ, MALIQIN, ADEMIN DHE DABISHEVCIN