Paul Eluard: Dashnorja

Aktorja suedeze, Harriet Andersson (lindur më 1932), në skenën e një filmi të mirënjohur të vitit 1953...

Ajo rri çuar mbi qepallat e syve të mi
Dhe flokët e saj janë në të mitë
Ajo ka trajtën e duarve të mia,
Ajo ka ngjyrën e syve të mi,
Ajo gëlltitet në hijen time
Ashtu si një gur ndaj qiellit.

Ajo ka gjithnjë sytë e hapur
Dhe s’më lë të fle.
Ëndrrat e saj në kulm të dritës
Bëjnë që diejt të avullojnë,
Më bëjnë të qesh, të qaj e të qesh
Të flas pa pasur se ç’të them.

Përktheu: Edon Qesari

———————————————————

LEXO EDHE: JEHUDA AMIHAI: UDHËZIM PËR DASHURI TË MBARË

Udhëzim për dashuri të mbarë: Kurrë mos dashuro
një grua e cila vjen nga larg. Zgjidh një që
banon pranë teje,
siç një shtëpi me merak do të zgjidhte gurë nga ata të zonës përreth saj,
gurë që kanë hequr nën të njejtin kallkan
dhe janë përcëlluar nën të njejtin diell.

Zgjidh të vetmen që ka kurorë të artë
përreth bebes zijoshe të syrit, se ajo ka dije të pakundërshtueshme
mbi vdekjen tënde. Gjithashtu, mos harro
ta dashurosh në mes rrënojash, si të ishe duke marrë
mjalt nga kufoma e një luani të vrarë prej Samsonit.

Dhe udhëzim për dashuri të dëmshme: Me
dashurinë e braktisur
prej asaj të shkuarës
gatit një grua të re për veten,
mandej, me ç’mbetet prej saj
gatit përsëri një dashuri të re,
dhe vazhdo siç e ke nisur
deri sa të mos ketë mbetur më hiç.

Përktheu: Edon Qesari

——————————————————————–

LEXO EDHE: ROBERT DESNOS: KAQ SHUMË ËNDRRA ME TY KAM PARË…

Kaq shumë ëndrra me ty kam parë sa ti zgjimin tashmë ke humbur.
Jam vallë ende në kohë të mund të të prek
Dhe në ato buzë të puth ardhjen në jetë
Të zërit që kaq përzemër kam?

Kaq shumë ëndrra me ty kam parë sa krahët e mi,
Prej zakonit hijen tënde përqafojnë
Dhe shartohen në gjoksin tim, sepse mbase
Dot s’lakohen nëpër harqet e shtatit tënd…

POEZINË E PLOTË E GJENI DUKE KLIKUAR KËTU