Paul Harvey: Po të isha vetë djalli…

Po të isha Princi i Territ, do ta qarkoja tërë botën në errësirë. Dhe do ta kisha një të tretën e patundshmërive të saj, dhe katër të pestën e popullsisë, por s’do të dëfrehesha deri ta zaptoja edhe mollën më të bërë të pemës — Ty. Kështu do t’bëja ç’është e nevojshme për t’i kapur e gllabëruar SHBA-të. Do t’i përçudnoja kishat të parat — Do të filloja me një fushatë pëshpëritjesh.

Me urtësinë e gjarprit, do të t’pëshpëritja ty atë që i pëshpërita Evës: “Bëj ç’të duash”. Të rinjve, do t’u pëshpëritja që “Bibla është një mit”. Do t’i bindja që njeriu e krijoi Zotin e jo anasjelltas. Do u rrëfeja në mirëbesim se ç’është e keqe është e mirë, dhe se ç’është e mirë është “e prapambetur”. Dhe të moshuarve, do t’u mësoja të luten, pas meje, “O Zoti ynë, që je në Uashington…”.

Dhe pastaj do të organizohesha. Do t’i edukoja autorët si ta bëjnë tërheqëse vezullimën e letërsisë sensacionale, në mënyrë që gjithçka tjetër të duket e lodhshme dhe e mërzitshme. Do t’i kërcënoja televizionet me filma më të fëlliqur dhe anasjelltas. Do t’u ngisja narkotikët kujt të mundesha. Do t’u shisja pije alkoolike zonjave e zotërinjve të shquar. Të tjerët do t’i urtësoja me hape e tableta. Po të isha vetë djalli, shumë shpejt do t’i vija familjet në luftë mes vete, kishat në luftë mes vete, dhe kombet në luftë mes vete; deri sa secili me radhë do të harxhohej e davaritej.

Dhe duke u premtuar shikueshmëri më të lartë, do t’i nxitja mediet hipnotizuese t’i frynin flakëve. Po të isha vetë djalli do t’i inkurajoja shkollat t’i rafinojnë intelektet e reja, por ta shpërfillin disiplinimin emocional — thjesht t’i lënë të tërbohen, deri në pikën kur pa u vënë re fare, do të nevojiteshin qen nuhatës dhe detektues metalesh në portat e secilit objekt shkollor.

Brenda një dekade do t’i vërshoja burgjet, do t’i shtyja gjyqtarët të promovojnë pornografi — shumë shpejt do ta dëboja Zotin prej sallave gjyqësore, pastaj edhe prej objekteve shkollore, dhe pastaj edhe prej dhomave të Kongresit. Dhe mu në kishat e Tij do ta zëvendësoja fenë me psikologji, dhe do ta hyjnizoja shkencën. Do t’i tundoja priftërinjtë dhe pastorët që t’i abuzojnë djemtë e vajzat, dhe paratë e kishës. Po të isha djalli vetë, do ta bëja simbol të Pashkëve një vezë dhe simbol të Krishtlindjeve një shishe. Po të isha vetë djalli do t’merrja prej atyre që kanë, dhe do t’u jepja atyre që duan deri kur ta kisha mbytur shtysën e ambiciozëve.

Dhe mbi çka do të vëmë bast që shtete të tëra do t’i bëja ta promovojnë bixhozin si mënyrën për t’u pasuruar? Do paralajmëroja t’kihet kujdes nga ekstremet dhe përpjekja e zellshme në Patriotizëm, në sjelljet e moralshme. Do t’i bindja të rinjtë që martesa është e dalë mode, që shthurja është më argëtuese, që ajo që shikon në televizion është rruga e duhur. Dhe kësisoj, do t’mund të t’zhvishja ty në publik, dhe do t’mund të të joshja gjer në shtrat me sëmundje për të cilat nuk ka shërim. Me fjalë të tjera, po të isha djalli do t’vazhdoja ta bëja mu këtë që ai po bën. Paul Harvey, ditën e mirë.

Përkthyer nga Synim Selimi