Paulo Coelho: Si mund të urrej një njeri që më ka dhënë vetëm dashuri?

paulo coelho
Paulo Coelho

Paulo Coelho, autori brazilian i shumë librave të përkthyer në të gjithë botën, është një ndër shkrimtarët më të mirë të kësaj epoke, i nderuar me qindra çmime të rëndësishme.

Në vazhdim mund ta lexoni një fragment të shkëputur nga romani i tij: “Veronika vendos të vdesë”

Nga: Paulo Coelho

«Nuk duhej të më pyeste ashtu. Kërkon të marrë vesh përse qava? Vallë nuk e di se jam njeri plotësisht normal, që ndan dëshirat dhe lotët me të gjithë, se ajo pyetje, tashmë tepër e vonuar, më kallte datën?»

Ndërsa përshkonte korridoret e ndriçuara nga e njëjta dritë e zbehtë si e infermierisë, Veronika kujtohej se ishte tepër vonë: nuk do të arrinte kurrë ta sundonte frikën.
«Duhet ta sundoj veten. Jam një njeri që i çon deri në fund vendimet që merr.»

Ishte e vërtetë se gjatë jetës shumë gjëra i kishte shpurë deri në fund, por ato ishin vetëm gjëra pa rëndësi. Kishte bërë vaki t’i vazhdonte grindjet, të cilat mund të zgjidheshin me një të falur, ose të mos i telefononte një të dashuri sepse marrëdhëniet me të i quante pa bereqet. Nuk kishte bërë lëshime pikërisht për gjërat më të vogla, për të dëshmuar se ishte e fortë dhe mos kokëçarëse, ndërkohë që, në të vërtetë, ishte e brishtë dhe nuk kishte ndritur kurrë në mësime ose në veprimtaritë sportive të shkollës. Në familje nuk kishte ditur të vendoste mirëkuptimin.

Kishte kapërcyer disa të meta të vogla për të pësuar humbje në fushat themelore. Hiqej si grua e pavarur, ndërkohë që kishte shumë nevojë për shoqëri. Kur shkonte diku, të gjithë kthenin sytë nga ajo, por, në përgjithësi, e kalonte natën vetëm, në kuvend, para televizorit që nuk i kapte me miza stacionet. Të gjithë miqve u kishte krijuar përshtypjen se ishte model i lakmuar dhe se kishte harxhuar energjitë më të vyera për të mbërritur në lartësinë e imazhit që kishte krijuar vetë.

Për këtë arsye nuk kishte më fuqi për të qenë ajo që ishte, një njeri që, si të gjithë, për të qenë i lumtur, kishte nevojë për të tjerët. Por sa të vështirë ishin të tjerët! Kishin sjellje të paparashikueshme kur merrnin masa mbrojtëse. Ashtu si ajo, tregoheshin moskokëçarës për gjithçka. Kur ndeshnin dikë që ishte më i hapur në jetë, ose e braktisnin në çast, ose i shkaktonin vuajtje, duke e gjykuar inferior dhe «leshko».
Shumë bukur. Ndoshta kishte tërhequr vemendjen e shumë njerëzve me forcën dhe vendosmërinë e saj, por deri në çfarë shkalle?

Zbrazëti. Vetmi e plotë. Viletë. Paradhomë e vdekjes.
Brenga, ngaqë ishte përpjekur të vriste veten, ngriti krye. Veronika e largoi sërish me këmbëngulje, sepse tashmë provonte një ndjenjë që nuk ia kishte lejuar kurrë vetes: urrejtjen.

Urrejtja. Mund ta kishte prekur energjinë shkatërrimtare që çlirohej nga trupi, pothuajse aq konkrete sa muret, pianot ose infermieret. E la ndjenjën të shuhej, pa u shqetësuar të merrte vesh në ishte e mirë apo e keqe. I kishte ardhur në majë të hundës me vetpërmbajtjen, me maskat dhe sjelljet e duhura. Për dy a tri ditë jetë që i mbeteshin, Veronika donte të ishte plotësisht e pasjellshme.

E kishte nisur duke qëlluar me shpullë një burrë më të moshuar se veten. Kishte humbur qetësinë me infermieren, nuk kishte pranuar të tregohej e sjellshme dhe të kuvendonte me të tjerët kur kishte qejf të rrinte vetëm dhe, tani, ishte tepër e lirë për të ndjerë urrejtjen-dhe, një kohësisht, mjaft e zgjuar, për të mos shkatërruar gjithçka rreth vetes, çka do ta detyronte ta mbyllte jetën në një shtrat, e kafshëruar nga qetësuesit.

Atë çast përbuzi gjithçka që mundi: botën, karriken që ndodhej para saj, radiatorin e thyer në një korridor, njerëzit e paqortueshëm, kriminelët. Ishte shtruar në një spital psikiatrik dhe mund të ndiente gjëra që qeniet nejrëzore ia fshehin vetes, sepse edukata na mëson vetëm të duam, të përulemi, të kërkojmë rrugëdalje, të shmangim zënkat. Veronika urrente gjithçka, por, mbi të gjitha mënyrën se si kishte jetuar, pa zbuluar asnjëherë qindra Veronikat që gjallonin brenda saj dhe që ishin tërheqëse, të çmendura, kureshtare, guximtare, të gatshme për të rrezikuar.

Dikur kishte ndjerë edhe urrejtje për njeriun që donte më shumë në botë: nënën. Për bashkëshorten e përkryer që punonte tërë ditën dhe në darkë lante enët, duke sakfrifikuar jetën që e bija të shkollohej mirë, të mësonte pianon dhe violonën, të vishej si princeshë, të blinte atlete dhe këpucë të shtrenjta, ndërkohë që ajo vetë arnonte fustanet që vishte prej kohësh.

«Si mund të urrej një njeri që më ka dhënë vetëm dashuri?»-mendoi Veronika, e turbulluar nga dëshira për t’i korrigjuar ato ndjenja. Por ishte tepër vonë, urrejtja kishte këputur frerët. Ajo ia kishte hapur dyert e ferrit. Urrente dashurinë që i kishin falur, sepse nuk i kishin kërkuar gjë në këmbim të saj, çka ishte absurde, jorealiste, dhe binte ndesh me ligjet e natyrës.

Ajo dashuri kishte mundur ta mbushte me fajësi dhe e kishte shtyrë të pajtohej me dëshirat edhe pse kjo nënkuptonte dorëheqjen nga ëndrrat që kishte bërë për të ardhmen. Ajo dashuri ishte përpjekur t’i fshihte, për vite me radhë, sfidat e jetës dhe kalbësinë e botës, duke harruar se një ditë do t’i zblonte dhe nuk do të kishte asnjë mburojë për t’i përballuar.

Po të jatin? Edhe atë e urrente. Ndryshe nga nëna që punonte pareshtur, ai dinte të jetonte, e shpinte në bare dhe në teatër, argëtoheshin së bashku dhe, kur ishte ende i ri, ajo e kishte dashur fshehurazi, jo si baba, por si burrë. E urrente ngaqë ishte aq tërheqës dhe aq i dashur me të gjithë, me përjashtim të nënës, e vetmja që e meritonte me të vërtetë.

Ajo urrente gjithçka. Bibliotekën me stivën e librave plot shpjegime për jetën; kolegjin ku kishte qenë e detyruar të kalonte netë të tëra duke mësuar algjebrën, edhe pse nuk njohu asnjë njeri –veç profesorëve dhe matematikanëve –të cilit t’i duhej algjebra për të qenë më i lumtur. Përse e kishin detyruar të studionte aq shumë algjebër, gjeometri dhe një mal me lëndë të tjera fare të panevojshme?

*Shkëputur nga romani i Paulo Coelho: “Veronika vendos të vdesë”

Përktheu: Nonda Varfi

Përgatiti: A. S.- ObserverKult


Lexo edhe:

HOMAZHI POETIK NË KUJTIM TË ADEM GASHIT HAP FESTIVALIN POETIK TË PRISHTINËS