“Pavarësia”, poezi nga Ndue Ukaj

Ndue Ukaj


Pavarësia është nata e gjatë e dhembjeve
dhe dita e gjatë e dëshirave;
është zëri i atyre që jeta i ka rrëzu’
dhe zëri i atyre që zgjohen me dëshira për t’u lartësu’,
një zë që bëhet orkestër dhe i mbledh
një nga një
dëshirat,
dhembjet dhe i strehon
në këngën e madhe të dashurisë njerëzore.

Pavarësia është shkollë,
po, shkollë e gjatë e jetës.

Nuk mësohet në një ditë,
nuk është deklaratë politike
dhe më së paku një deklaratë shtypi.
Ajo mësohet përditë,
mëngjeseve blu dhe netëve të errëta.

Pavarësia nuk është një akt, një gjendje, një fjalë.
Është një udhë e gjatë nëpër trajektoret e jetës.
Kur ke kryq mbi shpinë, gjithmonë pranë teje
ndodhet një Veronikë dhe t’i fshin djersët,
një tjetër të ndihmon të bartësh kryqin e të ecësh.

Pavarësia është shkolla e bukur e dashurisë
dhe shkolla e dashurisë nuk është
gëlqere e bardhë sa për t’i mbuluar njollat e zeza.
Ajo është shkollë e pambarim e jetës,
me themele në miliona dëshira të zvetënuara
e në miliona që lindin përditë.

Flamuri nuk është alfa e jetës, as qëllimi.
Simbolet e vërteta janë sytë e njerëzve.
Kur ata janë të gëzuar, ka pavarësi të plotë,
kur janë të pikëlluar, ka veç trishtim.

Po, pavarësi është lidhja
e miliona fijeve të këputura e të tretura.
Është kambana që bie pa pushim
dhe thërret t’i dëgjosh ata
që kanë nevojë për dritë kur janë të zhytur n’terr,
që kanë nevojë për strehë kur janë n’stuhi.

Po, pavarësi është shumësia e zërave
që i dirigjon një orkestër e mrekullueshme
dhe t’i dëfton fytyrat e atyre syve të bukur
që kurrë s’u mbyllën
kur mbi ta ranë plumba,
granata dhe ua copëtuan gjymtyrët.
Është pikëllimi i atyre
që kaluan nëpër një mijë rrathë ferri.

Pavarësia nuk është jeta e prijësve,
e atyre që me epsh shohin veç naltësi
dhe rrallë u ndodh të shikojnë teposhtë.

Pavarësi nuk janë kufijtë që ruhen me ushtarë,
as deklaratat shterpe të prijësve,
deklaratat e ethshme të atyre që kanë role të aktrojnë
dhe përherë dëfrehen kur shohin budallenj
të nënshtruar te këmbët e tyre.

Pavarësia janë hartat e shpirtit,
tingujt që përbëjnë një orkestër të madhe,
me njerëz të veshur bukur e sygëzuar,
që bashkohen
për ta rrëzuar kultin e dhunës
dhe me dëshira njerëzore
ndërtojnë monumentin e dashurisë.


17 shkurt 2023

ObserverKult


Lexo edhe: