Pazari i Vjetër, një nga atraksionet kryesore në Korçë

Korçë

Pazari i Vjetër (i ri) është tashmë një nga atraksionet kryesore në Korçë, teksa përmirëson klimën e biznesit dhe tërheq turistë nga e gjithë bota.

Drejtoresha e USAID-it në Shqipëri, Mischere Kawas vizitoi javën e shkuar qytetin e Korçës, njoftoi sot Ambasada e SHBA.

Kawas u takua me kryetarin e bashkisë, Sotiraq Filo. Ajo diskutoi me të mbi hapat e ardhshëm për të sjellë teknologjinë risi Smart City në Korçë. Kjo do të nxisë rritjen ekonomike dhe do të përmirësojnë jetën e banorëve.

Gjithashtu Kawas vizitoi Muzeun e Fotografisë “Gjon Mili”, Muzeun Kombëtar të Arsimit dhe Muzeun Kombëtar të Artit Mesjetar.

Ajo së bashku me Administratoren për Përmirësimin e Turizmit të Qarkut të Korçës të AADF Erifiola Gaçe, vizituan Pazarin e Vjetër. AADF është krijuar në vitin 2009 me mbështetjen e USAID-it. Ky Fond u krijua për të zhvilluar një sektor privat të qëndrueshëm dhe për të nxitur demokracinë në Shqipëri. Ka dhënë 1.61 milion dollarë për të rigjallëruar Pazarin e Vjetër. Me këtë rast janë gjeneruar më shumë se 2.7 milion dollarë investime nga bizneset.

“Pazari i Vjetër (i ri) është tashmë një nga tërheqjet kryesore në Korçë, teksa përmirëson klimën e biznesit dhe tërheq turistë nga e gjithë bota. Ne jemi krenarë për punën dhe bashkëpunimet e USAID/Albania, të cilat e kanë bërë qytetin e serenatave akoma edhe më shumë të gjallë dhe dinamik!”, theksoi ambasada e SHBA në një postim në rrjetet sociale./ATSH

*AADF- Fondit Amerikano-Shqiptar për Zhvillim

ObserverKult

Lexo edhe:

KORÇA SËRISH NIKOQIRE E POETËVE NGA VENDE TË NDRYSHME TË BOTËS