Pëllumb Kulla: Të qaje me lot, ishte pak

Pëllumb Kulla - Avni rustemi

Nga Pëllumb Kulla


Kujtime

Pranoj me dhimbje se brezit tonë, atëherë, i dukeshin të natyrshëm vargje të tillë të një kënge të ashtuquajtur popullore kur e dëgjonte atë nga skena, nga radjoja dhe ekrani:
“Fal me shnet, nana Llesh Palit/ hiç mos t’dhimbet jeta e djalit/ ke Partinë ke dhe shtetin/ ke Enverin dhe Mehmetin.”

E përfytyroni dot ju, një nënë që i është vra rë djali në kufi dhe ajo pushon kujën, sapo e sigurojnë nga skena e Festivalit të Gjirokastrës(!) se asaj vërtet i është vrarë i biri, por bir, djalë, tani e tutje ajo do të ketë… Enverin?!
Një këngë tjetër, e frymëzuar nga mirënjohja për Sigurimin e Shtetit:
“Pa gëdhirë u ngrit sot fshati/ shumë të madh kemi gëzimnë/ arrestohet sot Refati/ do t’këndojmë për Sigurimnë!”

Përfytyrohet, fshati me banderola, për festë, orkestrina me klarineta dhe dajre, njerëz të gëzuar e të veshur si për dasmë, meqënëse atë ditë do të arrestohej një bashkëfshatar i tyre!
Këto janë perla të artit grotesk, për zili të botës mbarë! Dhe mua, sinqerisht, më vjen turp, që sot këto këngë më duken shumë qesharake dhe nuk më dukeshin edhe aq shumë, atëherë, kur u kënduan!

Në dramaturgji vërshuan shkrimtarët diletantë. Shkruanin drama kooperativistët, kufitarët… Personazhet e tyre ishin komisarë, sekretarë partie, koperativistë patriotë. Gjuha që përdornin ishte e tëra e nxjerrë nga veprat e Enverit. Por njësoj si këta skriptomanë diletantë, këtë gjuhë e bënë të tyren dhe profesionistë me emër, që shkruanin kësisoj:
“Dhe u ul partia në kllanik… Unë i vura asaj përpara një sahan me fasule. I dhashë asaj një lugë pe druri dhe, një herë merrnja fasule unë, një herë ajo. Pastaj unë shtiresha sikur gjoja e mbushnja lugën. Që mysafirja-Parti të hante më shumë fasule. Por ajo më pikasi dhe më tha: aaa, jo ashtu, Bato! Jo ashtu! Fasulet do t’i hamë pa hile, njëherë unë e njëherë ti!”

A mund të gjejmë shenjë metafore poetike në një tekst të tillë? Kjo lloj gjuhe, edhe me të tepërt, bile, gjendej pastaj në dramaturgjinë e posaçme për kopshtet, në radio-dramat, ku fëmijët, që në moshë të njomë, dëgjonin slogane tepër të njohur enverianë, të vënë në gojën e personazheve-pula që zotoheshin të “luftonin dhëmb për dhëmb me armikun”, (a ka dhëmbë pula?!). Apo ato ku personazhi- lopë i frymëzonte lopët e tjera shoqet e stallës, se “ato do të qëndronin të paepura, sikur ta dinin se do të hanin edhe bar!”(Fraza famëkeqe e diktatorit ishte: “Ne nuk i shkelim parimet sikur ta dimë që do të hamë edhe bar!”)

Këtë gjuhë fëmijët e merrnin tok me qumështin e nënës. Gruaja e një mikut tim të ngushtë nga Vlora, më tregoi një episod, që fare mirë ulet këmbëkryq në temën tonë. Ajo e kishte dërguar djalin katërvjeçar për verim në Vuno, tek gjyshërit. Gjyshërit nuk ushtruan asnjë lloj rreptësie për regjimin e djalit dhe ai i prishi tërë llojet e disiplinave. Kur pas dy muajsh djali u kthye në Vlorë, mami vuri re se djali qe bërë i pabindur. Ajo mundohej t’i kthehej veprimeve rutinore, ai kundërshtonte duke qarë. Përshembull, pasditeve ai nuk pranonte që të flinte, siç e pat mësuar e ëma. “Do të flesh, siç ke fjetur më parë se të vije në Vuno!” – i thosh mamaja. “Jo,” ia kthente fëmija katërvjeçar, “në fshat nuk flija!” “Në fshat nuk flije, po këtu do të flesh, se s’bën!” këmbëngulte mamaja. “Jo,” kundërshtonte djali. “Atje nuk flija”. Mamaja e humbi durimin: “Atje ishte fshat,” i tha prerazi më në fund. “Këtu jemi në qytet” Atëhere djali ia plasi të qarit dhe thirri në ndihmë mësimet që ushqeheshin në kopshtin parashkollor: “Neve, edukatorja na ka thënë, se tani e tutje, nuk do ketë më dallime mes fshatit dhe qytetit!”…O Perëndi, ku ishe?!…

(2010.)

ObserverKult

Lexo edhe:

POEZIA E CAMAJT SHKET MES AKULLIT DHE ZJARRIT DUKE KËRKUAR QË…