Për Gjergjin, që vdiq në shtratin e tij pa e prerë shpata e armikut

Nga Leonard Veizi

A ka një paralelizëm të heroit tonë kombëtar me gjeneralë të tjerë të mëdhenj në kohë si Aleksandri i Madh apo Cezari?

Aleksandri dhe Cezari ishin pushtues dhe lavdia e tyre u ngrit mbi skllavërimin e popujve të tjerë. Gjergj Kastrioti e braktisi detyrën e ushtarakut që zaptonte toka për interes të sulltanit osman dhe u kthye në një oficer mbrojtës të vendit të tij.

Në 25 vite të luftës e qëndresës, në krye të arbërorëve ai i bëri ballë ushtrisë më të madhe të kohës, si në rrethimin e kalasë ashtu dhe tek betejat në fushë të hapur.

Asnjë humbje.

Bilanci i Gjergj Kastriotit, të paktën moralisht e bën luftën e tij shumë më të lavdishme se fushatat pushtuese të Cezarit dhe Pompeit. Sepse ata ishin në krye të ushtrisë më të madhe të kohës, asaj të Romës.

Gjergj Kastrioti, – apo Skënderbeu, – 1500 vite më pas, kishte një ushtri gati-gati modeste. Dhe ushtria më e madhe e kohës ishte matanë, përtej Bosforit, që terrorizonte Evropën e lodhur e të përçarë.

Por Gjergji ishte aq strateg, sa dhe sulltan Mehmeti, i biri i Muratit, i cili në 54 ditë luftime mori Kostandinopojën si kryeqendër të Bizantit, kalasë së Krujës, dhe vetë beut Skënder, – siç e kishte titulluar babai i tij, – i mori veç opingat.

Por Gjergj Kastrioti nuk ishte vetëm një strateg ushtarak, ai ishte po aq i madh dhe në politikën e diplomacinë e tij.

I mbiquajtur Iskënder sipas osmanëve, për nder të Aleksandrit të Madh, me një diplomaci fine, – dhe pse në dorë mbante një shpatë të rëndë, – u tregoi shqiptarëve se porta që na lidhte me botën e madhe nuk kalonte aspak nga Dardanelet, por pikërisht mespërmes Adriatikut.

Ai njihet si Skënderi, por në fakt ishte veç Gjergji. Edhe pse emri i Aleksandrit i jepte kurorën e më të mirit ndër gjeneralët botërorë.

Sot e gjithë ditën ne mburremi se dje ka qenë “Epoka e Skënderbeut”. Me portretin dhe stemat e tij kemi zbukuruar pasaportat dhe disa kartëmonedha me vlerë të madhe lekësh.

Ndërsa çdo 29 nëntor, gjithkush që e quan veten shqiptar, ngre në dritaren e shtëpisë së tij gjithashtu një flamur të kuq me një shqiponjë të zezë, që ishte flamuri i principatës së Kastriotëve.

Ne i kemi përvetësuar gjithçka Gjergjit, shpatën dhe përkrenaren, madje dhe ‘sentencën’ e famshme: Lirinë nuk ua solla unë, atë e gjeta mes jush.

Në 25 vitet e tij në krye të arbërorëve, Gjergj Kastrioti dhe ushtria e tij zhvilloi 24 beteja, ndër të cilat tre kishin të bënin me rrethimin e kalasë së Krujës ndërsa një ekspeditë u zhvillua kundër francezëve në Itali, për shkak të aleancave.

Në të gjitha rastet numri i ushtarëve të Gjergj Kastriotit ka qenë më i vogël se i armiqve të tij. Në të gjitha rastet ai ka arritur t’ia dalë me sukses.

Kjo padyshim e rrit lavdinë e fitores dhe vetë prestigjin e tij si strateg.

Ai e fitoi edhe betejën për marrjen e Beratit, pavarësisht se ushtria shqiptare më pas u thye nga trupat osmane, por jo në drejtimin e tij të drejtpërdrejtë.

Në bilancin e tij Gjergj Kastrioti njeh vetëm fitore.

Kjo bëri që Evropa skeptike, që merresh me thashetheme e kulisa t’futmesh nëpër korridoret e pallateve mbretërore, se s’kish më bythë të ngrinte shpatën, e po e shihte si shpresë shpëtimi princin arban, nisi t’i hapte dyert dhe të mblidhte për të ndonjë qindarkë ndihme.

Padyshim është një gjeneral i rrallë dhe jo më kot disa anketa e rendisin atë të katërtin për nga rëndësia botërore, pas Aleksandrit të Madh, Jul Cezarit e Napolon Bonapartit.

Dhe këtu nuk flasim për Atilën që luftonte “kaçakshe” me një lukuni hunësh që kërkonin veç të grabisnin e të përdhunonin.

Këtu flitet për një strateg. Skënderbeu, me një trupë të vogël kalorësish shpartalloi ushtrinë e dinastisë Anzhuine që ishin armiqtë e Ferdinandit të Napolit, i cili ishte një nga mbështetësit e tij kryesor.

Askush nuk e dinte se si do të shkonte fati i Kryqëzatës ku ai ishte emëruar kryekomandant nga Papa Piu II.

Por me siguri, në kulmin e lavdisë së tij, me një ushtri të armatosur nga e gjithë Evropa, Gjergj Kastrioti do t’i kishte çuar selxhukët andej nga kishin ardhur, në kufi me mongolët e Xhingis Khanit dhe sot nuk do e kishim Stambollin, por Kostandinopojën.

Në përpjekjen e tij madhore për t’u bërë Udhëheqësi i Kryqëzatës kundër otomanëve, ai u përpoq ta anashkalonte pavarësinë e princërve të tjerë shqiptarë dhe ta kthente vendin të qeverisur nga një mbret.

Në të njëjtën kohë duhej të përballonte furinë më të madhe të kohës, atë të jeniçerëve dhe azapëve aziatikë, dhe kjo në fakt ishte sfida e tij.

Personaliteti i Skënderbeut si burrë shteti, strateg e mjeshtër i artit ushtarak dallonte me krerët evropianë të kohës, sepse ndryshe nga veprimtaria ushtarake e tyre që bazohej mbi trupat mercenare.

Ai u mbështet mbi një ushtri të formuar kryesisht nga vullnetarë që mbi të gjitha kishin një shpirt vetëmohimi.

Bëmat e Skënderbeut janë të përshkruara në mbi 1000 vepra historike dhe letrare në 21 gjuhë të ndryshme.

Ai u kthye për shumë artistë në një hero vizual. Portreti i tij është kthyer në gjithfarë pikturash e gravurash.

Një kompozitor si Vivaldi kompozoi një opera nën titullin “Skënderbeu”. Dhjetëra shkrimtarë ngritën letërsinë e tyre me fabulën e heroit arbëror që mundi sulltanin, e kështu me radhë.

Emri “Skënderbeg” sot gjendet nëpër sheshe e rrugë të Evropës si dhe në Amerikë. Fama e tij shkon përtej Evropës, për të cilën ai nxori gjoksin që ta mbronte. Jo më kot sllavët duan ta nxjerrin me origjinë serbe e grekët me origjinë helene.

Ndërsa ai vetë thoshte se ishte pasardhës i Piros së Epirit dhe në kokë mbante simbolin e dhisë së mbretit epiriot.

Eh ç’na ka gjetur me këta fqinjët që kërkojnë të na e përvetësojnë çdo gjë të mirë që kemi nxjerrë dhe të na faturojnë vetëm të këqijat.

Sepse ata nuk e prodhuan dot kurrë një hero kundër hordhive osmane, ndërsa shqiptarët nxorën një duzinë të tillë që nis me Gjergj Arianitin për të arritur të Pashai i Tepelenës, e ndoshta për ta mbyllur në fund me një luftëtar si Çerçiz Topulli.

Dhe ishim mjaftueshëm për të bërë historinë aq sa u dhamë dhe grekëve një tufë burrash që të bënin shtetin e tyre.

Gjergj Kastrioti nuk ka qenë vetëm një hero i shqiptarëve, por një princ i niveleve evropiane, burrë shteti, luftëtar, diplomat, e largpamës.

Rrënjët e pavarësisë së Shqipërisë, e cila u shpall vetëm 500 vite më pas, si akt juridik ndërkombëtar qëndrojnë tek trashëgimia e Gjergj Kastriotit.

Skënderbeu, vdiq në shtatin e tij. Nuk i hyri në trup asnjë shigjetë armike dhe as nuk e preu dot shpata e tyre edhe pse udhëhoqi i pari në çdo betejë.

Ai ndoshta s’donte të krenohej dot me një fakt të tillë, por ne kemi të drejtë të krenohemi për të.

Tanimë pasi 555 vitesh ne përkujtojmë 17 janarin e vitit 1468, ditë kur një prej gjeneralëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave, do të mbyllte sytë.

ObserverKult


Lexo edhe:

ROBERT CREELEY: SHIU

Poezia “Shiu” nga Robert Creeley

Gjithë natën zhurmërima
vazhdimisht kthehej,
dhe prapë po bie
ky shi i qetë, ngulmues

Çka i jam unë vetes sime
që do të duhej të mbahej mend,
që këmbëngulja
kaq shpesh? A thua

Kurrë as qetësia
bile as ashpërsia
e shiut që po bie
s’do të më jep

diç tjetër përpos kësaj,
diç jo kaq këmbëngulëse –
a thua do të jem i mbyllur në këtë
mërziti të fundme.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


DEA BASHA: LARG MEJE NUK GJEN DOT PREHJE…

Poezi nga Dea Basha

Në xhamin e dritares
Shoh shenjat e gishtave të tu
Kuptoj se po më përndjekin
Prekjet që m’i përplasën ëndrrat
Para se të përmalloheshe aq shumë
Sa për të më refuzuar qenien
Një braktisje e pandjeshme
Si puthjet që i fala secilës dallgë
Të detit të kukullave të verbëra
E ty që të mori malli
E ty që m’i lëshove duart
E di kush po të mban gjallë
Zgavrat boshe të mosnjohjes
Sytë e humbur të Izabelës
Larg meje nuk gjen dot prehje
Xhami im nuk është lot i ngrirë
Perqafimet janë të akullta
Gjaku ndoshta dhe mundet
Të jetë disi i ngrohtë
Por pulëbardhat edhe këtë natë
Po i shkulin puplat vetes
Dhe shiu nuk ndalon së rëni
Porsa afroj gishtat e mi
Që ti vendos mbi ato shenja
Të përvëlueshme dhe plot gjak
Plot gjak…dhimbje…mëkate
Të shpërlara tutje
Diku mes dallgësh
Diku mes njerëzish
Mes nesh që nuk duhet të ishim
Ku syri im nuk sheh
E ti nuk mund të jesh më
Kaq i dashuruar

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:

ObserverKult