Dritëroi: Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti!

dritëro agolli

Thënie nga Dritëroi

Dritëro Agolli ka qenë poet, prozator, gazetar dhe politikan i njohur gjatë gjysmës së dytë të shekullit të XX. Ai është ndër shkrimtarët më të njohur në Shqipëri i cili ka lindur më 13 tetor 1931 në Devoll dhe është ndarë nga jeta më 3 shkurt 2017

Për shumë kohë, Agolli ishte gazetar në të përditshmen “Zëri i popullit”, dhe kryetar i Lidhjes së shkrimtarëve dhe artistëve të Shqipërisë.

Ai la pas një krijimitari mjaft të gjerë me poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj.

Disa prej veprave më të rëndësishme të tij janë përkthyer në perëndim e në lindje. Në veprën e Agollit e pa veten si protagonist bujku dhe bariu, fshatari dhe studenti, malësori dhe fusharaku. Agolli u bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.

Dritëroi u shfaq në letërsi si një autor me kërkesa të larta për poezinë. Ai synoi një poezi më të përveçme, me më shumë individualitet. Thjeshtësia e komunikimit, mesazhet universale dhe shprehja e hapur e ndjeshmërisë janë shtyllat e forta ku mbështetet poezia e tij.

Në prozën e tij Dritëroi solli risi vetëm në strukturën narrative, por dhe në galerinë e personazheve të veta. Ata lanë sa të çuditshëm aq dhe të zakonshëm, sa tragjikë aq edhe komikë, sa të thjeshtë aq edhe madhështorë. Frazeologjia e pasur popullore dhe filosofia jetësore e bëjnë përgjithësisht tërë veprën letrare të Agollit sot për sot ndër më të lexuarën.

Në vazhdim ObserverKult ua sjellë disa thënie të zgjdhura për dashurinë nga Dritëro Agolli:

– Dashuria nuk mësohet në kurse profesionale.

– Për mua gruaja është një krijesë me rroba të endura prej bari, uji dhe ere.

– Dashuria dhe arti nuk bëhen me urdhër, ashtu siç nuk bëhet me urdhër teshtima.

– Dashuria është e para laureshë , që këndon në mëngjesin e rinisë sonë.

– Për të gjetur miqësinë e vërtetë kapërcehet lumi, për të gjetur dashurinë e vërtetë deti.

– Vetëm gjuha e muzikës, verës dhe dashurisë nuk ka nevojë të përkthehet.

– Ai që e ndjek dashurinë dhe nuk e pushton , nuk plaket .

– Dashuria e bën qiellin të vërtitet në kokë si portokall.

– Dashuria deri më sot nuk njeh plan që të plotësohet qind për qind.

– Burri është zbulues, gruaja mbrojtësja e zbulimeve.

– Dashurinë e zmadhon fisnikëria dhe e zvogëlon meskiniteti.

– Dashuria e parë është një provim për të hyrë në dashurinë e vërtetë.

Përgatiti: T.K/ ObserverKult

Lexo edhe:

DRITËRO AGOLLI: DHE SIKUR NË BOTË TI MOS ISHE…