Përfundoi festivali “Art without Limit”/ Albin Kurti: Le t’i shtojmë përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri të drejtë

Festivali Ndërkombëtar i Filmit “Art without Limit”, i mbështetur nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) shënoi përmbylljen e edicionit të katërt.

Përgjatë 3 ditëve të Festivalit u shfaqën filma të jashtëzakonshëm që theksojnë sfidat me të cilat përballen personat me aftësi të kufizuara dhe gjithashtu tregojnë qëndrueshmërinë, arritjet dhe kontributet pozitive të tyre për shoqërinë tonë.

Në këtë festival, gjegjësisht në ndarjen e çmimeve i pranishëm ishte edhe kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, i cili u shpreh mjaft i lumtur që po merr pjesë në këtë ceremoni.

“Jam i lumtur që jam sonte këtu bashkë me juve, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të festivalit ndërkombëtar të filmit “Art without Limit”, apo “Arti pa kufi”. Gëzohem që nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit kemi mbështetur këtë festival, që është tamam ashtu siç e përshkruani, pra festë e diversitetit, e gjithëpërfshirjes dhe e shpirtit të paepur njerëzor. Është kënaqësi e veçantë që jemi këtu pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, për ta shënuar atë me rrëfimet e tyre frymëzuese”, theksoi kryeministri Kurti.

Më tej kryeministri Kurti tha se mes figurave të suksesshme, u gëzua kur ka parë edhe emrin e Elion Palojes, emër që i ka mbetur në kujesë për interpretimin e tij të mahnitshëm.

“Nga prilli i vitit të kaluar më ka mbetur në kujtesë të paharrueshme interpretimi i mahnitshëm i tij në piano. Tani, nëpërmjet filmit, audienca më të gjera do të mund të njihen me artin e tij.
Ky festival, përtej artistikes, kontribuon në ndërgjegjësimin në rritje, të cilin duhet ta përkthejmë bashkë në rritje të veprimit të përbashkët për të adresuar sfidat e shumta. Nëse jemi pjesëtarë të së njëjtës shoqëri, atëherë këtë e dëshmojmë pikërisht nëpërmjet solidaritetit me njëri-tjetrin”, tha ai.

Ndryshe, Festivali këtë vit pranoi rreth 1000 aplikime nga regjisorë dhe producentë nga e gjithë bota duke përfshirë dokumentarë të shkurtër, dramë-fiction dhe animacion, teksa ceremonia e çmimeve u mbajt mbrëmë, pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara.

Të pranishëm në festival ishin edhe ministri Hajrulla Çeku, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj, artistë, aktivistë, përfaqësues të organizatave të shoqërisë civile dhe artdashës.

Fjala e plotë e kryeministrit Albin Kurti:

E nderuara drejtoreshë e festivalit, znj.Ganimete Sava,

I nderuari drejtor artistik, z.Burim Haliti,

I nderuari Hajrulla Çeku, Ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sportit,

Shkëlqesia juaj, z. Antonello De Riu, ambasador i Italisë në Kosovë,

Shkëlqesia juaj, z. Petrit Malaj, ambasador i Shqipërisë në Kosovë,

Të nderuar përfaqësues të shteteve mike,

Të dashur aktivistë dhe përfaqësues të organizatave të personave me aftësi së kufizuar,

Të dashur artistë e artdashës, zonja dhe zotërinj,

Jam i lumtur që jam sonte këtu bashkë me juve, në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të festivalit ndërkombëtar të filmit “Art without Limit”, apo “Arti pa kufi”.

Gëzohem që nëpërmjet Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit kemi mbështetur këtë festival, që është tamam ashtu siç e përshkruani, pra festë e diversitetit, e gjithëpërfshirjes dhe e shpirtit të paepur njerëzor.

Është kënaqësi e veçantë që jemi këtu pikërisht në Ditën Ndërkombëtare të Personave me Aftësi të Kufizuara, për ta shënuar atë me rrëfimet e tyre frymëzuese. Do të veëoj kategorinë e filmave të shkurtër, që përcjell mesazhin “Edhe ti mund t’ia dalësh”.

Mes figurave të suksesshme, u gëzova që pash emrin e Elion Palojes. Nga prilli i vitit të kaluar më ka mbetur në kujtesë të paharrueshme interpretimi i mahnitshëm i tij në piano. Tani, nëpërmjet filmit, audienca më të gjera do të mund të njihen me artin e tij.

Nëpërmjet artit të shtatë, shoqëria do të njeh dhe çmojë mënyrat e panumërta me të cilat personat me nevoja të veçanta kontribuojnë në shoqërinë tonë.

Të gjithëve do të na mësojnë më shumë për jetën nëpërmjet vetë jetës së tyre, gazetarja profesionale në Radio Kosovë, Lume Berisha; kampioni i notit nga Tirana, Gersi Troka; kampionja në gara me makina, teniserja dhe gjyqtarja profesionale e tenisit Samire Jupolli; sikurse edhe basketbollisti ynë, Egzon Vatovci.

Në shtator isha në ceremoninë e Lojërave Paralimpike “Kosova 2023”, që këtë vit përfshijnë 13 disiplina sportive.

Ne kemi shtuar shumëfish mbështetjen financiare për Komitetin Paralimpik të Kosovës, nga 15 mijë euro sa ishte në vitin 2020, në 100 mijë euro tani. Po bëjmë gati mbështetje të veçantë për pjesëmarrjen në Lojërat Paralimpike Paris 2024, që do të jetë e para në histori.

Aktivitete të këtilla pasurojnë shoqërinë dhe na shërbejnë për të rritur njohuritë për aftësinë e kufizuar, dhe për të ndryshuar ndjeshmëritë dhe botëkuptimet tona. Na mundësojnë njohjen dhe nderimin e talenteve të personave me nevoja të veçanta, si anëtarë të çmuar të shoqërisë sonë.

Ky festival, përtej artistikes, kontribuon në ndërgjegjësimin në rritje, të cilin duhet ta përkthejmë bashkë në rritje të veprimit të përbashkët për të adresuar sfidat e shumta. Nëse jemi pjesëtarë të së njëjtës shoqëri, atëherë këtë e dëshmojmë pikërisht nëpërmjet solidaritetit me njëri-tjetrin.

Andaj të nderuar të pranishëm,

Derisa e festojmë sonte dhe e nderojmë diversitetin së bashku, duke nderuar njerëzit me nevoja të veçanta, ata duhet t’i nderojmë çdo ditë në ndërveprimin tonë, në komunikimin tonë, që t’ua shtojmë ndjenjën e përkatësisë, e t’ua mundësojmë jetën me dinjitet. Garantimi dhe avancimi i të drejtave të njeriut përveçse çështje thelbësore në vetvete, është edhe shtytëse për shoqëri më të suksesshme.

Unë ju falënderoj të gjithëve për punën, angazhimin, rolin dhe kontributin tuaj për të drejtat e njeriut, për ndryshimin progresiv e pozitiv të shoqërisë dhe të vendit tonë. Në vitin e ri 2024, le t’i shtojmë përpjekjet për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, e bashkërisht të krijojmë një të ardhme me mundësi më të mëdha për secilin dhe secilën.

Urime për këtë festival e ju faleminderit edhe një herë!./ObserverKult


Lexo edhe:

besnik mustafaj...

BESNIK MUSTAFAJ: ËSHTË BUKUR TË ECËSH NË SHI

Poezi nga Besnik Mustafaj

Zemër, më thua, është bukur të ecësh në shi.
Dhe unë të besoj, sepse e thua ti me sytë në sytë e mi,
Ani pse ajri ka humbur krejt shkëlqimin
-përzierje e të bardhës me të zezën nga një piktor i keq-
Ani pse pemët nderin përmbi trotuare degët e zhveshura
Si gjurmë të shngjyrosura këmbësh të zogjve mërgimtarë,
Ani pse qielli s’është më qiell ashtu i varur poshtë,
Pa një pëllumb, pa një rreze, pa një spërdredhje vetëtime,
Një qiell i varur poshtë, pra, i mbledhur shuk
si çorape e lagur.
Nën të ecën ti, me një hap të vogël e të shpejtë si ketër,
Një hap që zvogëlohet e shpejtohet parreshtur
për të ndjekur nxitimin e rrahjeve të zemrës.

Është bukur, shumë bukur të ecësh në shi, më thua.

Poezinë e plotë mund ta lexoni KËTU:


JIMMY SANTIAGO BACA: MBAJ MEND… TË DUA

Nga Jimmy Santiago Baca

Meqë nuk kam asgjë tjetër për të të dhënë
Mbaje si një pallto të ngrohtë
Kur të vijë dimri për të të mbuluar,
Apo si një palë çorape të trasha
Që të mos të të kafshojë i ftohti
Të dua
Nuk kam asgjë tjetër për të të dhënë
Kështu që është një tas i mbushur me drithëra të verdhë
Për të ngrohur belin tënd në dimër
Është një shall për kokën tënde
Për ta mbajtur mbi flokë dhe që ta lidhësh rreth fytyrës sate
Të dua
Mbaje, çmoje siç do të bëje nëse do të humbisje
Dhe do të kishe nevojë për drejtim
Në egërsinë e jetës
Dhe tek cepi i sirtarit tënd
E futur tutje si në një kabinë
Kur tek pemët e dendura, të vish duke trokitur
Unë do të të përgjigjem, do të të tregoj rrugën
Dhe do të të lë që të ngrohesh nga ky zjarr
Të shplodhesh tek ky zjarr dhe të të bëj të ndjehesh e sigurt
Të dua
Vetëm këtë mund të të jap
Dhe gjithçka që i nevojitet kujtdo për të jetuar
Kur bota jashtë nuk do t’ia dijë më nëse ti jeton apo vdes

ObserverKult