Besnik Mustafaj: Është bukur të ecësh në shi

Zemër, më thua, është bukur të ecësh në shi.
Dhe unë të besoj, sepse e thua ti me sytë në sytë e mi,
Ani pse ajri ka humbur krejt shkëlqimin
-përzierje e të bardhës me të zezën nga një piktor i keq-
Ani pse pemët nderin përmbi trotuare degët e zhveshura
Si gjurmë të shngjyrosura këmbësh të zogjve mërgimtarë,
Ani pse qielli s’është më qiell ashtu i varur poshtë,
Pa një pëllumb, pa një rreze, pa një spërdredhje vetëtime,
Një qiell i varur poshtë, pra, i mbledhur shuk
si çorape e lagur.
Nën të ecën ti, me një hap të vogël e të shpejtë si ketër,
Një hap që zvogëlohet e shpejtohet parreshtur
për të ndjekur nxitimin e rrahjeve të zemrës.
Është bukur, shumë bukur të ecësh në shi, më thua.

LEXO EDHE: Besnik Mustafaj: Ku e dija që s’ishe, unë sot të kërkova