Përkujtohet Ali Podrimja, Gjakova organizoi tri aktivitete për nder të tij

Nga Blerim Valla

Në Ditën Botërore të Poezisë, Gjakova e ka kujtuar dhe nderuar poetin e njohur, Ali Podrimja. Në tri aktivitete të ndryshme, me pjesëmarrje të disa niveleve e kategorive kulturore e letrare, ishte një ditë dedikuar poetit të madh modern shqiptar dhe të përkthyer në shumë gjuhë të huaja!

Nisur nga fakti se poeti gjakovar i madh Ali Podrimja ka vdekur në qytetin Lëdev të Francës, më 21 korrik 2012 shënimi i kësaj dite u bë në bashkëpunim me përfaqësues të Ambasadës së Francës në Kosovë dhe që ky aktivitet në Gjakovë u lidhë edhe me fillimin e mbajtjes së Javës së Frankofonisë në Kosovë (këtë vit Gjakova është kryeqyteti kosovar i Frankofonisë).

Në organizim të Komunës së Gjakovës dhe Klubit Letrar “Gjon Nikollë Kazazi” të këtij qyteti u mbaj një ngjarje e madhe letraro – artistike dedikuar kolosit të poezisë shqipe Ali Podrimja. Agjenda e kësaj ngjarjeje ishte shumë e ngjeshur.

Kështu paradite u mbajt një takim përkujtues për jetën e veprën e Ali Podrimjes me prani të miqve e kolegëve të poetit Podrimja, mes tyre pati poet, kritik e studiues të letërsisë dhe ligjëruese universitare nga Universiteti “Fehmi Agani” i Gjakovës.
E ku folën Agim Byci, Muharrem Kurti, Engjëll I. Berisha, Blerim Valla, Muhamet Rogova, Masar Kupa, pastaj profesoreshat universitare Gentiana H. Muhaxhiri, Sindorela Doli – Kryeziu etj. Ndërkohë, këtij takimi i dhuruan edhe më shumë hijeshi poezitë e recituara nga disa nxënëse të talentuara të shollave të Gjakovës. Ky takim u mbajt në Bibliotekën Publike ”Ibrahim Rugova”.

Më pas në foajeun e Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi” u mbajt një orë letrare interaktive dhe deklamim i poezive me nxënës dhe të rinj nga Gjakova udhëhequr dhe ideuar nga profesoresha e gjimnazit Teuta Lama – Hoda.

Poezitë e këtyre nxënësve (nxënëseve) padyshim ishin një garanci e fuqishme e ndikimit të poezive të Ali Podrimjes tek brezat e rinj dhe se poezia me vlera do të jetojë edhe shumë kohë në qytetin e Gjakovës.

Kurse ajka e këtij aktiviteti ishte në mbrëmje në Galerinë e Arteve të Gjakovës, ku u mbajt një mbrëmje poetike kushtuar Ali Podrimjes. Me këtë rast disa poetë të njohur gjakovar, miq e kolegë të të madhit A. Podrimja, si: Agim Byci, Muharrem Kurti, Blerim Valla e Engjëll I. Berisha, si dhe Hyrë Fazlia, Bekim Kelmendi e Ismet Delija lexuan poezi të tyre origjinale kushtuar atij. Kurse shumë poezi të njohura të A. Podrimjes i deklamuan aktorët e Teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës si: Yllka Lota, Valon Pallaska, Vlora Dervishi e Edi Gjakova.
Me këtë rast poezitë që u lexuan para publikut u përcollën me disa pika muzikore nga mësimdhënës e nxënës të Shkollës së Muzikës “Prenk Jakova” të Gjakovës si flautistët Jeta Gërçari e Dren Ballata.

ObserverKult


Lexo edhe:

DORIAN KOÇI: ALI PODRIMJA, BARDI I MODERNIZMIT NË POEZINË SHQIPE